Kronikë

Zbulohet bunkeri brenda një barnatoreje në Ferizaj, gjenden afro 1200 paketime të barnave pa banderola

Barna

Dogana e Kosovës ka thënë se në një barnatore në Ferizaj është gjetur një hapësirë e fshehur (bunker), ku ishin fshehur barna të kontrabanduara pa banderola. 

Kontrolli është realizuar në tri lokacione të ndara të të njëjtit subjekt afarist. Në një lokacion është zbuluar bunkeri që hapej me anë të telekomandës, ndërsa në të u gjetën 168 lloje të barnave të ndryshme në sasi prej 1173 paketimesh. 

“Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar sot një operacion të suksesshëm në qytetin e Ferizajt, duke ushtruar kontroll në një barnatore me dyshime për mallra të kontrabanduara.  Kontrolli është realizuar në tre lokacione të ndara (njësi) të të njëjtit subjekt afarist. Në njërin nga lokacionet është zbuluar një hapësirë e veçantë dhe e fshehur (bunker), e përshtatur për fshehjen e barnave e cila hapej me kontroll elektronike, ku janë gjetur barna të kontrabanduara pa banderola.  Në total, janë sekuestruar 168 lloje të barnave të ndryshme në sasi prej 1,173 paketimesh. Dogana e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj palëve të përfshira dhe rikujton qytetarët se kontrabanda me barna paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe përbën vepër penale”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.