Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministria e Kulturës jep edhe 1.2 milion për RTK-në që shkeli marrëveshjen

RTK

Marrëveshja e re midis Ministrisë së Kulturës dhe Radiotelevizionit të Kosovës është bërë duke shpërfillur krejtësisht faktin se RTK-ja nuk u është përmbajtur disa pikave kyçe të Marrëveshjes së kaluar: s’e ka bërë kanalin për kulturë, s’e ka formuar orkestrën, e madje s’ka mbuluar as shumicën e ngjarjeve kulturore

Pas 750 mijë eurove nga marrëveshja e parë së cilës RTK-ja nuk iu përmbajt dhe e lexoi sipas dëshirës, duke filluar prej këtij viti e deri më 2028, do të marrë edhe 1.2 milion euro të tjera, nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi ku “reprizohen” disa pika nga marrëveshja që s’u respektua. RTK-ja, njëjtë sikurse më 2023, edhe tash ka marrë përsipër incizimet profesionale me regji specifike për premierat, hapjet e ekspozitave e aktivitete të tjera të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të nivelit qendror dhe lokal. Por RTK-ja jo që nuk merret me nivelin lokal, por në të shumtën e rasteve as me atë qendror

Ministria e Kulturës dhe Turizmit sërish ka vendosur ta hapë kuletën për Radiotelevizionin e Kosovës. Institucioni më i lartë kulturor në vend është marrë vesh me RTK-në që për tre vjet t’ia japë 1.2 milion euro, nga 400 mijë euro në vit, duke filluar prej sivjet. Kësaj radhe është rritur shifra, pasi në periudhën 2023–2025, sipas marrëveshjes, i ka dhënë 750 mijë euro. Marrëveshja e re është bërë duke shpërfillur krejtësisht faktin se RTK-ja nuk i është përmbajtur disa pikave kyçe të Marrëveshjes së kaluar: s’e ka bërë kanalin për kulturë, s’e ka formuar orkestrën e madje s’ka mbuluar as shumicën e ngjarjeve kulturore. 

Në dokumentin e ri të bashkëpunimit janë përfshirë obligimet e vjetra që RTK-ja s’i ka përmbushur, e po ashtu ka edhe të reja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në ditën e 20-të të majit, ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe Zana Spahiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtorit të RTK-së, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për tre vjet, duke nisur nga sivjet. Marrëveshja është e ngjashme me atë të vitit 2023, kur në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve qe nënshkruar nga ministri i atëhershëm, Hajrulla Çeku.
Te marrëveshja e re rritet shuma e mbështetjes nga ana e Ministrisë së Kulturës, e edhe përgjegjësitë e RTK-së.

Nenet ku RTK-ja obligohet për incizimin profesional, produksionin dhe post-produksionin e ngjarjeve premierë, shfaqjeve, koncerteve, shfaqjeve operistike, hapjeve të ekspozitave dhe formave të tjera të institucioneve të MKT-së, janë të njëjta. Ashtu sikurse nenet që obligojnë RTK-në të përcjellë dhe promovojë aktivitetet kulturore dhe të trashëgimisë kulturore të organizuara nga MKT-ja dhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në varësi të Ministrisë. RTK-ja, njëjtë sikurse më 2023, edhe tash ka marrë përsipër incizimet profesionale me regji specifike për premierat, hapjet e ekspozitave e aktivitete të tjera të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të nivelit qendror dhe lokal.

Por RTK-ja jo që nuk merret me nivelin lokal, por në të shumtën e rasteve as me atë qendror. KOHA ka verifikuar nëse RTK-ja të paktën mbulon premierat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por kjo nuk ndodh. KOHA ka kërkuar po ashtu informacion nga qendra “Multimedia” nëse RTK-ja mbulon premierat e kësaj organizate, që është kryesorja e prodhimeve teatrore në vend sa i përket skenës së pavarur kulturore. Qendra “Multimedia” ka konfirmuar se asnjëherë s’ka ndodhur kjo, të paktën jo në vitet e fundit, kur edhe e ka obligim në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës. “Multimedia” hyn tek organizatat që financohen nga Ministria e Kulturës. 

Sa i përket aktiviteteve lokale, KOHA ka kërkuar informacion nga Teatri i Gjilanit. RTK-ja s’është parë as në këtë institucion. Viteve të fundit, RTK-ja xhiron koncertet e Filharmonisë së Kosovës, mbulon nganjëherë ekspozitat në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe nganjëherë premierat e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Në marrëveshjen e vitit 2023, RTK-ja kishte marrë përsipër veprimet për zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK, në baza vjetore. Kjo është e vetmja pikë që i është përmbajtur RTK-ja marrëveshjes së para tre vjetëve. E prej sivjet në këtë aspekt do të zgjerohet.

“Ndërmerr të gjitha veprimet për zhvillimin e ‘Akordeve të Kosovës’ dhe dy festivaleve (Festivalit të Këngës në RTK dhe Festivalit të Fëmijëve në RTK), në baza vjetore”, shkruhet te përgjegjësitë e RTK-së në dokumentin e ri. Para tre vjetësh, RTK-ja kishte marrë përsipër veprimet për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve orkestrale muzikore të RTK-së në nivel ligjor dhe praktik. Këtë s’e ka bërë. E konfirmon marrëveshja e re.

