“Arti si shpëtim” do të mund të titullohej historia ku një piktor i shpëton policisë serbe nëpërmjet shkathtësisë së tij për të paraqitur në dërrasë të zezë portretin e pengmarrësit bashkë me talentin e të birit që këtë përvojë reale ta kthejë në film, i cili kishte premierën botërore në “Berlinale”. Lajmi se filmi i Alban Mujës, “Mua besoj më shpëtoj portreti”, që është dhënë në festivalin ndërkombëtar të Gjermanisë, qe i pari i vitit 2025 që tregoi se rrëfimet vendore si projekte kulturore do të vazhdojnë të lidhin Kosovën me botën, e pos historisë do të tregojnë edhe talent.
Talenti e rrëfimet e Kosovës këtë vit pos Gjermanisë me film, art pamor e muzikë, kanë shkuar edhe në disa qytet italiane, në Poloni, Danimarkë, New York e deri në Tajlandë. Në planin e brendshëm shumë institucione kanë stagnuar me të madhe. Prej tyre edhe kanë degraduar. Kaosi institucional përtej atyre të kulturës, ka dalë në pah edhe midis nivelit lokal e atij qendror duke bërë që trashëgimia kulturore të shndërrohet në pretekst për përplasje të forta. Në këtë fushë ndërhyrjet emergjente kanë marrë miliona e funksionalizimi i aseteve është i barabartë me zero.
Viti 2025 qe i fundit për alamet artistë vendorë e ndërkombëtarë. Krejt 12 muajt e këtij viti në kulturë mund të përshkruhen si histori suksesesh jo të vogla dhe dështimesh të po këtij niveli.
Premtimet vazhdojnë...
Premiera në një nga forumet e “Berlinales” i filmit të shkurtër dokumentar, “Mua besoj më shpëtoj portreti”, projektit i ka hapur rrugë në shumë festivale të mëdha të filmit gjatë vitit. Qe lajmi i parë me peshë në kulturë, por fillimviti shpejt u kaplua me fushatë zgjedhore. Zgjedhjeve të fillimshkurtit u parapriu një muaj fushatë nga partitë politike duke bërë thirrje që të votohen kandidatët e tyre për Kuvendin e Kosovës. Si tash e të paktën dy dekada, edhe asaj radhe janë prezantuar alamet projektesh të infrastrukturës kulturore. Renderë sallash e qendrash të kulturës janë parë gjithandej. Më i madhi qe ai i teatrit të operës dhe baletit. Në kushte ideale, projekti i bazuar në xhubletë – veshje që është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – do rreth 15 muaj që të shndërrohet në projekt zbatues e sipas projektuesit Bjarke Ingels kërkon gjysmë dekade që të finalizohet. U prezantua pak ditë para zgjedhjeve të shkurtit dhe ende s’ka ndonjë lajm të ri pas projektit ideor. Kurse projekti për sallën koncertale në kryeqytet është finalizuar por s’ka lëvizur gjë. 1.5 milionë eurot e dhëna për studion e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe bashkëpunëtorët e tij nga Kosova, janë përkthyer në projekt që qëndron në zyrat e shtetit. Komuna e Prishtinës me arsyetimin se shkaku i masave të Bashkimit Evropian – që shumica janë hequr në dhjetor – s’mund të aplikojë për fonde, s’është marrë fare me këtë çështje. Fushata është kthyer në dhjetor pasi partitë politike s’kanë gjetur zgjidhje për formimin e Qeverisë dhe premtimet janë rikthyer. Por pavarësisht infrastrukturës skena muzikore ka vazhduar me ritëm edhe më të lartë.
Harmonia muzikore dhe një skenë botërore
Filharmonia e Kosovës sivjet ka vazhduar e ritmin e saj. Pos koncerteve në vend, marsi e ka gjetur në Bernë të Zvicrës. Në kryeqendrën e Zvicrës, publiku vendas e ai shqiptar kanë mbushur sallën, ndërsa figura të shquara të muzikës e kanë vlerësuar kapacitetin e institucionit e të solistëve. Më pas Kori i këtij institucioni ka mbajtur dy koncerte në Gjermani. Një në Hamburg e tjetrin në Düsseldorf. Në raport me lëvizjet jashtë vendit, Filharmonia vitin e ka mbyllur në Romë. Oratoriumi “La Tempesta sul Lago” i Domenico Bartoluccit është interpretuar në kuadër të Jubileut të Selisë së Shenjtë. Përcjell mesazhe paqeje në kohë stuhish. Në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Romë ka jehuar me rrëfimin që ka lënë aty Kosova, e cila çerekshekulli më parë kërkonte paqen.
