Publiku besnik i tyre gjithnjë ka qenë si kor. I tillë qe edhe në koncertin përmbyllës. “Marigona”, me vokalist Vullnet Sefajën, gjithnjë e ka trajtuar seriozisht atë që ka krijuar. Si frymë e pop-rockut në periudhën e errët të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e më pas me më shumë ngjyrë shprese, “Marigona” rrumbullakoi 35 vjet. S’jetuan kurrë prej muzikës dhe s’u komercializuan asnjëherë. Por krijuan art që mbetet. Kësisoj, mes emocionesh të forta, duartrokitjesh të pafundme dhe publikut që këndoi çdo varg bashkë me ta, “Marigona” i dha fund një kapitulli që la gjurmë në historinë e muzikës shqiptare
S’janë të shpeshta grupet muzikore në Kosovë që midis dëgjuesve bashkojnë shumë gjenerata. E as ato me të cilat identifikohet një epokë. “Marigona” i ka të dyja. Dhe këtë e ka dëshmuar me atë që ishte koncerti i lamtumirës: “Përjetë”. Me rreth 5 mijë veta në publik, “Marigona” e ka kthyer kohën prapa të shtunën mbrëma. Në periferi të kryeqytetit, grupi që prej vitit 1991 i këndoi dashurisë, rezistencës dhe, nëpërmjet artit, përshkroi përmbajtësisht kohë të vështira, por edhe ditë shprese, u mblodh për të fundit herë.
Publiku besnik i tyre gjithnjë ka qenë si kor. I tillë qe edhe në koncertin përmbyllës. “Marigona”, me vokalist Vullnet Sefajën, gjithnjë e ka trajtuar seriozisht atë që ka krijuar. Si frymë e pop-rockut në periudhën e errët të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e më pas me më shumë ngjyrë shprese, “Marigona” rrumbullakoi 35 vjet. S’jetuan kurrë prej muzikës dhe s’u komercializuan asnjëherë. Por krijuan art që mbetet.
Kësisoj, mes emocionesh të forta, duartrokitjesh të pafundme dhe publikut që këndoi çdo varg bashkë me ta, “Marigona” i dha fund një kapitulli që la gjurmë në historinë e muzikës shqiptare.
VIDEO:
Mbrëmja nisi me tingujt e këngës “Nëse do të më afrohesh”, të interpretuar nga Vullnet Sefaja, duke rikthyer menjëherë nostalgjinë e viteve kur “Marigona” u shndërrua në një nga grupet më të dashura në trojet shqiptare.
Edhe
Marigona Qerkezi – ylli në ngritje të përhershme
“Faleminderit që keni pasur durim. Ne e kemi planifikuar sonte me kaluar një mbrëmje shumë të mirë, po shpresoj unë. Por, qysh ja nisët ju, unë kam nevojë në secilën këngë të më ndihmoni, se i kam bërë do vjet. Faleminderit shumë. Tash po shkojmë me një këngë të fundit, ‘Jemi këtu’”, i është drejtuar publikut vokalisti Sefaja.
Në këtë koncert, të kuruar goxha në detaje, vokalistit i është bashkuar në skenë edhe e bija, Vesa Sefaja, për të interpretuar së bashku këngën “Në mes nesh”. Këngët e albumeve “O lop’t e mia”, “Mitrovica”, “Sonte” e shumë të tjera i kanë dhënë publikut një koncert që shkon përtej një ngjarjeje kulturore. I shoqëruar nga formacioni i instrumentistëve të rikthimit në skenë, si Labinot Krasniqi, Teoman Ukça, Edon Ramadani e Xhemil Gjini, Vullnet Sefaja ka dhuruar spektakël në skenë.
Kënga “Nuk është”, e lansuar këto ditë, ka bërë që në skenë të jetë edhe sopranoja Zana Abazi-Ramadani. Është një këngë ku bashkohen nostalgjia dhe një lloj interpretimi përshëndetës.
“Më herët e shikonim një këngë me një soprano. Unë kam pasur qejf tan’ jetën të bëj një këngë me soprano dhe më është plotësuar ëndrra, duke e falënderuar sopranon tonë Zana Abazi-Ramadani, të cilën unë po e marr, edhe po dua me ju tregu që Fatoni e ka bërë këngën...”, ka thënë Sefaja.
