Kronikë

Aktakuzë ndaj dy personave për ndërtim pa leje e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në Skenderaj

aktakuze

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” në Skenderaj.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit akuzohen se nga data 20.07.2023 deri më datë 11.08.2023, në Skenderaj, në bashkëkryerje e vetëdije të plotë, në një vend-punishte janë hasur duke kryer punë pa leje të ndërtimit e cila kërkohet sipas ligjit.

“Po ashtu, të pandehurit A.A., dhe A.A., akuzohen se në bashkëkryerje dhe me dashje, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj nuk i vendosin pajisjet  për mbrojtje ashtu që gjatë mihjes së dheut dhjetë (10) metra nën nivelin e asfaltit ka ardhur deri te rrëshqitja masive e dheut, ku si pasojë e kësaj përpos dëmeve të shkaktuara në pronën publike përgjatë dy rrugëve si dhe murit e rrethojës së çerdhes së fëmijëve në ndërtim e sipër, po ashtu janë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe  në pronat private të të dëmtuarve F.S., dhe D. Xh”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Prokuroria ka propozuar që dy (2) të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të u shqiptohet sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.