Kulturë

Izraeli me masa të larta për mbrojtjen e muzeve në kohë sulmesh

muze

Derisa muzetë përballen me sirenat e alarmit për raketa dhe kërcënimin e vazhdueshëm për shkatërrim, përkushtimi i tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore është mbresëlënës. Por, barra emocionale, kompleksiteti logjistik dhe vendimet delikate që duhet të merren janë po aq pjesë e këtij procesi sa edhe kujdesi fizik ndaj objekteve

 

Në mes të sulmeve kundër Izraelit, muzetë në të gjithë vendin përballen me sfidën e dyfishtë të ruajtjes së disa prej artefakteve më të çmuara të njerëzimit, si dhe sigurimin e stafit dhe të vizitorëve.

Kjo përpjekje është veçanërisht e theksuar në Muzeun e Tokave Biblike dhe Muzeun e Izraelit, ku kuratorët, konservuesit dhe stafi kanë përgjegjësinë madhore për të ruajtur relikte që përfshijnë mijëvjeçarë.

Derisa muzetë përballen me sirenat e alarmit për raketa dhe kërcënimin e vazhdueshëm për shkatërrim, përkushtimi i tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore është mbresëlënës. Por, barra emocionale, kompleksiteti logjistik dhe vendimet delikate që duhet të merren janë po aq pjesë e këtij procesi sa edhe kujdesi fizik ndaj objekteve.

Stafi i muzeve izraelitë përballet me sfidën për të mbrojtur disa nga artefaktet më të rëndësishme të njerëzimit, shumë prej të cilave janë ndër sendet e pakta të mbetura pas shpërnguljes së njerëzve për shkak të konflikteve, njësoj siç u detyruan izraelitët të evakuoheshin pas sulmeve me raketa iraniane, duke marrë me vete vetëm gjërat më të domosdoshme.

Në Muzeun e Tokave Biblike, në zemër të Jerusalemit, stafi është gjithmonë i gatshëm të reagojë me shpejtësi. Kuratorët dhe konservatorët janë të trajnuar për të mbrojtur koleksionin me mbi 12 mijë objekte, por gjatë konflikteve rreziku është shumë më i madh. Vendimet duhet të merren në çaste.

“Duke jetuar aty ku jetojmë, e dimë që në çdo moment mund të duhet të largojmë objekte me shpejtësi”, ka thënë drejtoresha ekzekutive Risa Levitt.

Kjo përgatitje është bërë pjesë e rutinës. Lista të përditësuara të objekteve ndihmojnë në prioritetizimin e atyre më të brishtë dhe me vlerë më të madhe për t’u evakuuar në rast sulmi.

Nën drejtimin e Sue Vukosavovic, koordinatore e ekspozitave dhe menaxhere zyre me 33 vjet përvojë, së bashku me Timna Elper Sarafian, konservatore, dhe kuratorin Dr. Yigal Bloch, janë përpiluar lista të detajuara.

Që nga përshkallëzimi i fundit i konfliktit, janë bërë ndryshime të mëdha. Objektet janë ndarë në kategori: përparësi të lartë, të rralla, të pazëvendësueshme dhe organike.

Vukosavovic tha se është e pamundur të zhvendosen të gjitha sendet. Nga 1,400 objekte në ekspozitën e përhershme, vetëm 298 janë evakuuar plotësisht.

“Mësuam në mënyrë të vështirë kur duhej të largonim fildishët nga galeria lart. Vendosëm t’i bëjmë më të lehta për t’u lëvizur shpejt”, ka thënë ajo.

Objektet organike, si fildishi, druri apo tekstilet, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve mjedisore dhe lëvizjeve fizike. Prandaj, ato kanë përparësi për evakuim në raste fatkeqësish.

Shumë nga objektet më të brishta janë të pazëvendësueshme. “Fildishët, zbukurime të rralla nga Siria veriore… janë organike. Mund të digjen”, theksoi Vukosavovic.

Një tjetër koleksion i ruajtur është nga ekspozita “Kuma”, që përmban art dhe poezi të ushtarit të rënë Eitan Dov Rosenzweig, një artist 21-vjeçar i vrarë më 7 tetor.

“Ky është i pazëvendësueshëm, dhe ai nuk është më me ne”, ka thënë Levitt.

Sfidat logjistike rriten për shkak të mungesës së inxhinierëve apo punonjësve profesionistë arti gjatë emergjencave. Stafi mbështetet në përvojën dhe njohuritë e veta.

Megjithatë, kanë krijuar metoda për të mbrojtur sa më shumë objekte. “Kemi lista të printuara, të ruajtura në vende të ndryshme në muze, që nëse bie energjia, të kemi ende qasje”, ka thënë Elper Sarafian.

Këto objekte nuk janë vetëm relikte të lashta; ato janë histori e gjallë. Për shumë punonjës të muzeut, kjo është një përgjegjësi profesionale dhe personale.

“Duam të sigurojmë që këto objekte të jetojnë edhe për 1,000 apo 2,000 vjet të tjera”, ka thënë Levitt me emocion.

Kur vjen puna për të zgjedhur çfarë të lëvizet, barra emocionale rritet. Disa objekte janë thjesht shumë të mëdha ose të brishta për t’u lëvizur. “Kemi blloqe të mëdha guri… është e vështirë t’i lëvizim”, ka thënë Vukosavovic.

Këto objekte mbartin histori dhe kultura të tëra. Mbrojtja e tyre është një akt i fuqishëm ruajtjeje të kujtesës.

Përtej murit, Muzeu i Izraelit bëri përgatitjet e veta për objektet më të pazëvendësueshme, përfshirë Rrotullat e Detit të Vdekur, ndoshta artefakti më i rëndësishëm në botën judeo-kristiane.

Sipas Haim Gitler, kurator i arkeologjisë, më 13 qershor u aktivizua protokolli emergjent për të mbrojtur thesaret kulturore, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.

“Prioriteti ynë ishte Rrotullat e Detit të Vdekur, për shkak të rëndësisë së tyre historike dhe fetare, si dhe brishtësisë”, tregoi.

Objektet janë zhvendosur në kasaforta nëntokësore dhe do të qëndrojnë aty derisa situata të stabilizohet.

Pavarësisht rrezikut, Hagit Maoz, kuratore e ekspozitës së Rrotullave, shkoi në muze për t’i marrë ato personalisht, edhe pse ishte e rrezikshme.

“Rrotullat duhet të ruhen horizontalisht gjatë gjithë kohës,” theksoi ajo. Ato ruhen në kushte të kontrolluara me teknologji moderne, por çdo lëvizje mbart rrezik.