Jo rastësisht, nga kritika muzika e trios gjermane vlerësohet si “thellësisht prekëse”, instrumentistët si “mjeshtër të rinj të shkëlqyer”, ndërsa albumi i tyre si “brilant”. Koncerti i “Nils Kugelmann Trio” në natën e tretë dhe përmbyllëse të “Mitrovica International Jazz Days” ka qenë si një rrugëtim që përditshmërisë e natyrës u jep ngjyra magjepsëse. Ka rrëfime dhe më pëlqen të kompozoj vepra që janë të frymëzuara nga jeta dhe udhëtimet që bëjmë unë dhe, për shembull, e dashura ime”, ka thënë kontrabasisti Kugelmann
Emocionet lundrojnë nëpër tinguj. Me to përshkruhen bukuritë e natyrës. Paralelisht në kulm të melodive është edhe gëzimi. Buzëqeshjet ilustrohen me harmoninë muzikore dhe krejt këto e bëjnë të paharrueshëm rrugëtimin muzikor të “Nils Kugelmann Trio” nga Gjermania në natën e tretë dhe të fundit të “Mitrovica International Jazz Days”.
Rrëfimet e njerëzve, kontrabasisti gjerman Nils Kugelmann që i prin trios, i shkrin në tinguj veprash të tij origjinale. Koncerti në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë qe, thjesht, mbresëlënës. Jo rastësisht, nga kritika muzika e trios vlerësohet si “thellësisht prekëse”, instrumentistët si “mjeshtër të rinj të shkëlqyer”, ndërsa albumi i tyre si “brilant”.
Me skenografi të thjeshtë të bazuar në lojën me ndriçim ku dominon ngjyra e Festivalit – e blerta – publiku që për herë të parë ka zbuluar muzikën e tre muzikantëve gjermanë me plot potencial, ka qenë tejet i vëmendshëm në secilin ritëm të tyre.
“A good day” ka qenë vepra e parë me një hyrje të krejt instrumenteve që shkrihen në solon e kontrabasit për ritme melankolike e ato të pianos që janë koherente si puls. Më pas është interpretuar edhe “Waiting for your laugh” e “Turtles and cocktails” me ritmet minimale dhe me dialogët e baterive dhe kontrabasit.
Të paktën nga veprat e prezantuara në Mitrovicë dallohet se buzëqeshja është një nga frymëzimet parësore. “Unexpected laugh” ka qenë titulli i veprës së radhës me melodi të lehta e tejet të këndshme. Shkon ngadalë drejt një loje dinamike duke kulmuar gradualisht.
Udhëheqësi i trios, kontrabasisti e kompozitori i veprave, Nils Kugelmann, ka thënë se krejt elementet që përfshin aty, e bëjnë muzikën e tij jo vetëm jazz, por shumë më shumë.
“Më pëlqen kombinimi midis njerëzve, emocioneve, historive, shembulli më i mirë për këtë mund të them se është muzika për film. Kjo muzikë nuk është vetëm jazz, por shumë më shumë. Ka rrëfime dhe më pëlqen të kompozoj vepra që janë të frymëzuara nga jeta dhe udhëtimet që bëjmë unë dhe, për shembull, e dashura ime”, është shprehur ai për KOHËN në fund të koncertit.
E ka theksuar se mundohet të mos tingëllojë si bend tipik i jazzit.
“Kompozoj veprat dhe pastaj i luajmë bashkë me bendin. Mendoj se është një lloj tingulli unik dhe shumë më modern në krahasim me muzikën ‘swing’, por mendoj se kështu publiku i jazzit mund ta ndiejë muzikën dhe të vallëzojë me këtë”, ka thënë Kugelmann.

Sipas tij, kjo muzikë nuk është teori, mundet vetëm të ndihet.
“Ne e kemi studiuar edhe anën tradicionale. Ka edhe pika solo dhe ka plot improvizime. Struktura nuk është komplet në frymën jazz, por më shumë në muzikë klasike dhe me ndikimin e pop-it”, ka bërë të ditur kontrabasisti Kugelmann.
Veprat e interpretuara në koncertin njëorësh të enjten mbrëma në Mitrovicë kanë përfshirë një repertor prej shtatë këngësh nga albumi më i ri i trios, “Life Score” të publikuar më 25 prill, si dhe nga albumi i tyre debutues “Storm Beauty”, i lansuar në qershor të vitit 2023, që qe nominuar për Çmimin Gjerman të Kritikëve.
Kugelmann është vlerësuar me çmimin “BMW Young Artist Jazz Award” për punën e tij si muzikant dhe kompozitor dhe me çmimin e parë në “Çmimin Evropian të Artistëve të Rinj 2023” me trion e tij.
