“Pjetri dhe ujku” e kompozitorit rus Sergei Prokofiev është mbase vepra më e qëlluar për t’u shndërruar në urë lidhëse midis muzikës klasike e publikut të ri. Të enjten, interpretuar nga kuinteti frymor i Filharmonisë së Kosovës në kuadër të programit “Arti në shkolla”, për nxënës të shkollave fillore ka qenë një përjetim unik. Por veprës fëmijëve iu prezantuan “rregullat e arta” të ndjekjes së një koncerti të muzikës klasike. Interesimi për ngjarje si këto, sipas organizatorëve, është përherë më i madh në raport me kapacitetet e institucioneve kulturore
Me koncerte edukative, Filharmonia e Kosovës po synon t’i afrojë gjeneratat e reja me muzikën klasike. Programi i së enjtes pasdite ka qenë veç një imazh i programit “Arti në shkolla”, i cili ka një rrugëtim tashmë trevjeçar.
Nxënës të shkollave fillore të kryeqytetit kanë dëgjuar kuintetin frymor të institucionit shtetëror muzikor duke interpretuar veprën “Pjetri dhe ujku” të kompozitorit rus Sergei Prokofiev, duke e bërë koncertin mësim për tingullin, personazhin dhe imagjinatën muzikore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë shoqëruar nga mësimdhënëset e tyre, nxënësit kanë hyrë në sallë të organizuar klasë për klasë. Kësaj here rolet ishin të përmbysura: audienca kishte pak apo nuk kishte aspak njohuri për muzikën dhe priste të mësonte nga përvoja e muzikantëve. Instrumentistët po prisnin me durim të vegjlit që do të zbulonin botën e instrumenteve frymore përmes një prej veprave më të famshme edukative të shekullit të kaluar.
Para nisjes së koncertit, fëmijëve iu prezantuan ato që u quajtën si “rregulla të arta” të ndjekjes së një koncerti të muzikës klasike. Se ushqimi dhe biseda nuk lejohen gjatë interpretimit, ndërsa duartrokitjet rezervohen për fillimin dhe fundin e veprës, pa ndërhyrë gjatë zhvillimit të saj. Kjo hyrje qe mësimi i parë mbi etikën e dëgjimit të muzikës artistike.
Më pas nisi rrëfimi i përrallës muzikore të Prokofievit me Anda Gjinin në rolin e tregimtares.
E shkruar në vitin 1936, “Pjetri dhe ujku” konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme edukative në historinë e muzikës klasike. Kompozitori sovjetik e krijoi atë me qëllimin që fëmijët të njihnin instrumentet e orkestrës përmes një historie të thjeshtë dhe tërheqëse. Çdo personazh identifikohet me një instrument dhe me një motiv të veçantë muzikor: zogu me flautin, rosaku me oboan, macja me klarinetën, gjyshi me fagotin, ujku me kornon, ndërsa protagonisti Pjetri përfaqësohet nga tingulli i harqeve në versionin origjinal orkestral.
Përralla muzikore e prezantuar në këtë ngjarje është e aranzhuar për kuintet frymor nga kompozitori e oboisti i shquar kanadez, David Sale.
Në interpretimin e kuintetit frymor të Filharmonisë, secili instrument ka marrë rol qendror në ndërtimin e narrativës. Instrumentistët jo vetëm që kanë luajtur pjesët e tyre solo, por kanë zbërthyer edhe kompleksitetin e partiturave të veprës.
Një moment i veçantë ka ndodhur gjatë pjesës “Zogu” ku një zog i egër fluturonte vazhdimisht në sallë. Për fëmijët, të cilët përpiqeshin të kuptonin se cili instrument imitonte cicërimën e zogut, kjo rastësi ka qenë një lloj lidhjeje midis muzikës dhe realitetit.
Sekuencat muzikore të veprës shpesh kanë shkaktuar të qeshura në sallë, në kontrast me tonin herë pas here serioz e kërcënues të narracionit.

Sipas koordinatores së programit edukativ të Filharmonisë së Kosovës, Anda Gjini, në koncert kanë marrë pjesë nxënës nga shkolla model “Qamil Batalli”, shkolla fillore “Naim Frashëri” dhe nga “British School of Kosova”.
“Është një koncept që e kemi realizuar disa herë dhe që pëlqehet gjithmonë nga fëmijët, për këtë arsye edhe e realizojmë. Është interesant që fëmijët ta shohin sesi luajnë instrumentet personazhe të ndryshëm dhe përmes tingëllimës së tyre mund të gjejnë sesi e simbolizon në këtë rast një kafshë apo si e ilustron një ngjarje. Dinamika e muzikës përputhet me ngjarjen dhe kjo është interesante për ta për ta kuptuar muzikën pak më thellë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, interesimi për koncertet edukative vazhdon të jetë më i madh sesa kapacitetet që ka institucioni.
