Nga Uganda vjen në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” imazhi i gjurmëve të njerëzve parahistorikë nëpërmjet gjuhës së filmit të regjisorit grek Andreas Hadjipateras. Filmi dokumentar “Human fiction” rrëfen jo vetëm të kaluarën e largët, por edhe paralajmërimin për njeriun e së ardhmes. Të dielën, në “DokuKino” në Prizren, ka pasur premierën botërore.
Më shumë se fokusi në gjurmimet e një grupi arkeologësh në Afrikën Lindore për mbetjet e harruara të njerëzve të para mijëra vjetësh, më vetvete janë edhe sfidat e tyre në aktivitetin si punonjës të institucionit shtetëror muzeor të Ugandës.
Filmi njëorësh është i ndarë në 11 fragmente. Skena hapet me arkeologët tek ekzaminojnë gurë të Epokës së Gurit. Synojnë të gjejnë të kaluarën e njerëzimit duke gjurmuar në këta gurë që janë shumë më shumë se aq. Janë histori e testament për njeriun e sotëm dhe dëshmi e revolucionit të kohës së sotme. Në filmin dokumentar regjisori u referohet edhe si gurë të rezistencës e madhështisë së njeriut.
Regjisori grek Andreas Hadjipateras ka treguar se për të punuar këtë projekt ishte frymëzuar nga kurioziteti për të eksploruar më shumë sesa vizitat që i bënte me miqtë e tij arkeologë.
“Po filmoja disa prej projekteve në Ugandë dhe po shkonte shumë mirë. Bëra shokë disa arkeologë, të cilët punonin në Muzeun Kombëtar. Unë shkoja çdo ditë me ta nëpër udhëtimet e tyre, thjesht qejf.
Pastaj po mendoja se si ishin këta njerëz të asaj kohe. Pastaj fillova të merrja pamje dhe sesi do t’i përdorja ato, si një pjesë arkeologjike më vetvete”, është shprehur regjisori para publikut.
Pas premierës absolute në “DokuFest” ka treguar se ka xhiruar për vite të tëra.
“Ne veçse po xhironim dhe nuk e dinim se ku do të shkonte projekti. Nuk kam përfshirë gjithçka, sepse po ta bëja këtë, do të dështoja. Ka pjesë të rrëfimit, por jo krejtësisht”, është shprehur ai pas premierës.
Dokumentari i parë artistik i Andreas Hadjipateras, “The last partisan” u shfaq premierë në Festivalin e Dokumentarëve të Selanikut më 2018. Filmi i tij i shkurtër “Colors & Shadoës” u shfaq premierë në “Hot Docs”.
E filmi i tij i fundit “Human fiction” u xhirua në Afrikën Lindore gjatë disa vjetëve. Aty janë gjurmët e njerëzve, në gurët e gdhendur e të kthyer në vegla rezistence e mbijetese.
Skenat artistike janë ato të njeriut të epokës digjitale si një lloj paraleleje se jo vetëm se shumicës nuk i mungon asgjë dhe nuk diskutohet tashmë se njeriu i ka krejt pajisjet e duhura, por shkon edhe përtej. Investon edhe në argëtim e deri në çmendi. Për atë që flet edhe konstatimi i Festivalit për sivjet – “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”.
Shpella është fragmenti tjetër i gjurmimit. Ka përplot vizatime aty, të gdhendura në gurë. Është dielli si zot i tyre. Në dokumentar vizatimi vlerësohet si art i imagjinatës.
Pamjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale që përcjellin rrëfimin e dokumentarit janë kulmimi i asaj çfarë ka arritur njeriu me mendjen e tij si armën më të fuqishme. Një karakter në film, që maskohet si robot e bën narracionin. Regjisori ka thënë se qëllimisht nuk e ka përdorur IA në këtë rast. Për ta paralajmëruar njeriun e sotëm për të ardhmen e tij.
