Pa hapësirë të veten as për prova, është vetëm njëra prej sfidave të Baletit Kombëtar të Kosovës. Telashet sa vijnë e shtohen. Tash nuk ka as staf teknik. Për dritat – që është prej elementeve kryesore në shfaqje – është angazhuar një i ri, i cili direktivat i merr prej balerinëve. Të martën mbrëma publikun e ka pritur drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës pasi punonjëset e ngarkuara me këto punë janë në pushim shëndetësor. “Puna e punëtorëve teknikë është një problem që na ka vënë në vështirësi të funksionimit, përkundër faktit që ne e kemi një vendim nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së në lidhje me hapësirat dhe stafin tekniko-artistik”, ka thënë drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi
Ora shënon 18:52 të së martës dhe balerinët janë në provat e fundit para reprizës së shfaqjes “Aeon”, nën koreografi të Daniel Cardosos. Balerini Liridon Mziu është në kabinën e dritave. Me aq sa merr vesh në miksetë, mundohet t’i tregojë një të riu se si të manipulojë me koreografinë e dritave që janë pjesë përbërëse të shfaqjes.
Baleti Kombëtar i Kosovës ka angazhuar punonjësin e ri të Teatrit Kombëtar që të qëndrojë në miksetë. Trinomi, vallëzim, muzikë e drita është çelësi i realizmit të një shfaqjeje. Se si veprohet tash, pa ndriçues me përvojë, është zgjidhje e zorit. Improvizimi është në kulm. Por BKK-ja është në improvizim të përhershëm për ta mbajtur institucionin funksional dhe me repertor të rregullt. Pavarësisht kësaj, asnjëherë s’e ka ndalur implementimin e programit brenda e jashtë vendit.
Nëse bëhet një renditje e institucioneve qendrore të kulturës, më i braktisuri nga shteti është Baleti Kombëtar i Kosovës. Mysafirë për prova tek ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” e mysafir për shfaqje në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për shfaqje. Telashi më i ri është ai i kapaciteteve teknike. S’kanë punonjës teknik e as tekniko-artistik. Rekuizitorët, grimerët e dekoratorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dita- ditës janë distancuar nga Baleti. Ata u kanë shërbyer dy institucioneve vazhdimisht.
Kriza e madhe ka filluar në korrikun e vitit 2022, kur Ministria e Kulturës arbitrarisht duke vetëkonstatuar se ndërtesa paraqet rrezik, kishte mbyllur ndërtesën në të cilën kanë funksionuar së bashku BKK-ja dhe TKK-ja. Prej atëherë tek në vjeshtën e kaluar kanë nisur punimet restauruese në vlerë afro 7 milionë euro e sivjet janë shtuar edhe 200 mijë të tjera. Por, ky është muhabet më vete.
Zhvendosja për prova te “Shota” nënkuptonte çdo ditë shtrim mbi parket i llastiqeve prej linoleumi dhe largimi i tyre pas provave. Këtë e bënin dy punonjës teknikë të TKK-së. Tash zakonisht këtë e bëjnë vetë balerinët. Përtej kësaj, punonjësit tekniko-artistik të TKK-së në shumicën e rasteve nuk i shërbejnë Baletit në përgatitje të skenës për shfaqjet që institucioni i jep zakonisht një herë në javë në Amfiteatrin që shfrytëzohet nga Teatri.
“Puna e punëtorëve teknikë është një problem që na ka vënë në vështirësi të funksionimit, përkundër faktit që ne e kemi një vendim nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së në lidhje me hapësirat dhe stafin tekniko-artistik”, ka thënë drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi. Si udhëheqës i institucionit, ai ka bërë një varg kërkesash në MKRS që të punësohet staf tekniko-artistik në mënyrë që mbarëvajtja e projekteve të mos pengohet nga rrethana që ndikojnë direkt në punën e BKK-së.
Por MKRS-ja ka gjetur një “zgjidhje” të vjetër për këtë temë.