Me pianistin Luca Zambito, po ashtu fitues i “Young Münich Jazz Award” dhe bateristin Sebastian Wolfgruber, ndërtojnë trion e vlerësuar dhe të pasionuar të jazzit modern gjerman. Së bashku, ata kanë fituar çmime në “Förderpreis des Bayerischen Jazzverbands” dhe në “Future Sounds Wettbewerb” në Leverkusen.
Po aq sa jazzi është i pranishëm, ritmet nuk mungojnë. Vijnë me një dozë estetike kryesisht nga pianoja.
“Ka elemente të ndryshme në këtë muzikë origjinale të Nils Kugelmann. Mendoj se ka ndikime nga veprat klasike dhe ritmet harmonike për të cilat kemi ushtruar shumë bashkë dhe na pëlqen të luajmë vetëm për t’i kënaqur turmat. Ky kombinim e bën unik tingullin e kësaj trioje”, ka thënë pianisti Luca Zambito.
Në shumicën e veprave, bateritë janë tejet energjike. Këtë lojë e ka përcjellë bateristi Sebastian Wolfgruber.
“Në bend kemi shumë dinamika, ku duhet të japim shumë energji, të jemi shumë të zëshëm dhe nganjëherë të jemi më të butë. Unë si baterist duhet të kem krejt spektrin e dinamikave që sjellin bateritë”, ka thënë ai duke theksuar se meloditë janë të kapshme për dëgjuesit.
“Ka shumë pjesë që japin energji fondamentale dhe meloditë bëhen bashkë. Janë të kapshme për dëgjuesit. Nganjëherë improvizojmë shumë dhe në mënyrë të ndryshme, por në fund meloditë bëhen një”, ka thënë ai.
Tingujt “e vonuar” dhe jo në përputhje midis instrumentesh e bëjnë unike veprën “Key moment”. Kugelmann ka shpjeguar se lidhet me ndjesinë e humbjes së çelësave.
Me “Coffee in the rain” dhe “Clap and dance” kanë ftuar publikun të vallëzojë.
Bota e përbashkët e tri talenteve buron nga lidhja e thellë dhe dashuria për jazzin.
Drejtoresha e festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, Rona Nishliu, e ka konsideruar trion si të guximshme me integrimin e frymëve të reja muzikore në jazz.
“E përmbyllëm me një brez total të ri, me brezin aktual të jazzit evropian, me zërin e një gjenerate që është gjithashtu tepër e guximshme në kontekstin që fuzionojnë muzikën e popullarizuar me atë jazz, për të mbledhur audiencat e reja dhe për ta bërë atë më atraktive për ta”, ka thënë Nishliu.
Festivali sivjet ka marrë pjesë për herë të parë në panairin dhe festivalin më të madh të jazzit në botë “Jazzahead!”, me seli në Bremen të Gjermanisë, që u mbajt prej 24 deri më 26 prill. U promovua trioja gjermane, festivali e madje edhe siguroi një stendë për vitin e ardhshëm, ku do të promovohet skena muzikore e Kosovës.
“Është shumë e veçantë dhe si pikë e parë e përfaqësimit zyrtar të Kosovës në ‘Jazzahead’, ku kemi marrë ftesë. Patëm marrë pjesë edhe para disa viteve, por thjeshtë nuk ndodhi. Po shpresoj që edhe ne do të jemi me një stendë tonën ku promovohet i gjithë potenciali ynë”, ka thënë Nishliu.
Festivali nisi më 29 prill me dyshen Elina Duni dhe Rob Luft në qendrën kulturore “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë. Në edicionin e tretë, festivali u zhvendos edhe në Prishtinë. Një ditë më pas, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka interpretuar Aziza Mustafa Zadeh nga Azerbajxhani.
“Kjo seri koncertesh të cilën e organizuam në kuadër të festimeve të Muajit të Jazzit ka shkuar mjaft mirë. Jemi shumë të lumtur që krahas dy edicioneve me emra mjaft të rëndësishëm dhe të rinj shumë premtues, kemi arritur të sjellim tri koncerte gjatë tri ditëve, të cilat publiku i ka mirëpritur. Ky është objektivi i secilit festival – të sjellë muzikë, të kontribuojë me cilësi, por edhe të kënaqë publikun i cili e ndien mungesën e aktiviteteve të tilla”, ka përmbledhur Nishliu.
Veprat e interpretuara nga “Nils Kugelmann Trio” krijojnë botë tingujsh energjikë që magjepsin dhe e prekin thellësisht dëgjuesin që nga nota e parë.