Kulturë

Nata e harmonisë me frymorët e Parisit e harkorët e Prishtinës

Nata e harmonisë me frymorët e Parisit e harkorët e Prishtinës

Në pjesën e parë të mbrëmjes, Romain Leleu me trumbetë dhe Thomas Leleu me tubë kanë sjellë koncertin “Virtuosi Leleu Brothers”, në programin e të cilit janë përfshirë pjesë që udhëtojnë ndërmjet tangos, jazzit dhe frymës së muzikës së filmave (Foto: Arben Llapashtica)

Në skenë, fillimisht me koncertin “Virtuosi Leleu Brothers” të dyshes nga Parisi, kontrasti është ndërtuar përmes ndjenjës, delikatesës së trubës (Thomas Leleu) që mbështetet në tensionin e harkoreve të Orkestrës së Filharmonisë dhe trumbetës (Romain Leleu) që udhëheq me shkëlqim melodik. Muzikantët kanë krijuar një lidhje që përtej teknikës ka përçuar ndjesi bashkësie dhe përkushtimi. Duartrokitjet e gjata në fund të mbrëmjes, kanë mbyllur natën e tretë të serisë së koncerteve të “ReMusicas” që po e kthejnë Prishtinën në një hapësirë të përhershme takimi ndërmjet botëve muzikore

Dritat bojë vjollce të kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë janë shndërruar në sfond për një mbrëmje që ka bashkuar tingujt e botës së vjetër me shpërthimin e freskisë bashkëkohore. Në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”, që këtë vit mban temën “Kontrastet”, muzika ka marrë formën e një dialogu mes gjeneratash, ndjesish e kulturash.

Heshtja e hapësirës është bërë pjesë e melodisë, Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, dhe dy solistët francezë Romain e Thomas Leleu, kanë krijuar një mbrëmje që ka ndriçuar me virtuozitet e gjallëri.

Në pjesën e parë të mbrëmjes, Romain Leleu me trumbetë dhe Thomas Leleu me tubë kanë sjellë koncertin “Virtuosi Leleu Brothers”, në programin e të cilit janë përfshirë pjesë që udhëtojnë ndërmjet tangos, jazzit dhe frymës së muzikës së filmave. Repertori ka përfshirë veprat “Bordel 1900 – l’Histoire du Tango” të Astor Piazzollas (në aranzhim të Manuel Doutrelant), “Hommage à Piazzolla” të Thierry Escaich, “Manhã de Carnaval” të Luiz Bonfás, “Tango-Étude” po nga Piazzolla, “Tears for Pachelbel” të Christoph Moshberger dhe “Interlude No. 4” të Allan Botchinskyt.

Të mësuar me skena ndërkombëtare, dy vëllezërit virtuozë kanë shfrytëzuar izolimin e vitit 2020 për të krijuar një projekt të shumëpritur nga publiku. Ata regjistruan premierën botërore të “Divertimentos” nga Airelle Besson për “France Musique” dhe kanë publikuar albumin “Virtuosi” (La Dolce Volta). Dyshja ka performuar në Gjermani, Francë dhe në turne në Hong-Kong me “Hong Kong Sinfonietta”.

Pjesa e dytë e mbrëmjes, koncerti me Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Gregory Charette ka hapur një horizont tjetër tingujsh (Foto: Arben Llapashtica)

Nata ka ndërthurur interpretimet në të dyja koncertet, njëri me solistë, e tjetri bashkë me orkestrën, duke kaluar nga njëri te tjetri me një qetësi të lehtë, por me intensitet të lartë.

Dirigjenti që është i rregullt në Asko-Schönberg Ensemble dhe në Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, si dhe ligjërues dhe dirigjent i Ansamblit Akademik në Konservatorin Mbretëror të Hagës, ka thënë se ndien një lidhje të veçantë me orkestrën dhe publikun vendës.

“Gjithmonë më pëlqen të jem këtu me këtë orkestër, sidomos tani që ka më shumë njerëz të rinj në ansambël dhe është një energji shumë e mirë. Është ngjitëse dhe më pëlqen sa herë që vij. Ky program është pak më ndryshe për mua, është vërtet një koncert gala. I kishim dy solistë të shkëlqyeshëm, vëllezërit Leleu, dhe i realizuam shtatë pjesë të shkurtra – sikur të punoja me një operë me arie, çdo pesë minuta diçka ndryshe”, ka thënë ai për KOHËN.

