Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kapitulli i ri i Jack White prej yllit të rockut në artist vizual

Jack White - vepra

Artisti mbështetet në aftësitë e tij në zdrukthëtari dhe tapiceri, të cilat i zhvilloi kur punonte si tapicier, përpara se të bëhej i famshëm.

Foto: Associated Press

Jack White, lideri i grupit “The White Stripes”, po ndërton një karrierë të re: si artist vizual. Ekspozita e parë publike e veprave të tij u hap në galerinë e famshme londineze të Damien Hirstit, “Newport Street Gallery”

Një skulpturë e madhe prej rrëshire me një kafkë ngjyrë kaltër e mbyllur. Imazhi është shumë në stilin e pop-artit. Dhe është një temë që shpesh eksplorohet nga pronari i galerisë “Newport Street”, Damien Hirst. 

Por kjo ekspozitë nuk është tipike e skenës britanike të artit. Disa modele muzikore japin një aludim të lehtë për identitetin e artistit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspozita me titull, “These Thoughts May Disappear” (Këto mendime mund të zhduken), vjen e realizuar nga Jack White. Vokalisti i “The White Stripes” ka krijuar art prej dekadash, por kjo është hera e parë që veprat e tij shfaqen publikisht.

“Është vërtet e jashtëzakonshme, sepse disa nga këto vepra kanë qëndruar për 30 vjet në garazhin dhe papafingon time, pa i parë kurrë të ekspozuara në mur me ndriçim të bukur. Kjo u jep atyre një perspektivë krejtësisht të re dhe më bën t’i vlerësoj më shumë. Madje po më shtyn të krijoj një skemë tjetër ndriçimi në studion time në shtëpi”, ka thënë White.

Jack White përdor materiale si rrëshira, ngjyra dhe objekte të ricikluara për të krijuar veprat e tij artistike

Artisti arriti famë ndërkombëtare si pjesëtar i dyshes muzikore të zhanrit rock, “The White Stripes”, që u bënë një nga grupet më të rëndësishme të viteve 2000, duke publikuar albume të suksesshme si “Elephant”, i cili arriti shitje shumë të larta, duke fituar çmime “Grammy” dhe duke u futur vitin e kaluar në “Rock & Roll Hall of Fame”.

Prandaj, dalja publike me një formë tjetër krijimtarie është një moment sfidues për muzikantin dhe artistin amerikan, White.

“Çfarëdo gjëje për të cilën bëhesh i njohur fillimisht në publikun e gjerë është disi një mallkim, sepse të gjithë duan që ta bësh vetëm atë punë për pjesën tjetër të jetës. Për këtë arsye hezitova për dekada ta ndaja këtë punë në një ekspozitë, por më në fund vendosa ta bëj”.

Artisti mbështetet në aftësitë e tij në zdrukthëtari dhe tapiceri, të cilat i zhvilloi kur punonte si tapicier, përpara se të bëhej i famshëm.

Ai përdor materiale si rrëshira, ngjyra dhe objekte të ricikluara për të krijuar veprat e tij artistike.

“E kufizoj veten në paletën e ngjyrave. Shpesh përpiqem të punoj vetëm me tri ngjyra. Zakonisht përdor objekte të gjetura – përkrah rrugës apo në kosha mbeturinash – duke marrë diçka që është hedhur ose është gati të hidhet dhe duke u përpjekur t’i jap jetë të re e ta bëj të bukur. Mendoj se këtë e kam mësuar nga puna ime me tapicerinë dhe restaurimin e mobilieve kur isha i ri”, ka thënë White.

Në qendër të ekspozitës ndodhet një pemë gjigante e krijuar nga rrëshira. Ishte një projekt bashkëpunues me dhjetëra njerëz nga e gjithë bota. Dhe është vepra e tij e preferuar në ekspozitë, mbase edhe për faktin se frymëzimi erdhi nga jeta e përditshme.

“Një pemë në oborrin tim në Nashville u tha dhe të gjitha gjethet i ranë. Vendosa ta lyej me të kuqe dhe ta shndërroj në një skulpturë, një lloj skulpture të gjallë. Por më pas ajo filloi të vdiste sërish dhe të shembej ngadalë. Lagështia ishte bllokuar nën ngjyrë, kështu që degët filluan të bien. Besoj se ishte Connor Hirst ai që më sugjeroi: pse të mos e rikrijojmë pemën me rrëshirë? U emocionova shumë nga kjo ide”, ka thënë White.

Në qendër të ekspozitës ndodhet një pemë gjigante e krijuar nga rrëshira. Ishte një projekt bashkëpunues me dhjetëra njerëz nga e gjithë bota 
 

Connor Hirst është bashkëkurator i kësaj ekspozite dhe djali i Damien Hirst, me të cilin White ka bashkëpunuar në disa vepra artistike. Ata u njohën kur shtëpia diskografike e muzikantit hapi një zyrë në Londër, pranë studios së Hirstit. Disa nga projektet e tyre të përbashkëta janë të ekspozuara për audiencën britanike.

Por, a ka arritur ky yll i rockut ta bëjë me sukses kalimin në botën e artit pamor?

“Mendoj se shumica e njerëzve e njohin Jack White si anëtarin e ‘The White Stripes’ dhe tani ai po kalon nga muzika tek artet pamore. Ende duket sikur po gjen vendin e tij në këtë fushë. Sigurisht, ai ka avantazhin që e njeh personalisht Damien Hirstin dhe ka një profil të lartë publik, gjë që i jep mundësinë të prezantohet në një galeri kaq madhështore si kjo, ndryshe nga shumica e artistëve të rinj”, ka thënë kritiku i artit, Tabish Khan.

Ekspozita “Jack White: These Thoughts May Disappear” qëndron e hapur në galerinë “Newport Street Gallery” deri më 13 shtator.