Kulturë

“Litari” paralajmëron heshtur krimin që nuk fshihet

“Litari” paralajmëron heshtur krimin që nuk fshihet

Drama e Patrick Hamiltonit, e shkruar rreth një shekull më parë, ka ardhur në këtë premierë nga regjisori Skender Podvorica, si një pasqyrë që ndërton urë mes epokave, mes momentit kur dy adoleshentë kryejnë një vrasje për ta provuar epërsinë e tyre dhe kohës së sotme

Është një çështje që ka fituar peshë edhe më të madhe në rrethanat aktuale: marrëdhënien e të rinjve me pushtetin dhe ndjesinë e epërsisë. Rrëshqitja drejt krimit në shfaqjen “Litari”, me tekst të Patrick Hamiltonit, nën regji të Skender Podvoricës, e dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nuk vjen si pasojë e rrethanave ekstreme, por si produkt i një filozofie të deformuar të të qenit “më i zgjuar”, “më i guximshëm”, “më i lartë se tjetri”. Ky reflektim ka rezonuar në diskutimet që shpesh bëhen për shtrëngesat, hutimet dhe gabimet e moshave të reja në realitetin kosovar, duke e bërë shfaqjen një lloj paralajmërimi të heshtur

Në qendër, një arkë e zezë qëndron si bosht i dramës, e palëvizshme dhe kërcënuese, ndërsa rreth saj një festë që ka mbajtur nën sipërfaqe sekretin më të errët të personazheve. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbrëmja e premierës së “Litarit” ka shpalosur një hapësirë të ngurtë, të ndërtuar mbi tension të përmbajtur, ku çdo objekt duket sikur ka peshë të shtuar.

Drama e Patrick Hamiltonit, e shkruar rreth një shekull më parë, ka ardhur në këtë premierë nga regjisori Skender Podvorica si një pasqyrë që ndërton urë mes epokave, mes momentit kur dy adoleshentë kryejnë një vrasje për ta provuar epërsinë e tyre dhe kohës së sotme, kur delirët e pushtetit të imagjinuar janë shndërruar në formë të përbashkët sfide për të rinjtë.

Në këtë mbrëmje ngjarjet janë vendosur të zbërthehen ngadalë, duke e ushqyer tensionin me heshtje të gjata e detaje që bëhen të qarta vetëm kur aktorët e shtyjnë ritmin drejt zbulimit.

Brandon dhe Granillo, personazhet qendrore, e kanë fshehur trupin e shokut të tyre në arkën që e shndërrojnë në tavolinë darke për mysafirët. Duke e “vendosur” krimin nën pjata e gota, në një mjedis gjoja të qetë, drama shfaq rrënimin moral të dy të rinjve që shkojnë drejt ekstremeve për ta ndier rëndësinë e vet. Mysafirët lëvizin në skenë me një qetësi të shqetësuar, ndërsa ish-profesori i tyre i vëren detajet që nuk përputhen dhe i lidh copëzat e një historie që rri pezull gjatë gjithë shfaqjes. Tensioni rreh nën lëkurë, duke u ngjitur deri në epilogun ku krimi shpaloset përballë atij që dikur ka qenë autoriteti moral i të dyve.

Skena hapet me një qetësi që nuk zgjat, sepse heshtja nis të marrë formë kërcënuese sapo duket arka që do ta mbajë të fshehur krimin. Wyndham Brandon që luhet nga Allmir Suhodolli dhe Charles Granillo, nga Valmir Krasniqi, dalin nga errësira me një lloj vrulli të kontrolluar, duke krijuar menjëherë ndjenjën se diçka është kryer pak çaste para se publiku të ulet në karrige. Lëvizjet e tyre janë të mprehta, të ngutshme dhe të çuditshme, të qeta në të njëjtën kohë, sikur duan ta kryejnë ritualin e fshehjes para se dikush tjetër të kuptojë se çfarë po fshihet nën kapakun e arkës.