“Baletit Kombëtar të Kosovës i lejohet t’i shfrytëzojë kapacitetet e stafit teknik-artistik ekzistues”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të tetorit të vitit 2023, i nxjerrë asokohe nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Xheladin Krasniqi. Vendimi ia lejon Baletit të shfrytëzojë hapësirën e Teatrit për shfaqje dhe obligon drejtorët e institucioneve që të merren vesh për mbarëvajtjen e punëve të stafit.
Të martën mbrëma shumica e punonjësve tekniko-artistikë të Teatrit s’kanë qenë në shërbim të shfaqjes së Baletit. Drejtori i BKK-së, prej javë së kaluar, i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të TKK-së ndihmë në këtë aspekt.
“Unë jam i detyruar t’i angazhoj balerinët për të kryer çështje teknike”, ka thënë Kajtazi.
Balerinëve tashmë u ka ardhur në majë të hundës kjo situatë.
“Na shkoi jeta duke luajtur birucave dhe pa kurrfarë kushtesh”, ka thënë një prej balerinave në prag të provave.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, të martën ka thënë të ketë dalë personalisht për të pritur publikun e shfaqjes së Baletit, pasi punonjëset e ngarkuara me këto punë janë në pushim mjekësor.
“Në bazë të vendimit, sipas mundësive, ne ju ndihmojmë. Ne nuk kemi kapacitet për kostumet tona e lëre më të një institucioni tjetër. S’kemi hapësira e as kapacitete. Ata duhet të angazhojnë punonjës dhe ne e ofrojmë hapësirën”, ka thënë ai. Avaria e së martës, sipas tij, është e pashmangshme pasi një pjesë e stafit të Teatrit është në Maqedoninë e Veriut për shfaqjet e planifikuara në Shkup, Dibër e Tetovë.
“Personalisht kam dalë që t’ju ndihmoj sot në pritje të publikut. S’kam çfarë të bëj më shumë si drejtor. Për vete punojmë në kushte shumë të vështira dhe mundohemi që edhe institucioneve të tjera t’iu dalim në ndihmë”, ka thënë ai.
Por përtej situatës aktuale, sa i përket hapësirës se ku do të vazhdojnë punën, edhe e ardhmja është e mjegullt për BKK-në. Është në proces një improvizim i radhës: rregullimi i një tjetër hapësire brenda Pallatit të Rinisë ku institucioni do të jetë qiraxhi. Në projektin që po zbatohet për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk parashihet që aty të rikthehet Baleti. Qëllimi është që MKRS-ja ta dërgojë këtë institucion në atë që pritet të jetë Teatri i Operës dhe Baletit, prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit, e që është ende larg tash e sa vjet. Në fund të këtij viti shënohet 16-vjetori i gurit themeltar për teatrin e operës dhe baletit “Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik dhe mbi një milion eurove të shkuara huq pa llogaritur ato të konkurseve e jurive. Në shkurtin e sivjetmë, në kulmin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet qendrore, Ministria e Kulturës ka prezantuar projektin e përzgjedhur ideor, atë të arkitektit danez me nam botëror Bjarke Ingels. Kostoja e tij veç në projektim është 2 milionë e 450 mijë euro. Teatri do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1.200 ulëse, ndërsa në spektrin urban krijon një faqe të re të qendrës së qytetit. Pritet që me kosto ndërtimi prej 50 milionë eurosh të zërë vend prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Kemi provuar të krijojmë le të themi fabrikën më racionale dhe efiçiente të interpretimeve. Pastaj për të qenë atraktive për publikun e kemi lënë ndërtesën të hapur nga të gjitha anët që të jetë ftuese. Zgjedhja arkitekturore bazohet në xhubletën. Në njërën anë është ndërtesë racionale e krijimit të interpretimeve e në tjetrën një ndërtesë që fton qytetarët të hyjnë brenda”, kishte thënë arkitekti Ingels në prezantim. Projekti duket madhështor. Njëkohësisht shumë me vështirësi i zbatueshëm në rrethanat e Kosovës, duke pasur parasysh tentimet për të pasur ndërtesa reprezentative publike.