Kulturë

Gjetjet arkeologjike te Xhamia e Çarshisë –  struktura të periudhës osmane

Agim Ramadani

Shpimi nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” i cili është ndaluar të hënën e kaluar shkaku i mospajisjes me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, ka nxjerrë në pah shtresa që shpërfaqin një pjesë të historisë së moçme të kryeqytetit dhe i takojnë periudhës së vonë osmane

Në gropën e hapur afër Xhamisë së Çarshisë –  me shpimet nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” që janë ndërprerë në mungesë të lejes nga organet e trashëgimisë kulturore – është ekspozuar një strukturë muri, i ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror me dimensione të dokumentuara prej rreth 90 centimetra gjerësi dhe 1 metër e 80 centimetra lartësi. “Muri në fjalë shtrihet në drejtim veri-jug por duhet theksuar se ky orientim nuk përkon me orientimin e vetë objektit të Xhamisë, duke sugjeruar që mund t’i përkasë një ndërtesë të mëvonshme dhe të pavarur nga struktura e Xhamisë”, shkruhet në raportin e hartuar nga arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës

Mbetje të strukturave të ndërtesave të periudhës së vonë osmane, është konstatimi preliminar i gjetjeve arkeologjike midis Xhamisë së Çarshisë dhe ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Shpimi nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” i cili është ndaluar të hënën e kaluar shkaku i mospajisjes me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, ka nxjerrë në pah shtresa që shpërfaqin një pjesë të historisë së moçme të kryeqytetit. Arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës nëpërmjet një raporti fillestar për gjetjet e rastësishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për struktura të ndërtesave.

Punimet e nisura nga një kontraktor i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) janë bërë me leje të Komunës së Prishtinës dhe pa miratim të institucioneve të trashëgimisë kulturore megjithëse hapësira është e listuar në kuadër të Qendrës Historike të Prishtinës dhe Xhamia e Çarshisë është në Listën e monumenteve nën mbrojte të përhershme. Shpimi ka rezultuar me struktura arkitektonike arkeologjike. Kjo mund të vërehet lehtë nga gropat e hapura në të dyja anët e rrugës.

Segmenti i murit i dëmtuar si pasojë e punimeve ndërtimore

Ky fakt ka ngritur në këmbë institucionet e trashëgimisë kulturore. Instituti Arkeologjik i Kosovës në raportin e bërë për këtë rast, ka zbërthyer se në gropën e hapur afër Xhamisë, është ekspozuar një strukturë muri, i ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror me dimensione të dokumentuara prej rreth 90 centimetra gjerësi dhe 1 metër e 80 centimetra lartësi.

“Muri në fjalë shtrihet në drejtim veri-jug por duhet theksuar se ky orientim nuk përkon me orientimin e vetë objektit të Xhamisë, duke sugjeruar që mund t’i përkasë një ndërtesë të mëvonshme dhe të pavarur nga struktura e Xhamisë”, shkruhet në raportin e hartuar nga arkeologët Premtim Alaj dhe Elvis Shala. Në këtë dokument, bëhet e ditur e segmenti i murit është dëmtuar në gjatësi rreth 3 metra si pasojë e punimeve ndërtimore. Kjo sipas dy arkeologëve përbën një humbje të konsiderueshme të materialit arkeologjik dhe të kontekstit stratigrafik përkatës.

Segmenti i murit është dëmtuar në gjatësi rreth 3 metra si pasojë e punimeve ndërtimore. Kjo sipas arkeologëve përbën humbje të konsiderueshme të materialit arkeologjik

“Në vendin e ndërhyrjes u vunë re edhe gjurmë të ndërhyrjeve të tjera moderne nga betoni, si dhe elemente infrastrukturore moderne, përfshirë gypa, të cilët tregojnë për ndërhyrje të mëhershme që kanë ndikuar në integritetin e shtresave arkeologjike”, shkruhet në raport.

Aty jepen të dhëna se orientimi i murit të zbuluar në drejtim të rrugës “Zenel Salihu” dhe pozita e tij gjeografike ngrenë dyshime se struktura mund të ketë vazhdimësi drejt pjesëve të tjera të zonës së Xhamisë dhe potencialisht është dëmtuar në pjesë të tjera që nuk janë dokumentuar ende.

Ndërhyrjet e mëhershme – histori transformimesh urbane

Sa i përket gropës së hapur në anën tjetër të rrugës, në pjesën afër Kuvendit të Kosovës, bëhet fjalë për shpim në afërsi të lokalitetit “Mbetje të Hamamit të Vjetër”, aset nën mbrojtje si trashëgimi arkeologjike.

