Kulturë

“Fluturimi...” i sabotuar në Ferizaj mbyll ciklin e parë të reprizave në Greqi, niset për Hong-Kong

Rrëfimit të komedisë politike për lindjen e shtetit të Kosovës i kanë dhënë shpirt aktorët grekë: Ada Giannoukaki, Kyriakos Kosmidis, Chrysovalantis Kostopoulos, Apostolos Malebitzis, Philippia Petrou

Rrëfimit të komedisë politike për lindjen e shtetit të Kosovës i kanë dhënë shpirt aktorët grekë: Ada Giannoukaki, Kyriakos Kosmidis, Chrysovalantis Kostopoulos, Apostolos Malebitzis, Philippia Petrou

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj, u rrezikua nga censura në Ferizaj përderisa në Greqi rrëfimi i kësaj drame ka lulëzuar dhe ka ngjallur reagime të shumta në publik. Pos premierës, shfaqja e inskenuar, nën regji të Enke Fezollarit, kishte edhe 14 repriza. Rrugëtimin për këtë sezon e ka mbyllur të hënën mbrëma dhe nga shtatori janë planifikuar edhe 12 repriza. Lexim skenik do t’i bëhet edhe në Hong-Kong

Derisa në Ferizaj pati tentativa që shfaqja “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj, të censurohet e sabotohet, në Greqi rrëfimi i saj ka lulëzuar dhe ka ngjallur reagime të shumta në publik. Pos premierës, shfaqja e inskenuar nën regji të Enke Fezollarit kishte edhe 14 repriza. Rrugëtimin për këtë sezon e ka mbyllur të hënën mbrëma dhe nga shtatori janë planifikuar edhe 12 repriza. 

“Fluturimi...” në teatrin “Nous” në Athinë të Greqisë është dhënë premierë më 3 maj, përkthyer nga Eleana Ziakou. Shfaqja është vënë me tekst origjinal të shfaqjes premierë botërore në Prishtinë në vitin 2012, por nën titullin “Fluturimi / Kosovë”. 

Autori i shfaqjes, Jeton Neziraj, e ka ironizuar situatën me tentativat për ndalimin e shfaqjes në Ferizaj, derisa Greqia, që ende s’e njeh Kosovën si shtet, i bën vend shfaqjes për, jo një, por gati 30 shfaqje brenda vitit. Ka qenë në një prej reprizave të shfaqjes. 

“Më bëri shumë përshtypje mënyra se si ishte vënë në skenë. Leximi e teksti janë origjinale dhe dinamika skenike. Më bëri përshtypje energjia në skenë dhe reagimi i publikut, e pata përshtypjen që u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku”, ka thënë Neziraj për KOHËN. 

Në Greqi është vepra e dytë e tij që inskenohet. Më parë ka qenë drama “Ndërkombëtarët”, ndërsa në përgjithësi në gjuhën greke, në Qipro, janë përkthyer katër drama, prej të cilave edhe “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”. E kjo shfaqje po përgatitet për lexim skenik edhe në Hong-Kong, siç ka bërë të ditur Neziraj të hënën. 

Regjisori i shfaqjes “Fluturimi...” të inskenuar në Greqi, Enke Fezollari, ka thënë se është vepër shumë emocionuese jo vetëm për nga historia, por edhe për faktin se publiku grek njihet me historinë e Kosovës. 

“Është shumë emocionuese, sepse në këtë vepër ngrihet flamuri i Kosovës, publiku vjen në kontakt me historinë kosovare. Përveç dramaturgjisë, ka video në shfaqje që tregojnë masakrat dhe gjenocidi që është bërë në Kosovë. Domethënë është një komedi dhe satirë, por në fund të shfaqjes publiku sheh videot me varrezat, dëshmorët, është shumë emocionuese. I tregon publikut që Kosova është një vend kaq i vogël, por me një histori kaq të madhe. Për mua është emocionuese, sepse luajnë aktorët grekë”, i ka thënë ai KOHËS. 

Me veprën qe njohur fillimisht në shfaqjen që e pati në Kumanovë dy vjet më parë. Ka treguar se janë në bisedime me teatro të qyteteve të Shqipërisë e Kosovës për ta sjellë këtë shfaqje. Këmbëngul se në Prishtinë do të shfaqet se s’bën. 

“Do të sillet patjetër. Është një shfaqje shumë e bukur, emocionuese dhe ka shumë gaz. Kemi bërë 14 repriza dhe sot është data e fundit. Do të rikthehet në skenën greke në shtator sërish me 12 shfaqje, që është gjë shumë e mirë për ne”, është shprehur regjisori Fezollari. 

Ka thënë se nuk është thjesht komedi e zezë, por është shumë më e thellë. Sipas tij, ka ndihmuar që publiku të njihet me një pjesë të historisë së vendit. 

“Kjo shfaqje ka ndihmuar jashtë mase. Ka ndihmuar sepse njerëzit na thonë ‘dua të shkoj në shtëpi të kërkoj çfarë ka ndodhur në Kosovë’. Kjo është duartrokitja më e madhe për mua së pari. E dyta, njerëzit shikojnë një histori të lëvizur, por në fund publiku qan dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në fund është një video që tregojmë luftën dhe gjithë masakrat që ndodhin e publiku shokohet. Sepse qesh, qesh, qesh, mendon”, ka shpjeguar regjisori Fezollari. 

“Fluturimi...”, siç ishte parë në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2012 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së Kosovës shtet që po orvatet të krijojë një shfaqje. Por shfaqja e parë e shtetit më të ri dështon, njësoj sikur edhe fjalimi i kryeministrit. Është një satirë politike. 

E prej kësaj skene shfaqja me titull “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” ka udhëtuar në shumë vende jashtë kufirit. Nxiti reagime jo të vogla brenda e jashtë vendit. Shfaqja qe nën regji të Blerta Nezirajt me lojën e aktorëve: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu. 

Në përshkrimin e asaj shfaqjeje shkruhej se është “një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes…”. 

Regjisori i shfaqjes, Enke Fezollari, e ka konsideruar shfaqjen si kontribut të diplomacisë kulturore derisa është shprehur se arti është edhe edukim për publikun. 

“Arti duhet të thyejë barrierat e kufijtë. Është shumë e rëndësishme që duhet t’i tregojmë publikut që Ballkani ka gjak, ka dhimbje, por ka edhe dashuri, art e kulturë dhe ne jemi për t’u bashkuar, për të vallëzuar bashkë dhe për të parë historinë në një tjetër dimension”, është shprehur Fezollari. 
Rrëfimit të komedisë politike për lindjen e shtetit të Kosovës i kanë dhënë shpirt aktorët grekë: Ada Giannoukaki, Kyriakos Kosmidis, Chrysovalantis Kostopoulos, Apostolos Malebitzis, Philippia Petrou. Por, sipas Fezollarit, është shumë me rëndësi që regjisori dhe dramaturgu janë shqiptarë. Sepse, sipas tij, “këtë nuk do të mund ta bënte një grek sado të ishte i mirë”. 

E shfaqja “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është në përgatitje edhe nga teatri “Adriana” në Ferizaj, nën regji të Agon Myftarit. Tentim për censurë që kulmoi me sabotim nga autoritetet komunale në Ferizaj janë midis prapaskenave. Por, Teatri ka kumtuar se nuk zmbrapset. Shfaqja do të jepet më 14 qershor. Me gjithë sabotimin nga Komuna e Ferizajt, teatri ka bërë kompromis që shfaqja të mos jepet më 12 qershor në Ditën e Çlirimit të Ferizajt, por dy ditë më pas.