E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur. Spikati si balerinë aq shumë sa iu lejua të studionte balet, duke fituar një vend në Konservatorin prestigjioz të Parisit. Paralelisht, ajo punoi si modele dhe më pas iu ofruan role filmike për t’u bërë yll ndërkombëtar. Bardot u bë e famshme ndërkombëtarisht në vitin 1956 me “Dhe Zoti krijoi gruan”, me skenar dhe regji nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim. Në fillim të viteve ‘70, megjithatë, ajo shpalli tërheqjen nga aktrimi dhe u bë një aktiviste e zëshme për të drejtat e kafshëve, duke u angazhuar gjithnjë e më shumë politikisht në të djathtën ekstreme
Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u shndërrua në seks-simbol ndërkombëtar përpara se t’i kthente shpinën industrisë së filmit dhe të përqafojë kauzën e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve dhe politikën e ekstremit të djathtë, vdiq në moshën 91-vjeçare.
Mes atyre që i bënë homazhe nëpërmjet deklaratave të dielën ishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili shkroi në rrjetet sociale se Franca po vajtonte “një legjendë të shekullit”.
“Filmat e saj, zëri i saj, shkëlqimi i saj verbues… dhimbjet e saj, pasioni i saj bujar për kafshët, fytyra e saj që u bë Marianne – Brigitte Bardot mishëroi një jetë lirie”, ka shkruar Macron.
Vdekja e Bardot në shtëpinë e saj në Saint-Tropez, në Rivierën Franceze, u lajmërua nga fondacioni i saj.
“Fondacioni Brigitte Bardot njofton me trishtim të thellë ndarjen nga jeta të themelueses dhe presidentes, zonjës Brigitte Bardot, aktore dhe këngëtare e njohur botërisht, e cila zgjodhi të braktisë karrierën e saj prestigjioze për t’ia kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe fondacionit të saj”, shkruhet në deklaratë.
Shkaku i vdekjes nuk u bë publik. Bardot ishte shtruar për pak kohë në spital në tetor për atë që zyra e saj e kishte quajtur një ndërhyrje “të vogël”.
Ajo kishte deklaruar se dëshironte të shmangte praninë e “një turme idiotësh” në funeralin e saj dhe se donte që mbi varrin e saj, në kopshtin e shtëpisë, të vendosej një kryq i thjeshtë prej druri – i njëjtë me atë të kafshëve të saj.
Komuna e Saint-Tropez, ku Bardot kishte kaluar pushime si fëmijë dhe ku më vonë xhiroi filmin “Dhe Zoti krijoi gruan”, deklaroi se aktorja kishte “ndihmuar që Saint-Tropez të shkëlqejë në mbarë botën”.
Qyteti e përshkroi Bardot si “ambasadoren e tij më rrezatuese” dhe pjesë të “kujtesës kolektive të Saint-Tropez, të cilën duhet ta ruajmë”.
Bardot u bë e famshme ndërkombëtarisht në vitin 1956 me “Dhe Zoti krijoi gruan”, me skenar dhe regji nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim. Në fillim të viteve ‘70, megjithatë, ajo shpalli tërheqjen nga aktrimi dhe u bë një aktiviste e zëshme për të drejtat e kafshëve, duke u angazhuar gjithnjë e më shumë politikisht në të djathtën ekstreme.
Jordan Bardella, presidenti i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN) të Marine Le Penit, të cilën Bardot e mbështeste, shkroi: “Brigitte Bardot ishte një grua me zemër, bindje dhe karakter. Një patriote e zjarrtë, e përkushtuar ndaj kafshëve që i mbrojti gjatë gjithë jetës së saj, ajo mishëroi një epokë të tërë franceze, por mbi të gjitha një ide të caktuar guximi dhe lirie.”
Marine Le Pen, të cilën Bardot dikur e kishte përshkruar si “Zhan d’Arkun e shekullit XXI”, shkroi në rrjetet sociale se Bardot ishte “e jashtëzakonshme për talentin, guximin, sinqeritetin dhe bukurinë e saj”. “Ajo ishte thellësisht franceze”, deklaroi ajo. “E lirë, e papërkulshme, e plotë. Do të mungojë jashtëzakonisht shumë”.
Roli i Bardot në panteonin kulturor të së djathtës ekstreme ishte i tillë sa homazhe me deklarata iu bënë edhe nga qeveria italiane, ku zëvendëskryeministri Matteo Salvini e quajti atë “një yll të përjetshëm, por mbi të gjitha një grua të lirë, jokonformiste, protagoniste e betejave të guximshme në mbrojtje të traditave tona”.
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tha: “Brigitte Bardot nuk ishte vetëm një nga protagonistet e mëdha të kinemasë botërore, por edhe një interpretuese e jashtëzakonshme e lirive themelore perëndimore”. Ai shtoi se ajo “mbrojti me vendosmëri vizionin e saj për vlerat kulturore dhe shoqërore dhe angazhimin qytetar”.
Komentet ndezëse të Bardot për pakicat etnike, emigracionin, islamin dhe homoseksualitetin çuan në një sërë dënimesh për nxitje të urrejtjes racore. Gjykatat franceze e gjobitën atë gjashtë herë midis viteve 1997 dhe 2008 për deklaratat e saj, veçanërisht ato që kishin në shënjestër komunitetin mysliman në Francë. Në një rast, një gjykatë në Paris e gjobiti me 15 mijë euro për përshkrimin e myslimanëve si “kjo popullatë që po na shkatërron, po e shkatërron vendin tonë duke imponuar veprimet e saj”.
