Kulturë

Anita Rachvelishvili nga thellësitë e zërit nxjerr dhimbje e dashuri

Mexosopranoja Anita Rachvelishvili

Mexosopranoja Anita Rachvelishvili e shoqëruar nga ansambli i festivalit “RLIOF”, nën dirigjimin e mjeshtrit Nikoloz Rachveli, i cili ka luajtur gjithashtu edhe në piano, me zërin hyjnor të saj është dëshmuar si një nga emrat më të mëdhenj të skenës operistike botërore

Festë e muzikës me njërën prej mexosopranove më të njohura botërore, ka qenë njëri prej cilësimeve të koncertit të Anita Rachvelishvilit, e cila me elegancë e me zërin e saj të thellë e ka marrë publikun me vete në një lundrim melodish dhimbjeje e dashurie. Repertorin e ka përzgjedhur me finesë, duke sjellë edhe vepra nga Gjeorgjia e cila, sipas saj, ka të përbashkëta edhe me Kosovën. “E hapa natën me një këngë shumë patriotike që quhet ‘Lindja e diellit’. Flet për luftën e për dhimbjen nëpër të cilën ka kaluar Gjeorgjia për të gjitha ato vite lufte dhe kjo këngë flet për ato vuajtje. Mendova se është ide e përkryer për ta bërë lidhjen me Kosovën si shtet, me dhimbjen nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës”, ka thënë ajo

Ajo gjendet në Prishtinë për herë të parë, e madje zëri i saj vjen si debutim edhe në Ballkan. Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, të mërkurën mbrëma, në qiell të hapur të Prishtinës ka frymuar zëri i lirë operistik i mexosopranos gjeorgjiane Anita Rachvelishvili. Në natën e parafundit të këtij edicioni të festivalit, është mbajtur koncerti “Ensemble Evening” me zërin hyjnor të saj, një nga emrat më të mëdhenj të skenës operistike botërore. 

Në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare, para një audience të gjerë, ajo ka kënduar këngë të njohura, e shoqëruar nga ansambli i festivalit “RLIOF”, nën dirigjimin e mjeshtrit Nikoloz Rachveli, i cili ka luajtur gjithashtu edhe në piano.

Me prurjen e këtij zëri botëror, sikurse edhe në mbrëmjen operistike me sopranon Marigona Qerkezi, si dhe me mbrëmjen e solistëve të rinj, festivali e ka dëshmuar misionin e tij që lidhet edhe me temën e këtij edicioni “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”.

Gjeorgjiania Rachvelishvili njihet për zërin e saj të fuqishëm dhe prezencën e pazëvendësueshme skenike. Performancat e saj në rolet e operës “Carmen” kanë marrë vëmendje të pafundme në përmasa botërore. Mes tjerash, në rolin e Carmenit ajo ka interpretuar në teatrot nga më të rëndësishmit, duke përfshirë “The Royal Opera” në Londër, “Canadian Opera Company” në Toronto e “Metropolitan Opera New York”.

Mexosopranoja e ka nisur natën me një këngë gjeorgjiane, një arie nga opera “Lela” e kompozitorit Revaz Lagidze. E titulluar “Gantiadi”, që në shqip do të thotë “lindja e diellit”, kjo këngë është patriotike, flet për dhimbjen që një popull e kalon gjatë luftës, por përtej kësaj, më shumë është një thirrje për dashurinë që nuk ka humbur asnjëherë, pavarësisht vuajtjeve.

“E hapa natën me një këngë shumë patriotike që quhet ‘Lindja e diellit’. Flet për luftën e për dhimbjen nëpër të cilën ka kaluar Gjeorgjia për të gjitha ato vite lufte dhe kjo këngë flet për ato vuajtje. Mendova se është ide e përkryer për ta bërë lidhjen me Kosovën si shtet, me dhimbjen nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës. Kemi këtë të përbashkët shteti im dhe shteti juaj, andaj ndjeva të jetë shumë e rëndësishme ta hap me diçka që flet për dashurinë ndaj atdheut e ndaj popullit”, ka thënë mexosopranoja Anita Rachvelishvili.

Pas kësaj kënge, ajo ka vazhduar me interpretimin e arieve të tjera nga opera të famshme perëndimore. Gjatë gjithë kohës në sfond shfaqeshin fotografi e video bardhezi, pjesë të shkëputura nga opera botërore, e harmonia e dritave mbahej edhe me shkëlqimin e ngjyrave të kuqe dhe portokalli që prapa skenës e ndriçonin Bibliotekën Kombëtare. Të parën pjesë e ka nisur me “Mon coeur s’ouvre a ta voix” nga opera “Samson et Dalila” e kompozitorit francez Camille Saint-Saëns, ka vazhduar me dy arie nga opera “Carmen” e kompozitorit Bizet: e famshmja “Habanera” dhe pjesa “En vain, pour eviter les reponses ameres”, pastaj i ka interpretuar edhe dy arie të tjera, “Lorsque le temps d’amour a fui” nga Jules Massenet dhe “I loves you Porgy” të George Gershwinit. 

Gjatë gjithë kohës në sfond shfaqeshin fotografi e video bardhezi, pjesë të shkëputura nga opera botërore, e harmonia e dritave mbahej edhe me shkëlqimin e ngjyrave të kuqe dhe portokalli që prapa skenës e ndriçonin Bibliotekën Kombëtare

Pas tyre, ajo ka dalë nga skena dhe u ka lënë hapësirë interpretimeve të ansamblit të festivalit nën drejtimin e mjeshtrit po ashtu gjeorgjian, Nikoloz Rachveli. Para se të fillojë me interpretimet e pesë këngëve nga filma artistikë gjeorgjianë, ai ka folur shkurt para audiencës.