“Ndërmerr të gjitha veprimet për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve muzikore (bendi dhe orkestra) të RTK-së në nivel ligjor dhe praktik”, shkruhet në marrëveshjen e re që KOHA e ka siguruar nga Ministria e Kulturës nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike.

Në marrëveshjen e para tre vjetëve, transmetuesi publik kishte marrë përsipër themelimin e kanalit televiziv për artin dhe kulturën, ku edhe do të transmetonte të gjitha materialet televizive të prodhuara si dakordim i marrëveshjes. RTK-ja s’e ka bërë as këtë. E njëjta pikë figuron prapë në marrëveshjen e re.

“Merr përsipër transformimin e kanalit televiziv RTK4 për artin dhe kulturën, ku edhe do të transmetojë të gjitha materialet televizive të prodhuara si dakordim i këtij memorandumi”, shkruhet në dokument. 
Që të dyja dokumentet, ai i para tre vjetëve dhe i riu, midis të tjerash kanë edhe një pikë: raport të realizimit të pikave të dakorduara në baza vjetore.

KOHA para dhjetë ditësh ka pyetur RTK-në nëse ka raport që tregon nëse marrëveshja e vitit 2023 është respektuar, përse prapë kanë rënë dakord që kanali RTK4 të jetë kanal kulture kur për këtë kanë dakorduar qysh para tre vjetësh, përse s’është bërë transformimi deri më tash dhe përse s’është bërë zhvillimi i kapaciteteve orkestrale muzikore qysh në krye të herës, por për këtë gjë është dashur të pajtohen sërish. Po ashtu, RTK-ja është pyetur përse nuk mbulon shumicën e ngjarjeve kulturore që mbahen nga institucionet e MKT-së, pavarësisht marrëveshjes, dhe përse është parë e nevojshme që, pos Festivalit të Këngës, të kthehen edhe “Akordet e Kosovës”, si dhe kur do të ndodhë kjo. Pyetjet e përafërta, para dhjetë ditësh, i janë përcjellë edhe Ministrisë së Kulturës. Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli. 

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, më 2023 marrëveshjen midis dy institucioneve e kishte përshkruar si joproduktive. Dhe pas tre vjetësh, ka thënë se ashtu ka dalë.

“Ata jo veç në shfaqjet tona, por në asnjë shfaqje teatri nuk vijnë. Kjo është për vite të tëra. Ka vazhduar kjo së paku në 10 vjetët e fundit. As mediat e tjera nuk janë mirë, por RTK-ja e bart flamurin e mospërgjegjësisë ndaj ngjarjeve kulturore”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se nuk i pëlqen fakti që RTK-ja “grabit” buxhetin e kulturës, pasi ata është dashur ta mbulojnë kulturën pa fonde të MKT-së dhe, edhe kur marrin fonde, s’marrin kurrfarë përgjegjësie për ngjarjet kulturore. Ministria e Kulturës, në bazë të marrëveshjes, detyrohet që transferin ta bëjë nga kategoria e subvencioneve.

“Ministria e Kulturës e mbështet dhe bie në grackën e RTK-së, pasi ka nevojë për promovim. Por në raport me ngjarjet kulturore, RTK-ja s’bën gjë. Është thjesht një kooperativë e dështuar në këtë aspekt”, ka thënë Neziraj.

KOHA më 2023, kur qe lidhur marrëveshja e parë, kishte raportuar se Ministria e Kulturës ka ndarë 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes. Dhe RTK-ja anën protokollare të MKRS-së e ka mbuluar deri diku duke promovuar stafin ministror, por as në këtë drejtim jo aq sa ka marrë mjete. Asokohe RTK-ja, bashkë me Ministrinë e Kulturës, kishin reaguar.

“Mbulimi i ngjarjeve kulturore është obligim ligjor i RTK-së dhe vendimi për transformimin e RTK4 në një kanal kryesisht për art (gjë për të cilën edhe është themeluar vite më parë) nuk ka qenë kërkesë e Ministrisë, por përcaktim i Bordit dhe i menaxhmentit aktual të RTK-së”, shkruhej në reagimin e RTK-së. Por as pas tre vjetësh kanali s’është transformuar.

“Në këtë rast, shuma e apostrofuar është ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, Festivalin e Këngës (pasi Kosova synon edhe pjesëmarrjen në Eurovision)”, shkruhej në reagim, por orkestra nuk ekziston as pas tre vjetësh. Dhe, midis të tjerash, të dyja institucionet qenë ankuar për mungesë kontaktimi për të dhënë versionet e tyre, pavarësisht se KOHA kishte pasqyruar marrëveshjen. E kësaj radhe, 10 ditë kohë s’kanë mjaftuar për RTK-në dhe MKT-në që të ofrojnë sqarimet e tyre.

Lexo edhe…