Në kuadër të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit kombëtar, muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka ekspozuar një eksponat të veçantë. Është harta e vitit 1455 e hartografit zyrtar të Papa Nikollës V, Bartolomeo Pareto. Konsiderohet si një dokument i rrallë me rëndësi historike dhe evropiane.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka ndarë në rrjete sociale pamje nga ky dokument i rrallë, teksa e ka cilësuar atë si “një dëshmi unike të historisë evropiane dhe shqiptare”.
“Në këtë dokument të rrallë kartografik, me impakt në gjithë oborret e Evropës dhe Azisë, emri ‘Scandre Beco’ – Skanderbeg – shfaqet si referencë gjeografike në zemër të një Ballkani të trazuar nga trysnia osmane në rritje. Ky është një rast i jashtëzakonshëm që dëshmon jehonën e figurës së Skënderbeut për së gjalli dhe rolin e tij vendimtar si mburojë e Evropës së popujve në shekullin XV”, ka shkruar ministri Gonxhja.
Sipas tij, ky dokument përbën një burim të pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe studimin e historisë së kontinentit në kapërcim të mesjetës me Kohën e Re. Hartat si kjo shërbejnë si dëshmi e rëndësishme e njohjes së Shqipërisë dhe figurës së Skënderbeut në qarqet ndërkombëtare të kohës.
Ekspozimi i hartës synon të ofrojë për vizitorët një përvojë të pasur edukative dhe historike, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë kombëtare dhe rolit të Skënderbeut si simbol i rezistencës dhe identitetit shqiptar.
Ministri Gonxhja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të shfrytëzojnë mundësinë për të parë nga afër këtë dokument unik, duke vlerësuar jo vetëm rëndësinë historike, por edhe vlerën kulturore dhe shkencore të tij.
Kjo hartë ishte sjellë në Shqipëri edhe në vitin 2018, në mbyllje të jubileut për vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, në 550-vjetorin e ndarjes nga jeta. Harta e siguruar nga Biblioteka Qendrore e Romës qe sjellë në Shqipëri nga Alberto Cutillo, ambasadori i Italisë atë kohë dhe ishte ekspozuar për dy javë në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë.
Harta e cila daton që më 1455 dhe që ishte e zhdukur për dy shekuj e gjysmë. Ishte gjetur në një depo dhe për territorin shqiptar ka përdorur toponimin “Scandrebeco”.