“Jemi nga Gjeorgjia dhe mendoj se në botë janë pak shtete që mund ta kuptojnë njëra-tjetrën, por shteti juaj i bukur dhe shteti im i bukur janë dy shtete që e mbështetin dhe e kuptojnë njëri-tjetrin dhe faleminderit për këtë”, ka thënë në skenë dirigjenti Rachveli, duke treguar se këto pesë këngë të interpretuara me orkestrën e ansamblit të festivalit “RLIOF” janë tribut për 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit Giya Kancheli.

Sipas mexosopranos, muzika gjeorgjiane flet shumë për historinë e vendit dhe e përbashkëta me Kosovën është se e ndajnë të njëjtën dhimbje.

“Muzika gjeorgjiane e ka një rol shumë të rëndësishëm në historinë tonë, gjithnjë flet për ngjarjet historike nëpër të cilat kemi kaluar, dhe besoj se njëjtë është me Kosovën, ka një lidhje të brendshme mes nesh për shkak të kësaj, e ndajmë dhimbjen me njëri-tjetrin dhe përmes muzikës mund ta ndajmë atë edhe me njerëzit që vijnë të na dëgjojnë”, ka treguar Rachvelishvili rolin e muzikës në hapësira ku shpesh ka dhimbje e vuajtje.

Pas një pauze të shkurtër, ajo është kthyer sërish në skenë, tani për t’i interpretuar me zërin e saj ikonik disa këngë të tjera, mes tyre edhe në anglisht e italisht nga kompozitorë të njohur të muzikës operistike. Këngët si “Don’t Call Me” nga Giya Kancheli, “Country of Flowers” që është një këngë folklorike gjeorgjiane, “Summertime” nga George Gershwin, si dhe “My Funny Valentine” nga Richard Rodgers janë vetëm disa prej tyre. “Rinascero” e “Oblivion” nga Astor Piazzolla janë dy këngë që i ka kënduar plot hare dhe me kërcim të lehtë, por kulmimi ka qenë pikërisht në fund të programit, kur edhe e ka interpretuar këngën “Yo Soy María” nga opera e vallëzimit tango “María de Buenos Aires” nga kompozitori Astor Piazzolla, kombinuar me melodi të muzikës jazz.

Në Prishtinë vjen për herë të parë, e madje zëri i saj vjen për herë të parë edhe në Ballkan. E ka vlerësuar lart mbajtjen e një festivali të këtillë, i cili, sipas saj, krijon lidhje të forta mes artistëve të mëdhenj dhe popullit të Kosovës.

“Për një shtet si Kosova, ky është një nga festivalet më të rëndësishme në botë, sepse ajo çka bën Rama dhe festivali është se i sjell njerëzit nga e gjithë bota dhe ua prezanton popullin e mrekullueshëm të Kosovës, kulturën e operës dhe të muzikës klasike, dhe siç e pamë sonte jo vetëm muzikën klasike, por muzikën në përgjithësi, për të cilën mendojmë se ka një rol të madh në zhvillimin e vendit. Jam shumë falënderuese për këtë festival dhe për mbështetjen që ia jep shteti festivalit dhe uroj që ky festival të bëhet aq i madh dhe i njohur, sa të dojë të vijë secili dhe ta shohë”, ka thënë ajo.
Publiku nuk ka pushuar së duartrokituri, pas secilës pjesë është ndier entuziazmi i tij. Mundësinë për ta shijuar këtë performancë, sipas mexosopranos Merita Juniku, nuk mund ta gjejë publiku diku tjetër.
“Sonte e patëm rastin ta dëgjojmë një nga mexosopranot më të njohura botërore. Është vërtet kënaqësi që publiku i Prishtinës e pati mundësinë që ta shfrytëzojë këtë mbrëmje, të cilën nuk mund ta shijojë askund tjetër. Mexosopranoja ishte e shkëlqyeshme dhe programi jashtëzakonisht i bukur. Ishte bombastike”, ka thënë ajo.

E sipas profesoreshës Besa Luzha, e cila i ka përcjellë të gjitha këto net të festivalit, kjo ka qenë një performancë që nuk harrohet lehtë.

“Një zë që e mbart thellësinë e shpirtit dhe fuqinë e natyrës, i ngrohtë, i pasur në ngjyra, i kulluar dhe i rrallë në teknikë. Ajo e nisi mbrëmjen me arie operistike që na lanë pa frymë, duke e dëshmuar mjeshtërinë e saj të jashtëzakonshme vokale dhe ndjeshmërinë interpretative. Më pas i solli tingujt e atdheut të saj përmes këngëve artistike dhe popullore gjeorgjiane, të cilat i dha me emocion të pastër dhe autenticitet. Mbrëmja u përmbyll me elegancë me muzikën e Gershwin, ku zëri i saj u shndërrua në urë mes operës dhe shpirtit të jazzit. Një performancë që s’harrohet lehtë, një festë e muzikës, e ndjenjës dhe e artit të bukur operistik”, ka thënë ajo.

Pas këtyre mbrëmjeve operistike, më e madhja dhe më e rëndësishmja do të vijë të shtunën. Gala mbrëmja “Rame Lahaj and Friends” do të jetë kulmi i këtij edicioni të festivalit, që synon të realizojë ëndrra të pakufishme e të sjellë opera pa mure.