“Interesim kemi gjithmonë më shumë sesa kemi kapacitete. Fëmijët janë shumë të interesuar, mësimdhënësit gjithashtu. Kurojmë koncerte për grupmosha të ndryshme dhe në bazë të saj i thërrasim edhe mësimdhënësit. Për shembull, ky koncert ka qenë i planifikuar për klasa të para dhe të dyta, koncerti i nesërm është për klasa të pesta e të gjashta, pra pak më të mëdhenj, sepse ndryshon përmbajtja e koncertit, por të gjitha janë me karakter edukativ ku fëmijët edhe dëgjojnë edhe mësojnë për muzikën klasike”, është shprehur Gjini.
Në interpretimin e kësaj vepre kanë marrë pjesë Zanë Abazi në flaut, Xhovana Marku në obo, Shkumbin Bajraktari në klarinetë, Meriton Ferizi në fagot dhe Ilir Kodhima në korno, ndërsa Anda Gjini ka udhëhequr rrëfimin.
Për oboisten Xhovana Marku, suksesi i veprës qëndron në aftësinë e saj për të shndërruar dëgjuesin në pjesëmarrës aktiv.
“‘Piteri dhe ujku’ është një përrallë muzikore e cila ka rezultuar shumë efikase që nga shekulli i kaluar sepse i bën, jo vetëm fëmijët, por të gjithë publikun e gjerë, shumë të vëmendshëm për të dëgjuar dhe për të gjetur motivet e secilit personazh, duke njohur instrumentet. Kjo rrit vëmendjen që ka secili dhe bëhet dëgjues aktiv, jo dëgjues pasiv. Për këtë arsye, mendoj që është një nga veprat më të bukura që ekziston për repertorin për fëmijë”, ka thënë ajo.
Marku ka vlerësuar edhe reagimin e publikut të ri gjatë koncertit.
“Koncerti i sotëm ishte shumë i këndshëm. Fëmijët po dëgjonin, sepse kolegia Anda u bënte pyetje herë pas here dhe ata ishin shumë të vëmendshëm. Njihnin një pjesë të instrumenteve, por u njoftuan edhe me instrumente tjera që nuk kishin pasur rast t’i njihnin ende. Kështu që, gjykoj që ishte një koncert shumë i bukur dhe shpresoj të përsëritet sërish”, ka thënë ajo.
Edhe fagotisti Meriton Ferizi e ka cilësuar veprën si një nga krijimet më të suksesshme të repertorit edukativ botëror.
“Është tamam vepër e menduar e Prokofiev dhe luhet gjithandej nëpër botë. Si Filharmonia dhe të gjitha institucionet qendrore e kanë platformën obligative ‘Arti në shkolla’. Edhe ne shkojmë nëpër shkolla të ndryshme në tërë Kosovën me ansamble më të vogla ose i gjithë institucioni, e në këtë rast sot patëm disa shkolla në aktivitete dedikuar për ta. Jo vetëm për fëmijët por edhe për ne, këto paraqitje janë të nevojshme sepse na mbajnë aktivë për prezantime të tjera”, ka thënë ai.
Sipas Ferizit, pavarësisht moshës së audiencës, kërkesat artistike të veprës mbeten të njëjta.
“Është përgjegjësia e njëjtë, pavarësisht llojit të publikut, sepse është vepër serioze dhe kërkon të jesh shumë në nivel e në formë të mirë fizike për ta përballuar këtë vepër që është më e njohura për fëmijë”, ka thënë ai më tej.
Ai ka përmendur se repertori për fëmijë ka prodhuar disa nga veprat më jetëgjata të muzikës klasike.
“Disa kompozitorë u kanë kushtuar vepra për fëmijë dhe ato që janë performohen gjithandej, siç është kjo”, ka shtuar ai.
Sot (e premte) cikli edukativ vazhdon me koncertin “Dialog – Njohje me instrumentin e trombonit” me trombonistin Betim Krasniqi dhe pianistin Misbah Kaçamaku.
Programi edukativ “Arti në shkolla” mbetet si një prej hapësirave më të rëndësishme si institucion kulturor e arsimor. E bën të afërt e si përvojë të prekshme muzikën klasike si ansambël tingujsh që ilustrojnë personazhe e histori. Qe nismuar në pranverën e vitit 2023 si program ndërministror midis Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, ku përfshihen orë të veçanta të artit me ligjërata prej artistëve, vizita direkte në institucione kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore e pjesëmarrje e nxënësve në shfaqje e koncerte të ndryshme artistike.