Sa i përket muzikës klasike emrin e talentet e Kosovës ka vazhduar t’i promovojë edhe kori “Siparantum”. Me paraqitje në Filharmoninë e Berlinit e në Danimarkë, ky formacion koral ka mbajtur nivelin e pjesëmarrjes në festivale e gara. Kurse interpretimi në Bangkok të Tajlandës bashkë me Medaljen e Artë dhe Çmimin special për rrëfim muzikor, e ka rikonfirmuar “Siparantumin” si ambasador të muzikës korale ndër shqiptarë.
Ndërkohë festivalet tradicionale të muzikës klasike si “ReMusica”, “Chopin Piano Fest” e “KamerFest” kanë vazhduar me ritmin e tyre duke sjellë në skenën e Prishtinës emra të njohur solistësh. Festivali ndërkombëtar i operës, “Ramë Lahaj” ka mbledhur edhe më 2025 interpretues me nam të operave në Prishtinë. Por festivalit të operës edhe këtë vit, të pestin me radhë i kanë munguar operat. Ndjesi të skenave botërore ka sjellë ylli shqiptar, Ermonela Jaho në koncertin e organizuar nga Opera e Kosovës. Përtej talentit, Jaho me ka dhënë edhe mesazhe të fuqishme. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe kur në fund të vitit është kthyer në Gjakovë. Sopranot e Kosovës e kanë vazhduar karrierën e tyre bujshëm si Elbenita Kajtazi në Gjermani e Marigona Qerkezi në disa teatro nëpër botë. Opera e Kosovës që funksionon si agjenci e cila angazhon ansamble me projekte ka inskenuar edhe të famshmen “Carmen”. Përtej kësaj ka bërë edhe disa eksperimente, përfshirë inskenimin e “Maria de Buenos Aires” një projekt që pos telasheve të vënies në skenë, proceduralisht nuk ka përfillur as aspektet ligjore.
Në muzikë jehonën më të madhe vendit ia ka dhënë festivali “Sunny Hill”. Për tri net Prishtina ishte adresë e të rinjve nga vende të ndryshme të Evropës. Ylli i këtij edicioni qe Dua Lipa me “Radical Optimism” ku për dy orë e bëri Kosovën skenën kryesore të pop- muzikës në Kontinentin e Vjetër.
Prapaskena teatrore
Por për dallim prej muzikës, skena institucionale e teatrit ka probleme të mëdha. Ato nisin në krye, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me disa shfaqje në vendet e rajonit e një në Opole të Polonisë, TKK-ja gjendet në ditët e veta të vështira. Vitin e nisi me grevën e aktorë të ansamblit rezident që nisi në nëntor të 2024-s për të vazhduar për më shumë se tre muaj. Por edhe pas daljes nga greva shkaku i koeficienteve të pagës, institucioni nuk është kthjellur. Fundviti e ka gjetur pak më mirë i dhënë zor që të nxirren në skenë shfaqje e punë më përmbajtjesore. Sivjet qe edhe nikoqir i festivalit mbarëkombëtar të teatrit “Moisiu” pasi vitin e kaluar nuk u mbajt shkaku i grevës. Edicioni i tretë me radhë i mbajtur në Prishtinë u vlerësua si i suksesshëm. Shfaqet mysafire ashtu sikurse ato të TKK-së janë dhënë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Shkak është restaurimi që po i bëhet ndërtesës së TKK-së. Pas mbylljes në korrik të 2022-s, puna nisi në shtatorin e vjetëm. Planet ishin që punimet të përfundonin për një vit. Por tash s’ka një afat të dytë. Janë kontraktuar punë shtesë përtej vlerës prej afro 7 milionë eurosh.
Në të njëjtën hapësirë shfaqjet i jep edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Me ushtrime e prova te “Shota”, Baleti gjatë vitit ka interpretuar në New York e më pas në Venecie e Potenza të Italisë. Por pak pas kthimit nga udhëtimi matanë Adriatikut, ministri në detyrë i Kulturës ka ndërruar drejtuesin e institucionit. Sinan Kajtazi pas tre vjetëve mandat, e tetë muajve si ushtrues detyre është larguar për ta emëruar Kreshnik Musollin ushtrues detyre. Kajtazi që numëron 25 vjet në BKK dhe ishte solisti kryesor, s’ka marrë kurrfarë arsyetimi dhe as nuk është njoftuar paraprakisht për vendimin e ministrit në detyrë të kulturës.