“Në këtë zonë janë vërejtur mbetje arkeologjike të përbëra nga fragmente tjegullash, tulla të formave të ndryshme dhe fragmente të qeramikës me glazurë. Bazuar në karakteristikat tipologjike të tyre, këto fragmente mund t’i atribuohen periudhës së vonë osmane”, shkruhet në raport. Dyshja e arkeologëve ka vlerësuar se në të dyja lokacionet është vërejtur prania e ndërhyrjeve të mëhershme ndërtimore që sugjerojnë një histori të gjatë transformimesh urbane në këtë areal. Është vërejtur se në veçanti në gropën afër Xhamisë është identifikuar një strukturë masive betoni dhe disa rrjeta infrastrukturore moderne.

Arkeologët kanë rekomanduar pezullim të menjëhershëm të punimeve në zonat e prekura deri në përfundimin e vlerësimeve arkeologjike.

“Dokumentimi fotografik, grafik dhe kontestual i të gjitha strukturave dhe materialeve të zbuluara”, shkruhet në raport.

Sa i përket gropës së hapur në anën tjetër të rrugës, në pjesën afër Kuvendit të Kosovës, bëhet fjalë për shpim në afërsi të lokalitetit “Mbetje të Hamamit të Vjetër”, aset nën mbrojtje si trashëgimi arkeologjike.“Në këtë zonë janë vërejtur mbetje arkeologjike të përbëra nga fragmente tjegullash, tulla të formave të ndryshme dhe fragmente të qeramikës me glazurë”

Shpimi pa leje të institucioneve të trashëgimisë

Punimet në atë pjesë janë zhvilluar të dielën e javës së kaluar dhe paraditen e së hënës së kësaj jave. Qendra Historike e Prishtinës prej vitit 2020 është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, përderisa Xhamia e Çarshisë prej vitit 2023 është nën mbrojtje të përhershme. Inspektorët e trashëgimisë kulturore janë njoftuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës “për gjetjen e strukturave arkitekturore, arkeologjike në afërsi të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë”.

“Ndalohen punimet. Punëkryesi obligohet t’i largojë makineritë me kujdes në mënyrë që të mos dëmtohen strukturat e gjetura. Punimet nuk mund të zhvillohen deri në vlerësim të Institutit Arkeologjik të Kosovës”, është masa që kishte shqiptuar Inspektorati para një jave.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrje të tilla duhet marrë leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në pikën e 9-të të nenit 6 të këtij Ligji. Dispozitat ligjore sqarojnë edhe detyrimet që kanë palët të cilat gjatë punës hasin në struktura arkeologjike.

“Gjatë punëve ndërtuese, nëse bëhet ndonjë zbulim arkeologjik zbuluesi ose investitori duhet ta informojë institucionin kompetent menjëherë, por jo më vonë sesa në ditën pasuese nga koha e zbulimit. Institucioni kompetent ka tё drejtë që menjëherë të ndalë punët ndërtimore të filluara dhe tё ndërmarrë një studim vlerësues dhe shpëtues arkeologjik në vend për një kohë të kufizuar që duhet të përcaktohet nga një akt nënligjor të bazuar në këtë ligj. Punët krijuese (ndërtuese) mund të rifillojnë vetëm pas lejes me shkrim nga institucioni kompetent”, shkruhet në pikën e 6-të të nenit 7 të këtij Ligji. Pala në këtë rast nuk ka vepruar kësisoj.

Në dhjetor të vitit 2023, Drejtoria e Investimeve kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave e Komunës së Prishtinës i ka dhënë leje KEDS-it për implementimin e disa projekteve në kryeqytet. Midis tyre edhe shpimi te rruga “Agim Ramadani”. Në vendimin e Komunës ceken edhe kushtet që duhet t’u përmbahet KEDS-i, por askund nuk shkruhet se duhet edhe leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Komuna e Prishtinës për intervenim në të njëjtën rrugë, saktësisht për projektin “Nënkalimi në rrugën ‘Agim Ramadani’” kishte kërkuar leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Por Komuna e Prishtinës nuk i njeh kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Janë dashur një javë kohë e intervenim i Policisë së Kosovës që Komuna t’i ndalë punimet në rrugën “Qamil Hoxha”, pasi e njëjta është në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e po ashtu ka afër monumentin “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”.

Punimet në këtë rrugë, që lidh bulevardin qendror të kryeqytetit dhe rrugën “Agim Ramadani”, kishin nisur pa leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ligji për trashëgimi kulturore e obligon secilën palë që të pajiset me leje për intervenime në zona të tilla.

Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë dhënë sqarime në Policinë e Kosovës sa u përket masave të ndalimit që ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke ndalur punimet e Komunës së Prishtinës. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA, bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill.

Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë euroshe. Vjet në vjeshtë Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro. Tash punimet vazhdojnë shkarazi matanë hekurudhës përderisa në “Xhorxh Bush” ka ditë që makineritë nuk janë ndezur në atë pjesë e cila nuk e prek zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.