Kulturë

Historia e pasur e dy kryeqyteteve evropiane të kulturës për vitin 2025

Chemnitz në vitin 1090

Chemnitz në vitin 1090

Chemnitz në Gjermani sivjet është kryeqytet evropian i kulturës. Statusi i ri rikthen edhe historinë e tij. Dikur quhej “Karl Marx”, ende busti i tij është atraksion, ani pse nuk ka kurrfarë lidhjeje me qytetin. Kryeqytet i kulturës është edhe qyteti i ndarë i Evropës: nga njëra anë Nova Gorica në Slloveni dhe Gorizia në Itali

(Deutsche Welle) –  Një nga bustet më të mëdha të botës dhe simboli më i njohur i qytetit gjerman Chemnitz është ai i Karl Marxit. Një portret gjigand i filozofit dhe teoricienit të sociologjisë dekoron qendrën e qytetit prej vitit 1971. Asokohe, fillimisht ishte propozuar një skulpturë njëmbëdhjetë metra e lartë, por ideja menjëherë u hodh poshtë. “Karl Marxit nuk i duhen këmbë e duar, por vetëm koka e tij tregon gjithçka”, ishte shprehur skulptori sovjetik, Lev Kerbelz, i cili derdhi në 40 tonë bronz kokën e filozofit. Kësisoj, banorët e Chemnitzit e quajtën vendin e monumentit me portretin gjigant të Marxit, “vendi i kafkës”.

Lidhja e Marxit me Chemnitzin

Personalisht ai nuk ka të bëjë shumë me këtë qytet. Marxi u lind në Trier dhe vdiq në Londër. Pra ai ka qenë mjaft në perëndim të Chemnitzit. Për regjimin e partisë komuniste SED lidhja gjeografike e mendimtarit me qytetin nuk kishte rëndësi, kur ata vendosën që Chemnitzin Karl-Marx. Këtë vendim asokohe Otto Grotewohl, kryeministër i Republikës Demokratike të Gjermanisë e argumentoi me traditën e fuqishme të lëvizjes punëtore. Në sytë e regjimit të atëhershëm, qyteti ishte model shembullor i socializmit.

Në fakt Chemnitzi në lindje të Gjermanisë në kufi me Çekinë, një qytet kryesues në fushën e industrisë dhe qytet punëtorësh, që përpara krijimit të RDGJ-së. Degë të industrisë së tekstileve, prodhimit të makinerive, hekurudhave dhe industrisë së automobilave ishin vendosur këtu që në shekujt e XVIII dhe XIX. Minierat në zonat e pasura xeherore e shndërruan këtë zonë në një epiqendër të ekonomisë. Madje në gjuhën popullore Chemnitzi quhej edhe si “Manchesteri sakson”, sipas metropolit anglez të industrisë.

Busti i Karl Marxit në Chemnitz

Ndryshimi i emrit

Me rënien e regjimeve komuniste në Lindje të Evropës qyteti Karl Marx përjetoi jo vetëm një kthesë strukturore, por edhe ndryshimin e emrit. 76 për qind e banorëve pas kthesës votuan për vendosjen e emrit fillestar. Fjala Kemnic vjen nga gjuha e minoritetit të serbëve që do të thotë “gurë”, e kjo ka të bëjë me rajonin e guroreve përreth qytetit.

Ndryshe nga Leipzigu, Dresdeni dhe Berlini Lindor, Chemnitz pas kthesës ka mbetur disi në hije. Më 2018, megjithatë, qyteti u bë kryefjalë në kryeartikujt e mediave, pas vrasjes së dhunshme të një gjermano-kubanezi, rast që shkaktoi valë protestash kundër racizmit dhe dhunës nga njëra anë dhe marshimeve ksenofobe të lëvizjes “Pegida” dhe nismave të tjera qytetare të ekstremit të djathtë.

Historia e qytetit karakterizohet nga shumë ulje-ngjitje shoqërore dhe politike – e pikërisht kjo e bën këtë qytet tërheqës, që ia vlen ta vizitosh e përjetosh.

Në vitin 2025 Chemnitzi në landin e Saksonisë dhe komunat rreth tij, zonat xeherore dhe Zwickau, është përzgjedhur si kryeqytet i kulturës evropiane për vitin 2025. Programi përmban disa pika kulmore, ndër to me tema të tilla si “mentaliteti evropiano-lindor”, “fqinjësi, respekt, tolerancë” dhe “demokraci, pjesëmarrje, solidaritet shoqëror”.

Gorizia në Itali dhe Nova Gorica në Slloveni

Një tjetër projekt interesant është ai i 3.000 garazheve. Në kohën e RDGJ-së kudo në qytet u ndërtuan garazhe. Ato shërbenin si vende për parkimin e makinave, por edhe si mjedise për kontakte sociale ose tërheqje në sferën private. Historitë e pronarëve të veçantë të garazheve, që ndër të tjera, mund të shihen në ekspozitën me portrete “#3000Garagen”, rrëfejnë për jetën në qytetin dikur, Karl Marx dhe ndryshimet pas vitit 1989.

Nova Gorica, Gorizia dhe Görz – tre emra për një vend

Është një risi në traditën e gjatë të kryeqyteteve të kulturës evropiane: dy qytete paraqiten bashkërisht si kryeqytete të kulturës evropiane, por megjithatë secili qytet organizon programin e vet. Pas kësaj qëndron historia e qytetit të fundit të ndarë në Evropë: nga njëra anë Nova Gorica në Slloveni dhe Gorizia në Itali.

Kjo zonë e themeluar 1.000 vjet më parë ka qenë atdheu i kontit von Görz, një dinasti, që ishte një ndër portat fisnike më të rëndësishme në hapësirën jugore të Alpeve. Më vonë, qyteti u bë pjesë e perandorisë së Habsburgëve, që e quante atë ende Görz. Ishte një qytet ku pulsonte jeta dhe mjaft kozmopolit –  në rrugët e tij flitej sllovenisht, italisht dhe gjermanisht. Pas Luftës së Parë Botërore dhe me rënien e monarkisë së Habsburgëve, Görz u bë italian dhe mori emrin e ri Gorizia. Popullsia sllovene u asimilua, larmia kulturore i përkiste së kaluarës.

Pas Luftës së Dytë Botërore hartat u përzien nga e para. Fuqitë fituese vendosën kufij të rinj mes për mes qytetit. Pjesa më e madhe e qytetit mbeti italiane, por Josip Broz Tito, kreu i Jugosllavisë ku bënte pjesë edhe Sllovenia asokohe, e pretendoi një pjesë të territorit të qytetit dhe krijoi në hapësirën e gjelbër aty pranë qytetin e ri, Nova Gorica. Ishte një qytet i planifikuar nga fillimi modern dhe funksional.

Kështu u vulos kufiri mes Nova Goricës sllovene dhe Gorizias, gjë që bëri të ndahen familjet, të ndahet toka dhe nga të dyja anët të krijohej mosbesimi. Lufta e Ftohtë Lindje-Perëndim në këtë qytet të vogël – mes atyre që konsideroheshin fashistë dhe atyre që pretendonin se ishin komunistë.

Pas pavarësisë së Sllovenisë nga Jugosllavia, kufiri për 16 vjet ekzistonte. Më 2004 kur Sllovenia u anëtarësua në BE dhe më 2007 edhe në zonën Shengen, të dy qytetet mund të bashkëpunonin për të zbardhur historinë e përbashkët. E sivjet qyteti i fundit i ndarë i Evropës krenohet me titullin e kryeqytetit të kulturës evropiane duke ofruar një program të pasur ngjarjesh.

Marrë nga “Deutsche Welle”