Arti i ushtrimit të detyrës
Problemet në institucionet e kulturës në disa prej tyre kanë emërues të përbashkët funksionimin me ushtrues detyre. Galeria Kombëtare e Kosovës ka hyrë në vitin e 6-të me ushtrues detyre të drejtorit, pa drejtor me mandat funksionojnë edhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, Filharmonia e Kosovës, Opera e Kosovës, ansambli “Shota” e Baleti Kombëtar i Kosovës. Galeria Kombëtare e Kosovës është zhvendosur në atë që ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës shkaku i restaurimit të ndërtesës së institucionit. GKK-ja më 2025 kishte program brenda mundësive që ka shkaku i hapësirës dhe e ka përcjellë dështimi me peshë 400 mijë eurosh pasi pavarësisht që zhvilloi proces nuk finalizoi blerjet direkte të veprave nga artistët për të pasuruar fondit e vet. Në anën tjetër, Muzeu i Artit Bashkëkohor është “funksional” me staf dhe vulë. S’ka seli dhe vitin e ka përmbyllur me një thirrje për hulumtime që zor se do t’i hynte në punë. QKK-ja me krejt vonesat e telashet, më 2025 i është kthyer subvencionit të rregullt të filmave përderisa as këtë vit s’ka pasur kandidat për nominim për “Oscar”. Është viti i tretë me radhë që Kosova s’ka kandidat dhe kjo për një pjesë të filmbërësve është ogur aspak i mirë. Te filmi “DokuFest” me temën “Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk” ka protestuar për kthim në realitet. Festivali edhe më 2025 mblodhi në Prizren rrëfime e fimbërës me peshë botërore. Tashmë edhe festival që selekton filma të cilët shkojnë deri te nominimet për “Oscar”. “Anibar” në anën tjetër ka mbajtur ritmin si festival i animacionit në Pejë. Në të dyja festivalet u shfaqen filma të ndryshëm, nga rajoni, Evropa e bota. Por pak më tej, në Mal të Zi nacionalistët u çuan kundër shfaqjes së filmit “Lejleku” të Isa Qosjes që shpërfaq se si po braktiset Vuthaj. U bë goxha zhurmë, u anulua shfaqja e më pas shteti ndërhyri duke e dhënë edhe në televizionin publik.
Fluturimi i teatrit
Kosova nuk ka telashe me përmbajtjet artistike. Por më 2024 dhe me të madhe më 2025, Turqisë i doli punë me përmbajtjet artistike të Kosovës që jepen në vend e rajon. Më 2024 shteti turk nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë u mundua të ndalte premierën e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, produksion i qendrës “Multimedia”. Ministria e Kulturës nuk ra në presion. Por më 2025 Komuna e Prizrenit iu nënshkrua presionit. Anuloi dhënien e shfaqjes disa herë me pretekste të ndryshme, por arsyeja bazike ishte presioni i shtetit turk se gjoja shfaqja kritikon mënyrën e qeverisjes së Turqisë së sotme. Turqia bëri alamet zhurmë edhe para dhënies së shfaqjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës. Por ky institucion doli qartë me qëndrimin: s’njohim censurë. “Negotiating Peace” e po kësaj qendre “Multimedia” u dha në disa vende të Evropës, kurse “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” u sabotua nga autoritet lokale në Ferizaj, por teatri i qytetit “Adriana” s’hoqi dorë. “Multimedia” më 2025 realizoi edhe shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” nëpërmjet së cilës i takoi në teatër faljen e gjaqeve në Kosovë dhe pajtimin në Afrikë të Jugut. E njëjta do të udhëtojë në Afrikë, në shumë qytete evropiane e deri në New York.
Shpërthimet artistike
Pos teatrit edhe arti pamor ka krijuar ndërthurje të rëndësishme me botën gjatë vitit. Artisti i njohur Sislej Xhafa ka mbledhur një numër të kolegëve nga Kosova me një ekspozitë në Paris. Kosova e ka vazhduar traditën e përfaqësimit në Bienalen e arkitekturës në Paris. Kësaj radhe me veprën “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”, një instalacion ndijor i arkitektes Erzë Dinarama. Në Prizren “Autostrada Biennale” ka rrymuar trashëgiminë me art bashkëkohor me edicion të suksesshëm nën kurimin e Erzen Shkolollit. E Syrigana e Skenderajt u bë nikoqire e një opere që mblodhi artistë të ndryshëm vendas e të huaj. Petrit Halilaj kësaj radhe iu kthye Kosovës me operën “Syrigana” e në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, ringjalli shumë legjenda të asaj zone duke i bërë material për ekspozitën e tij personale “Një operë në tejkohësi” në “Hamburger Bahnhof”. Pak pas kësaj ngjarjeje, artisti kosovar më i njohur në botë, është shpallur laureat i çmimit prestigjioz për skulpturë “Nasher”. Arsyetimet e jurisë janë një varg zbërthimesh të veprës dhe artit të tij që nuk i shkëputet Kosovës, luftës, por që ka fuqinë e transformimit në ndjenjë e kërkim lirie. Shkaku i peshës së çmimit lajmi është dhënë edhe nga mediat më prestigjioze në botë, përfshirë edhe “The New York Times”.