Pjesa e dytë e mbrëmjes, koncerti me Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, ka hapur një horizont tjetër tingujsh. Romain e Thomas Leleu janë kthyer sërish në skenë me një program të strukturuar si një udhëtim ndërmjet klasikes, melodisë romantike dhe ritmit popullor. Në repertor janë përfshirë: “Suita e Shën Palit në C-dur” e Gustav Holstit, aria “Mon cœur s’ouvre à ta voix” nga Saint-Sawns, “Tristorosa” e Heitor Villa-Lobosit, “Danse bohème” nga opera “Carmen” e Bizetit, “Romanian Folk Dances” e Bartókut, si dhe dy pjesë të njohura nga muzika filmike: “Cinema Paradiso” e Ennio Morricones dhe “Otto e mëzo” e Nino Rotas.

Harkoret kanë krijuar një shtresë tingujsh që herë kanë qenë intensive, e herë janë tretur butë në heshtjen e kishës. Kanë mbajtur frymën e melodisë, teksa janë ngjitur në tensionin më të lartë të “frazave” të Bizetit e Bartokut. Kjo ndërthurje e ngjyrave është bërë ura që ka bashkuar frymën franceze të elegancës me atë ballkanike të ndjenjës së drejtpërdrejtë. Nën dirigjimin e Charetteit, ansambli ka ruajtur disiplinën e një trupi të vetëm, duke u bërë jo vetëm shoqërues, por bashkëbisedues me solistët.

Heshtja e hapësirës është bërë pjesë e melodisë, Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, dhe dy solistët francezë Romain e Thomas Leleu, kanë krijuar një mbrëmje që ka ndriçuar me virtuozitet e gjallëri (Foto: Arben Llapashtica)

Trumbetisti Romain Leleu ka thënë se kalimi i lojës nga një duo, në atë me orkestër e ka bërë interesant programin.

“Kisha kënaqësinë të luaja me tim vëlla, me orkestrën dhe me dirigjentin, andaj kaluam shumë mirë në këtë kishë të mrekullueshme dhe ishte një mundësi shumë e mirë ta luajmë këtë lloj programi, nga një duo, në lojën me orkestër, andaj jam shumë i kënaqur”, ka thënë trumbetisti, i cili në Prishtinë ka qenë edhe dy herë të tjera. Ai ka shtuar se pjesët e përzgjedhura përfshijnë krijime të njohura nga filmat, që i japin publikut ndjesinë e menjëhershme të njohjes.

“Në repertor kemi pjesë të njohura muzikore dhe muzikë nga filmat, andaj zgjodhëm të luajmë pjesë nga kompozitorë të ndryshëm dhe sa herë që luaj pjesë të tyre, më pëlqejnë shumë, sepse janë shumë të njohur, mirëpo vetëm për muzikë filmash”, ka shtuar ai.

Vëllai i tij më i ri, Thomas Leleu, ka theksuar se përzgjedhja e repertorit ka pasur për qëllim t’ia tregojë publikut “ngjyrat e ndryshme të muzikës”.

“Jemi munduar të prezantojmë pjesë të ndryshme nga atmosfera të ndryshme, kontraste të ndryshme e kompozitorë të ndryshëm dhe mendoj se është shumë e rëndësishme t’ia tregojmë audiencës ngjyrat e ndryshme të muzikës që mund t’i bëjmë. Prandaj vendosa t’i propozoja dy copëza nga operat franceze, ‘Saint-Saëns’ dhe ‘Carmen’, dhe ta bëjmë këtë pjesë që në formën e saj origjinale është për piano, unë kërkova aranzhim për tubë dhe për ansambël harkor”, ka thënë ai.

Në skenë, kontrasti është ndërtuar përmes ndjenjës, delikatesës së tubës që mbështetet në tensionin e harkoreve, dhe trumbetës që udhëheq me shkëlqim melodik. Muzikantët kanë krijuar një lidhje që përtej teknikës ka përçuar ndjesi bashkësie dhe përkushtimi. Duartrokitjet e gjata në fund të mbrëmjes kanë mbyllur natën e tretë të serisë së koncerteve që po e kthejnë Prishtinën në një hapësirë të përhershme takimi ndërmjet botëve muzikore.

Në kuadër të festivalit “ReMusica”, që këtë vit përfshin mbi 18 koncerte dhe rreth 200 artistë, mbrëmja me vëllezërit Leleu ka dëshmuar se “Kontrastet” nuk është vetëm përballje zhanresh, por mënyrë për të treguar se muzika, në thelb, bashkon. I vë në dialog traditat, kulturat e përvojat, për të kujtuar se tingulli është gjuha e vetme që s’ka nevojë për përkthim.