Policia e Kosovës është duke hetuar katër raste të vdekjeve që janë raportuar në 24 orët e fundit.
Një rast ka ndodhur në Podujevë të dielën paradite, ku është raportuare se pa shenja jete është gjetur një burrë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Po ashtu është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47 me një karikator, pesë fishekë dhe shtatë gëzhoja”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Një rast tjerë të cilin po e heton Policia ka ndodhur në Prizren, ku e vdekur është gjetur një shtetase e huaj.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.
Policia është duke e hetuar edhe vdekjen e një burri i cili është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Istog.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkohë në Pejë është raportuar se një burrë kishte rënë në një pusetë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe pas disa orësh kanë arritur ta nxjerrin viktimën i cili ishte pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.