Judit është një e re e cila përballet me soj dilemash ekzistenciale të kohëve moderne, sikur ajo se duhet të jesh njeri i keq për t’ia dalë në këtë botë. Mbase deri diku ka të drejtë. Realiteti e tjetërson njeriun, vrasja bëhet “e pranueshme”, fati i saj merr tis biblik si shpëtimtare e botës. Janë qindra rrëfime që rrokullisen me shpejtësi, njeriu përhumbet brenda tyre, kjo duket të jetë formulë e qëllimshme, por mbi të gjitha shfaqja “Judit Seeks” është për “Kujtdo që i bëhet vonë”, siç është tema e sivjetme e “Polip”. Me këtë shfaqje belge festivali ka ngritur perden dhe ka hapur temën
Ajo e pret publikun ulur në skenë. Duket se është në mendime. Derisa publiku ulet në karriget e atij që tash është Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Judit sikur është në mendime. S’i bën përshtypje. Nëse shikohet për pak çaste, në portretin e saj lexohet se s’është duke menduar ndonjë gjë të zakonshme. Ose jo të paktën në mendjen e saj. E posa publiku zë vend, merret vesh se çfarë e mundon Juditën.
Në shfaqjen teatrore “Judit Seeks” aktorja franceze, Chloë Onyinye bart barrën kryesore të personazhit që është bosht i shfaqjes. Nganjëherë personazhi portretizohet edhe nga kolegët e saj. Bëhet fjalë për një të re, e cila ka pikëpyetje për çdo gjë që e rrethon: për sjelljet shoqërore, marrëdhëniet me individë e natyrën. Duket sikur i ka hyrë mendja se duhet të jesh njeri i keq për t’ia dalë në këtë botë. Por ajo nuk do të jetë e tillë. Përballë ka psikologen që e konsulton për gjithçka. Nganjëherë krijohet përshtypja sikur as psikologes nuk ia var shumë. Lexon shumë e thellohet. Diku ka lexuar se 50 për qind e trupit njerëzor është baktere, e çka jo tjetër për të keq. Thjesht humbet në ambientin ku jeton, por ngadalë e merr veten. Në shfaqjen me të cilën është hapur festivali ndërkombëtar “Polip”, që organizohet nga qendra “Multimedia”, Judit vjen pak edhe si personazh biblik. Është ajo vajza që shpëton popullin e saj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë produksionin belg me gjuhë holandeze, për afro dy orë shoshiten njerëzorja dhe agresiviteti për t’ia dalë. Përtej personazheve konstante, shfaqja ka edhe narratorë. Hyn tek ato shfaqje ku për gati dy orë shëtitën qindra histori. Diçka sikur shfaqjet e Jeton Neziraj, i cili udhëheq “Multimedia”. Rrëfimi i shkon për shtati edhe temës së sivjetme të “Polip”: “Kujtdo që i bëhet vonë! Çka për çështjen e ambientit?”
Si figurë biblike, Libri i Juditës shpëton popullin e saj duke përdorur guximin, besimin dhe mençurinë. Ajo hyn në kampin e gjeneralit armik Holoferni dhe e vret atë, duke ndalur pushtimin e qytetit të saj. Holofernin e vret edhe Juditën e shfaqjes, por i duhet kohë për ta bindur veten se në këtë botë duhet përdorur edhe këso metodash për të bërë mirë. Ajo sakrifikohet psikologjikisht për të mirën e të tjerëve. Thjesht: e harron veten. Skenat e shfaqjes janë të punuara me kujdes dhe, pavarësisht se teksti duhet lexuar me titra nga publiku në Prishtinë, të pranishmit e kanë zbërthyer lojën goxha mirë.
“Shfaqja e sonte trajton një biografi të një vajze të re, Judit, e cila në një moshë të re ndodhet përballë dilemave të mëdha urbane e ekologjike, si dhe problemeve të tjera sociale që e provokojnë një të re. Është një e re që në fillim të shfaqjes vjen më statike përballë një psikologeje nga e cila kërkon këshilla për natyrën, pastaj natyrën e njeriut, ekologjinë e jetën urbane. Më pas edhe në raport me miqtë e shumë gjëra të tjera. Ajo sfidohet nga rrethi dhe kërkon që ta gjejë veten e të jetë më dinamike.
Shfaqja është e ndërtuar nëpërmjet një dramaturgjie të hapur e një teatri postdramatik, ku historia e një personazhi rrëfehet në vetën e tretë”, ka thënë regjisori Alban Beqiraj. Sipas tij, interferencat me publikun në këtë lloj teatri janë më të shpeshta.

