Kulturë

Hora e Arbëreshëvet në pullën postare të Italisë

pullën postare të Italisë

Me mbi 200 mijë pulla postare që janë lansuar në qarkullim, bota ka mundësi të njihet me elemente të Horës së Arbëreshëve. Pulla postare ka në qendër veshjen tradicionale arbëreshe

Italia emetoi një pullë postare kushtuar komunitetit të arbëreshëve. Posta Italiane ka njoftuar se pulla u emetua nga Ministria e Biznesit dhe Made in Italy. Pulla i përket serisë tematike “vlerat sociale”, i kushtohet komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi dhe ka vlerë tarifore të zonës B 1, e barabartë me 1,35 euro. Tirazhi i saj do të jetë prej 200 mijë e 25 copë, të shtypura nga Istituto Poligrafico e Zecca dello Stato S.p.A.

Vinjeta e pullës postare ka në qendër veshjen tradicionale të gruas së Horës së Arbëreshëvet, një prej simboleve të trashëgimisë kulturore arbëreshe.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka njoftuar se, kjo pullë paraqet një moment të rëndësishëm për ruajtjen e diversitetit kulturor në vendin fqinj dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit arbëresh të Horës.

Hora e Arbëreshëvet është një qytezë arbëresh me 6 mijë e 427 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali. Njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha e komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selia e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëvet. Sipas shënimeve, ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare si gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin. Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan.

“Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio”, shkruhet në burime historiografike.

Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.