Faton Kurteshi është prej themeluesve të grupit. Kënga veçse i ka shtuar vlerë koncertit.

Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se bëhet fjalë për një mbrëmje që ishte më tepër se një koncert.
“Ishte një udhëtim nëpër 35 vjet histori muzikore, një mundësi për ta parë zhvillimin artistik të grupit në periudha të ndryshme, prej hapave të parë e deri te krijimtaria e viteve të fundit”, ka thënë ai.
E ka përshkruar si kënaqësi dëgjimin e tri këngëve të reja të grupit.
“Në veçanti, dueti me Zana Abazi Ramadanin ishte një prej momenteve më të bukura. Sidomos në versionin koncertal, ai interpretim tingëlloi magjik. Vullnet Sefaja mbetet, pa asnjë dyshim, një ndër vokalistët më të mirë që ka nxjerrë skena muzikore e Kosovës. Për këtë arsye, është për të ardhur keq që nuk do ta kemi mundësinë ta dëgjojmë në një koncert tjetër të ‘Marigonës’”, ka thënë Selimaj.
Sipas tij, edhe pse vitet e fundit grupi nuk ka qenë vazhdimisht aktiv në skenë, vendimi për t’i dhënë fund këtij rrugëtimi ka qenë, me gjasë, i menduar gjatë.
“SuperNova” me koncert të dyfishtë i vë flakën “Sallës së djegur”
“Megjithatë, besoj se ndoshta ia vlente t’i linte edhe pak kohë vetes para se ta mbyllte këtë kapitull përfundimisht – dhe këtë ia ka komunikuar edhe publiku gjatë koncertit, me reagimin e tij kur ai e bëri të ditur lajmin”, ka thënë ai.
Ka përshkruar se rrugëtimi muzikor, i ndërtuar përmes repertorit, ishte konceptuar me shumë kujdes.
“Edhe pse disa prej aranzhmaneve të reja, për shkak të lidhjes së fortë emocionale të publikut me versionet origjinale, nuk arritën gjithmonë të vinin plotësisht në shprehje, kjo nuk ia zbehu aspak vlerën koncertit. Përkundrazi, fakti që publiku këndonte çdo varg bashkë me grupin ishte dëshmia më e mirë e ndikimit që ‘Marigona’ ka pasur ndër breza. Me një kast profesionistësh, instrumentistësh në skenë, gjithçka u menaxhua në nivel të lartë”, ka thënë ai.
Ka shtuar se kjo nuk ishte një mbrëmje që e përjetoi si fund.
“Repertori i ‘Marigonës’ e ka fituar vendin e vet në kujtesën muzikore të Kosovës dhe jam i bindur se këto këngë do të vazhdojnë të jetojnë e të këndohen edhe për shumë vite. Ndoshta ‘Marigona’ e ka mbyllur kapitullin e saj koncertal, por muzika e saj do të mbetet pjesë e pandashme e skenës shqiptare”.
Mes artistëve që u ngjitën në skenë ishte edhe “MC Kresha”, i cili i falënderoi anëtarët e grupit “Marigona” për mbështetjen që i kanë dhënë në hapat e parë të karrierës së tij, duke kujtuar se ata ishin ndër të parët që i dhanë hapësirë në skenën muzikore shqiptare.
Ftesës për t’iu bashkuar kësaj mbrëmjeje iu përgjigj edhe Fifi, e cila ka thënë se është rritur me muzikën e tyre dhe se nuk e kishte menduar asnjëherë ta refuzonte një ftesë të tillë.
Edhe
Katërdekadëshi i Adelina Ismailit – simbol i forcës femërore
Shumë prej teksteve të këngëve të grupit ndër vite janë shkruar nga Memli Krasniqi, njëherësh muzikant i grupit të dikurshëm “Ritmi i rrugës”, e më pas politikan dhe ministër i Kulturës.
E për publikun, kjo nuk ishte vetëm një natë koncerti, por një takim i fundit me një grup që la gjurmë në muzikën shqiptare. Këngë që do të vazhdojnë të dëgjohen dhe me të cilat përshkruhet një pjesë e historisë muzikore të Kosovës.