Atmosfera ndërtohet me dritë të ulët e me frymë të mpakur, ndërsa hapësira skenike funksionon si dhomë që po pret mysafirët, por që është ende e “pangrohur”, ende e ngurtë. Është hyrje që e vendos krimin si pikënisje, jo si kulm dhe që e bën publikun ta kërkojë arsyen e asaj që ka ndodhur para se të dërgohet drejt konfliktit të brendshëm të dramës.

Në qasjen regjisoriale, Skender Podvorica ka krijuar një koreografi të kontrolluar emocionesh, ku heshtja ka pasur po aq funksion sa fjala. Për të, procesi ka qenë një prej përvojave më të plota artistike në këtë institucion.

“Ka qenë njëri prej proceseve më të lezetshme dhe më të mira që unë e kam përjetuar. Si një regjisor i ri, për mua është hera e parë që bëj shfaqje në Teatrin Kombëtar dhe që është produkt i tij. Pse pikërisht ‘Litarin’ e kam zgjedhur është për shkak të aktualitetit që e ka kjo dramë, ani pse është shkruar në vitin 1920, ende është aktuale dhe flet për ndjesinë që njerëzit e kanë kur mendojnë se kanë pushtet edhe mbi jetën e të tjerëve”, ka thënë ai pas shfaqjes.

Me “Litarin”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka shfaqur një prirje drejt teksteve që artikulojnë dilema të thella morale, duke e gërshetuar estetikën klasike me një qasje të ngjeshur skenike

Duke u shtuar gradualisht tensioni që nis të shpërndahet në dhomën ku vijnë një nga një mysafirët, dy protagonistët luhaten mes qetësisë së rreme dhe nervozizmit të brendshëm, ndërsa dialogët e parë krijojnë mjegullën e parë të dyshimeve. Festa nis të marrë formë, biseda të zakonshme, batuta, lëvizje të lehta nëpër hapësirë por, mbi të gjitha, qëndron prania e arkës që shndërrohet në tryezën ku shërbehet ushqimi. Në çdo afrim të personazheve tek ajo, publiku e ndien se si zvogëlohet hapësira mes krimit dhe zbulimit. Profesorit i mjaftojnë disa vëzhgime që të vërë në dyshim versionet e të rinjve, e nga ai moment drama ecën me ritëm të shtuar drejt çarjes së maskave, derisa gënjeshtra nis të plasaritet dhe misteri nis të marrë formë të plotë.

Koncepti është i ndërtuar mbi një lloj tensioni të qëndrueshëm, që nuk lejon shkëputje emocionale. Podvorica ka synuar të mbajë publikun brenda qarkut ku personazhet gëzojnë, harrojnë, kënaqen e pastaj rrëzohen sërish në peshën e krimit që e kanë fshehur.

“Kemi tentuar sa më shumë ta mbajmë tensionin dhe emocionet që publiku ta ndiejë gjithashtu prezencën dhe deri në fund të mos kuptohet ndjesia e krimit. Ka momente që ndoshta harrohet që brenda kësaj arke është një kufomë, për shkak të kënaqësisë që përjetojnë personazhet. Në fund është një lloj bumerangu edhe për audiencën, në rast se përballemi me raste të tilla dhe sa flasim për këto raste”, ka shtuar ai.

Në lojën e aktorëve nuancat kanë rëndësi të veçantë, me një interpretim të përqendruar rreth vetëbesimit të sëmurë të personazheve. Aktori Suhodolli ka treguar se tekstin e ka mbajtur në duar për një kohë të gjatë, duke e pritur momentin e realizimit të tij.

“Këtë tekst e kam pasur në dorë goxha moti… mezi e kam pritur këtë rol. Ka pasur raste kur jam zhgënjyer, se shtyhej dhe mendoja se s’do të bëhej. Kur më në fund e morëm vesh që po bëhej, isha shumë i lumtur, sepse mezi e kam pritur këtë rol, edhe pse nuk e kam krijuar më herët, se doja t’ia lija regjisorit, ta shihte se si ai do ta dërgonte rolin”, ka thënë ai.

