Ngjyrosja është bërë me motive të ndryshme, por tashmë të shkronja “R” vërehet një simbolikë domethënëse: ajo e ngjitjes me ar të gjërave të thyera. Në njëfarë forme plagët bëhen të arta. Puna për traditën e transformimit në pamje e në porosi të monumentit të inauguruar në Ditën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 ka nisur tash e disa ditë. Autori i veprës, artisti Fisnik Ismaili, ka ndarë me publikun pikërisht shkronjën “R”. “Kintsugi - arti japonez i ngjitjes me ar të gjërave të thyera, që i bën edhe më të forta, edhe më me vlerë”, ka shkruar Ismaili në rrjete sociale.
Puna ende nuk ka përfunduar krejtësisht. Skelet janë përreth monumentit të Pavarësisë. Ngjyrosja është bërë me motive të ndryshme, por tashmë te shkronja “R” vërehet një simbolikë domethënëse: ajo e ngjitjes me ar të gjërave të thyera. Në njëfarë forme plagët bëhen të arta.
Puna për traditën e transformimit në pamje e në porosi të monumentit të inauguruar në ditën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 ka nisur tash e disa ditë. Autori i veprës, artisti Fisnik Ismaili ka ndarë me publikun pikërisht shkronjën “R”.
“Kintsugi - arti japonez i ngjitjes me ar të gjërave të thyera, që i bën edhe më të forta, edhe më me vlerë”, ka shkruar Ismaili në rrjete sociale. Shkronjat e tjera sillen rreth kësaj teme, por janë të ilustruara me figura të ndryshme. Kurse sa i përket artit të njohur si “Kintsugi” legjenda thotë se arti filloi në shekullin XV kur shoguni japonez Ashikaga Yoshimasa, dërgoi një tas çaji të thyer për riparim dhe nuk i pëlqeu mënyra e zakonshme e rregullimit. Artizanët japonezë krijuan një metodë më estetike sipas tyre dhe kësisoj u lind “Kintsugi”. Zbërthimet për këtë mënyrë të shërimit të plagëve janë të shumta.
Në legjendat japoneze nëpërmjet këtij arti plagët emocionale shndërrohen në forcë e gabimet janë pjesë e rritjes. Është art i shërimit dhe pranimit të vetës. Kosova deri në liri e më pas rrugës për pavarësi ka përjetuar shumë plagë. Duket se Ismaili sivjet do që t’i sjellë ato në pah e nëpërmjet ngjyrës së artë t’u japë dimensione të tjera humane. Një ndër plagët e hapura të Kosovës vazhdojnë të jenë të pagjeturit qysh nga koha e luftës së fundit.
Vepra e inauguruar më 17 shkurt 2008, kur edhe u shpall Pavarësia, për pesë vjet kishte qëndruar njëjtë. U përurua me ngjyrë të verdhë e transformimi i veprës për gjysmë dekade ishin nënshkrimet nga qytetarët. Për 5-vjetor të Pavarësisë ishin punuar flamujt e shteteve që kishin njohur Kosovën deri atëherë në shenjë falënderimi e duke bërë thirrje për njohje të reja. Një vit më vonë qe ngjyrosur me uniforma të NATO-s, pasi ishte 15-vjetori i çlirimit. Asokohe ishte një shenjë falënderimi për aleancën më të madhe ushtarake në botë, që çliroi Kosovën më 1999. Në shkurt të vitit 2015 autori i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Po atë vit vepra kishte marrë statusin e monumentit nga shteti. Një vit më vonë telat me gjemba dhe qielli shpërfaqën një tjetër perspektivë. Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Sipas Ismailit, “No Walls” ka qenë mesazh shumë i fortë. Bash atëherë u bë një mur në Mitrovicë e edhe Donald Trump bënte fushatë me murin në kufi me Meksikën.
Në 10-vjetorin e Pavarësisë më 2018, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të Pavarësisë. E një vit më pas, më 2019, prapë ishte inkuadruar publiku duke bërë që ngjyrosja të ishte plotësisht në dorë të të rinjve, sipas dëshirës së tyre. Më 2020 qe homazh për viktimat e përdhunimeve kur të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – sublimonin mesazhin në formë thirrjeje “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”). Më 2021, nëpërmjet shuplakave të dorës me ngjyrë, ekipi bashkë me qytetarët kishin bërë kamuflazh ushtarak.
Në 14-vjetor të Pavarësisë më 2022 kishte gruan në fokus. Iu dedikua atyre me shumë arsye. Portretet shumëngjyrëshe që zinin shkronjat nga ana e përparme ishin gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa ishin lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave. Më 2023, NEWBORN-i kishte për qëllim që të mbrojë atë për të cilën është krijuar: Republikën. Qe transformuar në NO NEW BR. E, kur në shkronjat BR është e shkruar “BROKEN REPUBLIC”, kompletohej mesazhi: NO NEW BROKEN REPUBLIC. Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, kishte shigjetuar direkt planin për themelimin e një Asociacioni me një etni, atë të komunave me shumicë serbe. Në 16-vjetorin e tij e të shtetit më 2024NEWBORN-i festoi për lirinë e lëvizjes. Njëkohësisht bëri thirrje edhe për më shumë liri në krejt botën. Imazhet e kryeqendrave të Evropës kishin mbështjellë shkronjat dhe në koncept pyet nëse shtetasit e këtij vendi mund të fluturojnë përreth “7 qiejve”. Ai përvjetor e gjente Kosovën me liberalizim vizash. Më 2025 obelisku i Pavarësisë u mvesh me imazhe që flisnin për inteligjencën artificiale.
NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, duke përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të Ndërkombëtar për Publicitet në Cannes. Agjencia “Ogilvy Kosova” ishte shpërblyer edhe me “Silver Clio” në kategorinë e dizajnit në ceremoninë e 49-të me radhë të mbajtur në Miami.