Në këtë dokumentar, njeriu ecën mbi hapësirën e shtruar me pllaka në shkretëtirën ku bimët mbijnë mbi to. Edhe gurët parahistorikë janë aty. Bashkëjetojnë epokat.
Arkeologët në anën tjetër në zona arkeologjike gjejnë copëza enësh që ishin punuar prej qeramike. Gjetjet vlerësohen si proces i transformimit të njeriut.
“Në rajonin nga i cili ata hodhën hapat e tyre të parë, e tëra që mbetet janë fragmente kujtimesh të ruajtura si arkiv nga të fundit të llojit të tyre. Në një përpjekje të fundit për të ruajtur historinë e tyre, ata lanë pas një rrëfim paralajmërues për specie e ardhshme. ‘Human fiction’ shqyrton njerëzit pas zhdukjes së tyre”, shkruhet në përmbledhjen e shkurtër të filmit.
Njëri prej arkeologëve aty thotë se teknologjia është manipulim i gjithçkaje, se ka shkaktuar shumë probleme dhe se natyra po shpenzohet shpejt. Se edhe ajo tani kushton me para. E gjendja financiare ka reflektuar edhe në profesionin e tyre, sipas regjisorit Hadjipateras.
“Kujtoj që kisha shumë diskutime politike me këta njerëz të cilët ankoheshin sesi nuk kishte mjaftueshëm mjete financiare. Gjithmonë kishte diskutime për hulumtimet e tyre, se sa buxhet mund të ndajnë, gjatë gjithë kohës jemi përballur me këtë”, ka thënë ai.
Alush Gashi, një prej seleksionuesve të filmave në “DokuFest” ka thënë se rrëfimi i filmit i përgjigjet temës së sivjetme të Festivalit.
“Është një film tepër interesant dhe kam rekomanduar të shfaqet për shkak të temës që ndërlidhet me Festivalin, çështjen e memories dhe mënyrën sesi trajtohet revolucioni i njeriut, njerëzimit në përgjithësi. Ka arritur të prekë disa tema parahistorike si gjetja e gurëve qindra mijëra vjeçare që në një mënyrë a tjetër e shpjegojnë mënyrën se si njeriu ka evoluar, ka korresponduar dhe punuar me vendin që e rrethon”, është shprehur ai.
Ka thënë se trajtohet edhe shfrytëzimi total i resurseve njerëzore që, sipas tij, sjell regres shoqëror dhe njerëzit i referohen si përparim teknologjik e njerëzor, sipas tij.
“Një gjë interesant ka qenë edhe mënyra sesi e ka trajtuar tejeksploatimin e resurseve njerëzore të cilat në ditët e sotme janë të tejeksploatuara në krahasim me qindra e mijëra vjet më parë kur një numër i vogël i njerëzve i kanë përdorur resurset njerëzore jo vetëm për punë, por edhe për argëtim, por edhe për shprehjet e tyre, ndërsa sot krejt është materializuar, edhe në kuptim financiar. Aty është edhe çështja e të hollave, se si u referohen arkeologët”, ka thënë Gashi më tej.
Hulumtuesja Ebi Spahiu ka thënë se filmi shpalos të kaluarën dhe të ardhmen e njerëzimit.
“Më pëlqeu sepse gjithmonë e kam menduar arkeologjinë si një lloj imagjinate të njeriut se si e sheh të kaluarën dhe jetën e përditshme të njerëzve, sfidat e tyre, që të jetojmë në një natyrë që është e egër dhe që nuk të fal. Pak a shumë filmi atë trajtonte. Trajtonte mënyrën se si ne ende jemi në kërkim të historive të kaluara dhe këto histori në njëfarë mënyre i japin kuptim edhe asaj që jemi duke jetuar sot, por në të njëjtën mënyrë mund të shohim edhe në të ardhmen dhe në atë që na pret si njerëz”, ka thënë ajo.