“Shfaqja kalon nëpërmjet shumë rrafsheve si ato metafizike, psikoanalitike, teorike dhe merr dimensione të ndryshme. Kalon edhe nëpërmjet psikologjisë biblike. Shtron shumë dilema që një individ ka në këtë kohë”, ka thënë ai.
Shkruar nga Femke Van der Steen dhe nën regji të Christophe Aussems, me aktorët Sara Vertongen, Mona Mina Leon, Matthias Van de Brul dhe Chloë Onyinye, “Judit Seeks” nëpërmjet personazhit kryesor bashkon shumë të rinj në një rrëfim. Aso që kanë mijëra pyetje se si funksionojnë shoqëritë e sotme. Me krejt konfliktet e ndezura globalisht, te të rinjtë pyetjet sa vijnë e shtohen.
Aktorja Sara Vertongen ka sqaruar se shfaqja ndërtohet në tri rrëfime.
“Ka një storie reale të një të reje e cila konsulton psikologen dhe tenton disi ta shpëtojë botën. Ajo e dëmton veten duke u munduar ta bëjë gjithçka siç duhet. Më pas ajo gjen veten sikurse Judit e Biblës, që është një grua e fortë. Ajo më pas merr kontrollin dhe forcohet edhe për të vrarë dikë. Fosilet bëhen plastikë e vaj dhe pyetja që bëhet është se ato tashmë janë pjesë e jetës dhe si mund t’u japim zë. Shfaqja është mjaft e komplikuar. Ka një sens që mundohet ta hapë imagjinatën. Sonte kishim audiencë që s’merr vesh nga gjuha jonë dhe shfaqja ka shumë tekst. S’ishte e lehtë për t’u kuptuar”, ka thënë ajo.
Kurse Chloë Onyinye ka thënë se fillimisht, kur e ka lexuar tekstin, ka parë se është diçka jo e thjeshtë.
“Duhet lexuar shumë për të marrë vesh se çfarë po ngjan. Është një përgjegjësi e madhe pasi ashtu e ka paraparë drama. Është një punë e plotë për ta inskenuar këtë shfaqje. Është interesante se si audienca e merr këtë tekst. Nganjëherë audienca është më e qetë e nganjëherë shpërthen. Por është interesante të shihet se si reflektojnë njerëzit përballë shfaqjes”, ka thënë Chloë.
Në kuadër të “Polip” të premten është dhënë edhe shfaqja “Order of the Day” nga Holanda. Ka zënë vend në “Burgun e Idealit” në kryeqytet, si një shfaqje që, është ngushtësisht e lidhur me ngjarjet aktuale, e krijuar brenda një dite të vetme.
“Në një kohë kur lajmet na vijnë si një ortek i mbingarkuar informacioni, kjo shfaqje filtron thelbësoren dhe e paraqet në një mënyrë të veten, të veçantë dhe teatrale. Tekstet dhe muzika shkruhen në moment – ndonjëherë edhe gjatë vetë performancës – dhe interpretohen me skenar në dorë; ky është thelbi i kësaj aventure teatrore”, është përshkrimi që i bën shfaqjes “Polip”.
“Polipi” që sivjet vjen me edicionin e 16-të, të shtunën mbyllet me ZOE nga Grazi i Austrisë. Sipas njoftimit të organizatorëve, në këtë mjuzikël bëhet një ndërthurje unike e poezisë së fantashkencës, muzikës elektronike dhe skenografisë gjithëpërfshirëse, duke krijuar një peizazh ku format e jetës njerëzore dhe jonjerëzore, teknologjia dhe natyra janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme.
“Një rrëfim jo-linear dhe shumëshqisor, i thurur nga trupi, zëri, tingulli dhe hapësira, na fton të rishqyrtojmë çfarë mund të nënkuptojë ‘jeta’ në një të ardhme spekulative përtej Antropocenit. ‘ZOE’ është një rrëfim polifonik mbi procesin e pandërprerë të formimit të Tokës – të bimëve, kafshëve, makinave dhe gjithashtu të njerëzve”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes.
“Polipi” i sivjetmë vjen i formatuar sikurse dy edicionet e kaluara pas 13 edicioneve kryesisht të përqendruara në letërsi kur paralajmëroi shtrirjen edhe në teatër. Bashkon emra të njohur vendorë e ndërkombëtarë dhe nëpërmjet artit shtron pyetje e ngre dilema për të ardhmen e ambientit. Pyetje të tilla ka shtruar edhe “Judit Seeks” e, nëpërmjet rrëfimit biblik, sikur ka treguar se agresiviteti njerëzor shpesh është i pranishëm midis qenieve që ndajnë të njëjtën hapësirë.