Trashëgiminë e festoi edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që më 2025 shënoi gjysmëshekullin e Kohavisioni shënoi 25-vjetorin duke ritheksuar peshën e fjalës, sikurse u ritheksua në ceremoninë e shpërblimeve “Rexhai Surroi” për letërsi e gazetari.
Trashëgimia e shkatërrimit
Përderisa trashëgimia kulturore e Kosovës promovohej gjithandej nga Petrit Halilaj, sidomos ajo e vendlindjes së tij, Runikut, një pllakë betoni u vendos pa leje afër atij monumenti me qëllim ndërtimi dyqanesh. U ndalën punimet shpejt, por zallamahia vazhdoi në të tjera anë të vendit.
Ish-“Kino Rinia” në Prishtinë e harruar prej vitesh u dogj në pritje të ringjalljes. Pak më tej Komuna nisi punime pa leje për sheshin “Xhorxh Bush” edhe pse hapësira është midis monumenteve dhe e përfshirë në kuadër të zonës së mbrojtura të Qendrës Historike të Prishtinës. Historia për këtë rast ende vazhdon. Kontrata nëpërmjet së cilës ka hyrë në detyrime Komuna peshon mbi 18 milionë euro. E brenda saj veç zhvendosja dhe rivendosja e shtatores së Ibrahim Rugovës është caktuar të kushtojë 18 mijë euro. Komuna e Prishtinë është në sherr me institucionet e trashëgimisë kulturore edhe në dy raste të tjera. E institucionet e trashëgimisë kulturore diku me vonesa administrative e diku me mbyllje të syve kanë mundësuar ndërtimin e një shumëkatësheje ngjitur me Kishën Katolike që është monument në Pejë. Për shkatërrimin e kompleksit monumental nën mbrojte të përhershme “Saraji i Vjetër” në Prizren, Prokuroria ngriti aktakuzë për dy zyrtarë dhe dëmi ndaj trashëgimisë llogaritet rreth 16 milionë euro. Shteti është në proces të kontraktimit të punëve për ta impelmentuar masterplanin për lokalitetin arkeologjik me mozaikë unik në Dresnik për afro 2.5 milionë euro.
Përtej Kosovës, edhe bota sivjet u përball me një rast të rëndë. Në pikë të ditës u bë vjedhje në muzeun e “Louvreit” duke bërë jehonë të madhe dhe duke ngritur pyetje për sigurinë e thesarit më të madh që njeh njerëzimi.
Humbja e kolosëve
Viti 2025 është përshkuar edhe me shumë humbje të mëdha në fusha të ndryshme si në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Kosova mbeti pa akademik Minir Dushin, si pionier të shkencës së xehetarisë. Gjatë këtij viti vdiq shkrimtari Muhamed Kërveshi më pas Mire Lajçi, ikona që njihej si burrnesha e fundit e Kosovës. Alban Bujari, fotoreporteri i “Kohës Ditore” që dokumentoi krimet serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, vdiq në shkurt duke lënë prapa një trashëgimi të madhe historike. Shoqëria shqiptare humbi Lulzim Rexhën, aktorin energjik e plot humor, Margarita Xhepën, ikonën e filmit, Dhimitër Anagnostin, korifeun e kinematografisë, Enver Petrovcin, aktorin e pedagogun ikonë që ishte sharm i jetës dhe skenës e po ashtu edhe këngëtarin Shemsi Krasniqi – Shemi, që ishte zëri i “Ilirëve”. Prishtina ngeli edhe pa Martin Hajdarin, ikonën urbane që mbante kafenenë ku bashkoheshin ngjyrat e kryeqytetit “Te Martini”.
Bota në këtë vit mbeti pa John Sykes, kitaristin e “Whitesnake”, Roberta Flack, ikonën e muzikës soul dhe R&B, Mario Vargas Llosan, gjigantin e letërsisë që u bë edhe zë i Kosovës, Filip Davidin, shkrimtarin e luftëtarin e paqes, Cleo Laine, damën e jazzit me zërin e pakufishëm e Terry Reid, muzikantin e grupeve legjendare. U shua edhe Ozzy Osbourne, vokalisti i “Black Sabbath” i cilësuar si “Princi i errësirës” që i dha dritë “heavy metalit”. Në listën e humbjeve për këtë vit midis të tjerësh janë edhe Claudia Cardinale, aktorja ikonë midis realitetit dhe fantazisë, legjenda Diane Keaton, John Lodge, figura unike e “The Moody Blues” dhe Tom Stoppard, ylli i dramaturgjisë e afirmuesi i teatrit, sikurse edhe Chris Rean, zërin unik të rockut dhe bluesit e ikonën e filmit francez, Brigitte Bardot.