Krah të tij Valmir Krasniqi, që ka interpretuar rolin e Granillos, një figurë që endet mes bindjes, frikës dhe shpërthimeve të brendshme. Për të, roli ka kërkuar selektim të kujdesshëm emocional.

“Roli ka qenë goxha sfidues për mua, sepse ka shumë ngjyra… ka aq shumë ngjyra, saqë është dashur të selektoja se çka po shtie në të, që të mos jetë as pak e as tepër”, ka thënë ai. Ka treguar edhe përvojën me Podvoricën.

“Jashtëzakonisht profesional, jashtëzakonisht i qartë në idenë se çka ka dashur të bënte dhe nuk na ka lënë as ne konfuzë të mendojmë se kah po shkon shfaqja”, ka shtuar ai.

Në fund të shfaqjes ritmi shtrëngohet dhe tensioni arrin kulmin sapo profesori i dy të rinjve i bashkon copëzat e enigmës dhe e kupton se çfarë fshihet brenda arkës. Konfrontimi që pason nuk ka nevojë për zëra të lartë: mjafton ngurtësia e tyre, rrënimi i vetëbesimit dhe paniku që përhapet në skenë. Ai i jep emër krimit, i vë përballë përgjegjësisë dhe i mallkon për aktin që kanë kryer, ndërsa drama mbyllet jo me zgjidhje, por me një ndalesë të ftohtë ku mbeten pezull pasojat morale. Përballja nuk sjell shpagim, por vetëdije të vonuar dhe shfaqja përfundon me një heshtje që rëndon mbi skenë dhe publik, duke bërë të qartë se krimi, edhe kur fshihet, nuk i shpëton dot zbardhjes.

Në rolet e tjera luajnë: Shkelzen Veseli në rolin e ish-profesorit të dy vrasësve, Rupert Cadell, Arta Selimi në rolin e të ftuarës Leila Arden, Rrezon Zhinipotoku në rolin e të ftuarit tjetër Kenneth Raglan, Selman Lokaj në rolin e Sir Johnstone Kentley, babait të viktimës, Lumnije Sopi në rolin e motrës së babit të tij dhe Semira Latifi në rolin e shërbëtores.

Skenografia është e ngjeshur në detaje, por e hapur në perceptim. Arkës i është dhënë funksioni i dyfishtë: objekt krimi dhe objekt feste, simbolikë që ka qëndruar gjatë mbi skenë. Dritat përdoren për të krijuar ritme të brendshme, duke e ndarë mbrëmjen në zona tensioni dhe qetësie të rreme. Në hapësirat midis lëvizjeve publiku ka mbetur shpesh i heshtur, duke i ndier valët e tensionit që dalëngadalë shtroheshin drejt përfundimit.

Tematikisht “Litari” shtjellon një çështje që ka fituar peshë edhe më të madhe në rrethanat aktuale: marrëdhënien e të rinjve me pushtetin dhe ndjesinë e epërsisë. Rrëshqitja drejt krimit në dramë nuk është paraqitur si pasojë e rrethanave ekstreme, por si produkt i një filozofie të deformuar të të qenit “më i zgjuar”, “më i guximshëm”, “më i lartë se tjetri”. Ky reflektim ka rezonuar në diskutimet që shpesh bëhen për shtrëngesat, hutimet dhe gabimet e moshave të reja në realitetin kosovar, duke e bërë shfaqjen një lloj paralajmërimi të heshtur.

Shfaqja është pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar, si produksioni i dytë dhe i tretë për sivjet, ndërsa pritet të pasohet nga “Gërdia” dhe “Nyja e Gidionit”. Me “Litarin” institucioni ka shfaqur një prirje drejt teksteve që artikulojnë dilema të thella morale, duke e gërshetuar estetikën klasike me një qasje të ngjeshur skenike që prek edhe publikun më të ri.