E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur, tradicionale katolike, por spikati si balerinë aq shumë sa iu lejua të studionte balet, duke fituar një vend në Konservatorin prestigjioz të Parisit. Paralelisht, ajo punoi si modele, duke u shfaqur në kopertinën e revistës “Elle” në vitin 1950, kur ishte ende vetëm 15-vjeçare. Si rezultat i punës së saj si modele, iu ofruan role filmike. Në një audicion ajo njohu Vadimin, me të cilin u martua në vitin 1952, pasi mbushi 18 vjeç.
Bardot u angazhua fillimisht në role të vogla, gjithnjë e më të spikatura, duke luajtur në “Doctor at Sea” duke pasur sukses të madh në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1955.
Por ishte “Dhe Zoti krijoi gruan” e Vadim, ku Bardot luante një adoleshente të shpenguar në Saint-Tropez, që konsolidoi imazhin e saj dhe e shndërroi në një ikonë ndërkombëtare. Filmi ishte një sukses i jashtëzakonshëm në Francë dhe jashtë saj, duke e katapultuar Bardot në radhët e para të aktoreve franceze të ekranit.
Përveç publikut të kinemasë, Bardot u bë shpejt burim frymëzimi për intelektualë dhe artistë, ndër ta edhe John Lennon dhe Paul McCartney, të cilët u kërkuan të dashurave të tyre të asaj kohe të ngjyrosin flokët për t’u bërë bionde, në imitim të saj. Publicisti Raymond Cartier shkroi një artikull të gjatë mbi “rastin Bardot” në “Paris-Match” në vitin 1958, ndërsa Simone de Beauvoir botoi esenë e saj të famshme “Brigitte Bardot dhe sindroma Lolita” në vitin 1959, duke e paraqitur aktoren si gruan më të çliruar të Francës. Në vitin 1969, Bardot u zgjodh si modeli i parë real për “Marianne”, simbolin e Republikës Franceze.

Në fillim të viteve 1960, Bardot u shfaq në një sërë filmash të rëndësishëm francezë, përfshirë dramën “E vërteta” të Henri-Georges Clouzot, të nominuar për “Oskar”, “Very Private Affair” të Louis Malle (përkrah Marcello Mastroianni) dhe “Contempt” të Jean-Luc Godard. Në gjysmën e dytë të dekadës, ajo pranoi disa oferta nga Hollywood, përfshirë “Viva Maria!”, një komedi historike e vendosur në Meksikë me Jeanne Moreau, dhe “Shalako”.
Bardot kishte gjithashtu një karrierë paralele muzikore, e cila përfshinte regjistrimin e versionit origjinal të këngës së Serge Gainsbourg “Je t’aime… moi non plus”, të cilën ai e kishte shkruar për të gjatë lidhjes së tyre jashtëmartesore. E frikësuar nga skandali pasi bashkëshorti i saj i atëhershëm, Gunter Sachs, e mori vesh, Bardot i kërkoi Gainsbourg të mos e publikonte këngën. Ai më pas e regjistroi sërish me Jane Birkin, duke arritur sukses të jashtëzakonshëm komercial.
Bardot e përjetoi gjithnjë e më shumë presionin e famës si të bezdisshëm, duke i thënë “The Guardian” në vitin 1996: “Çmenduria që më rrethonte gjithmonë më dukej joreale. Nuk isha kurrë vërtet e përgatitur për jetën e një ylli”. Ajo u tërhoq nga aktrimi në vitin 1973, në moshën 39-vjeçare, pas realizimit të romancës historike “Historia ndriçuese dhe e gëzueshme e Colinot”. Fokusi i saj kryesor u bë aktivizmi për mirëqenien e kafshëve, duke marrë pjesë në protesta kundër gjuetisë së fokave në vitin 1977 dhe duke themeluar Fondacionin “Brigitte Bardot” në vitin 1986.
Më pas, Bardot u dërgoi letra proteste udhëheqësve botërorë për çështje të tilla si asgjësimi i qenve në Rumani, vrasja e delfinëve në Ishujt Faroe dhe therja e maceve në Australi. Ajo shprehu gjithashtu rregullisht pikëpamje të forta kundër therjes fetare të kafshëve. Në librin e saj të vitit 2003, “Një britmë në heshtje”, ajo mbështeti politikën e djathtë dhe sulmoi burrat homoseksualë dhe gratë lesbike, mësuesit dhe të ashtuquajturin “islamizim të shoqërisë franceze”, gjë që çoi në një dënim për nxitje të urrejtjes racore.
Bardot u martua katër herë: me Vadim nga viti 1952 deri në 1957, me Jacques Charrier nga viti 1959 deri në 1962, me të cilin kanë një djalë, Nicolas, në vitin 1960, me Sachs nga viti 1966 deri në 1969 dhe me ish-këshilltarin e Le Pen, Bernard d’Ormale, me të cilin u martua në vitin 1992. Ajo pati gjithashtu disa lidhje shumë të përfolura, përfshirë ato me Jean-Louis Trintignant dhe Serge Gainsbourg.