Filmat shpesh shërbejnë si platforma për ta kuptuar diplomacinë publike të një vendi, sepse krijojnë audienca të gjera me mesazhe domethënëse për t’i treguar sfidat dhe vështirësitë e atij vendi përmes storieve e personazheve. Këtë aspekt të përmbledhur për të gjithë filmat kosovarë të metrazhit të gjatë, që janë realizuar prej vitit 2017 e deri më 2024, e kanë botuar dy hulumtues: Jeta Abazi-Gashi dhe Juan Manuel Montoro. Ata janë përpjekur që përmes studimit me titull “Kosovarness through cinema” t’i studiojnë këta filma në disa aspekte dhe të dalin me një përfundim që rezonon tek ata që i krijojnë filmat. E për të stimuluar debat, me mbështetjen e “Forumit Ballkani”, kanë mbledhur të martën mbrëma një panel diskutimi të përbërë nga shkrimtarë, regjisorë e aktorë, për të folur bashkë për reflektimet nga ky studim.
Jeta Abazi-Gashi, e cila e ka drejtuar panelin, e ka nisur diskutimin në formë dialogu me bashkautorin e publikimit, Montoro. Gjatë këtij diskutimi, ai ka theksuar se në kinematografinë kosovare gjenden mes tjerash personazhe që i mundin sfidat që u dalin përpara dhe përballen me sistemin, me patriarkatin dhe me sfida të tjera shoqërore.
“Kinematografia kosovare ofron shpërfaqje në stil realist ku gjenden personazhe qëndrestare, të cilët i mposhtin vështirësitë dhe i sfidojnë rrethanat, po ashtu përballen me sistemin shtypës, me patriarkatin, konservatorizmin shoqëror e me tabutë shoqërore”, ka thënë gjatë diskutimit bashkautori Juan Manuel Montoro
Përveç tyre, në panel kanë qenë edhe producenti Eroll Bilibani, regjisorja Kaltrina Krasniqi, regjisori Lum Çitaku, shkrimtari Azem Deliu dhe aktori Armend Smajli. Shumë prej tyre vetëm kanë dëgjuar dialogun mes dy autorëve, derisa Deliu, në një moment ka ndërhyrë, duke theksuar se shpesh marrin provokime për temat të cilat i trajtojnë në filma dhe në libra që kanë të bëjnë me luftën.
“Në storiet e filmave kosovarë ka luftë, rrahje e dashuri si në çdo vend të botës, ne i krijojmë ato rrëfime dhe institute mendore artistike, për të cilat shpesh marrim provokime”, ka thënë shkrimtari Azem Deliu gjatë diskutimit.

Në fund të diskutimit që ka zgjatur pak, autorja e publikimit ka treguar se ky është më shumë një promovim që ka pasur për synim provokimin e një debati se si format e artit i paraqesin narrativat për Kosovën, meqë për të janë shumë rrëfime.
“I kemi përdorur filmat për t’i analizuar aspektin e kulturës dhe mënyrën se si paraqitet identiteti ynë si vend në këta filma dhe krahas këtij publikimi e kemi organizuar një panel për ta provokuar një debat se si letërsia, teatri dhe format e tjera të kulturës i tregojnë më së miri narrativat e ndryshme për Kosovën, sepse nuk është vetëm një rrëfim për Kosovën, janë plot rrëfime”, ka thënë për KOHËN, Jeta Abazi-Gashi në fund të diskutimit.
Ajo ka treguar se kryesisht janë marrë me studimin e aspekteve semiotike brenda filmave, kanë marrë në intervista krijuesit e këtyre filmave, me qëllim që të shohin se si kjo analizë reflektohet te ta.
“E kemi analizuar aspektin gjuhësor, semiotik bashkë me Juanin dhe i kemi intervistuar regjisorët dhe drejtorët e filmave. Ideja ka qenë ta shohim se si rezonon kjo analizë tek ata që i bëjnë filmat”, ka shtuar më tutje Abazi-Gashi.
E bashkautori Juan Manuel Montoro, i cili ka realizuar edhe katër projekte të tjera në Kosovë, ka spikatur se motivi i këtij bashkëpunimi ka qenë se ai ka dashur ta realizojë një studim me një hulumtuese vendëse.
“Për një kohë të gjatë e kishim këtë ide me Jetën dhe meqë të dy jemi specialistë në komunikim, të dyve na pëlqen kinemaja dhe kështu vendosëm të punojmë bashkë dhe Forumi Ballkanik na ofroi mbështetje. Bashkëpunimi me Jetën ishte i mrekullueshëm, sepse ky është projekti i pestë që e bëj në Kosovë dhe meqë të tjerat projekte kanë qenë me të huaj, kam dashur ta krijoj një lidhje të fortë me Kosovën dhe kam menduar se këtë mund ta bëj vetëm nëse bashkëpunoj me një hulumtuese vendëse, kështu që e ndërtuam këtë temë dhe ishte bashkëpunim shumë i mirë”, ka thënë Montoro për KOHËN në fund të diskutimeve.
Fuqizimi i gruas ka qenë ndër kategoritë më të rëndësishme brenda studimit. Studiuesit kanë theksuar se në kinematografinë kosovare të pasluftës, filmat tregojnë rrëfimet e së kaluarës përmes grave. Sipas tyre, shumica e krijuesve dhe aktorëve në këta filma janë gra. Në njëfarë mënyre, koka e gruas ka rrëfyer historitë më të mëdha të filmave kosovarë të pasluftës. Në këta filma, gratë nuk e kanë rolin e viktimave, ato pasqyrojnë rezistencën, luftojnë me shpirt, gjuajnë me gurë, nisin biznese, krijojnë grupe fuqizuese dhe tentojnë të kenë të drejta të barabarta në një mjedis patriarkal.
Ata kanë krijuar një hartë semiotike që ndahet në pesë kategori, ku secila prej tyre ka nga një prototip. Përveç temës së fuqizimit të gruas, kategoritë e tjera përmbajnë tema si tradita, religjioni, emigrimi, si dhe konflikti e marrëdhëniet me Serbinë. Të gjitha këto janë tema që kryesisht mendohet se janë të pranishme në Ballkan. Filmbërësit kosovarë, sipas autorëve, i njohin këta stereotipa për Ballkanin dhe në filmat e tyre përdorin qasje kreative për ta përkufizuar luftën si prapavijë, e jo si temë qendrore. Bashkë me luftën, në këta filma ekzistojnë edhe emigrimi, patriarkalja, e ngacmimet.
Nga intervistat me regjisorët dhe filmbërësit, ata kanë ardhur në përfundim se kinematografia kosovare po përjeton një çast premtues, sidomos duke i marrë parasysh burimet dhe fondet e limituara. Dalëngadalë, në këtë aspekt Kosova po sheh rritje të dukshmërisë, duke marrë pjesë nëpër festivale dhe gara ndërkombëtare dhe duke i përfaqësuar përmes filmave të tyre vlerat e shoqërisë kosovare dhe duke kontribuuar për një përkufizim të narrativave të reja që t’i japin Kosovës një imazh të ri para ndërkombëtarëve.