Bekim Fehmiu si aktori shqiptar më i suksesshëm në kinematografinë botërore është përkujtuar nga fiks 15 veta në Prizren në mesditën e së hënës. Kujtimi e nderimi i kontributit të tij është çdo vit e më i zbehtë. Institucionet qendrore as që merren me këtë çështje, pavarësisht alamet iniciativave. Kurse ata që besnikërisht e kujtojnë janë të shqetësuar me zbehjen e këtij aktiviteti
Hedhja e luleve në Lumbardh dhe duartrokitjet kanë shënuar përvjetorin e 16-të të vdekjes së Bekim Fehmiut. Fehmiu si aktori shqiptar më i suksesshëm në kinematografinë botërore është përkujtuar nga fiks 15 veta në Prizren në mesditën e së hënës. Kujtimi e nderimi i kontributit të tij është çdo vit e më i zbehtë. Institucionet qendrore as që merren me këtë çështje, pavarësisht alamet iniciativave. Kurse ata që besnikërisht e kujtojnë janë të shqetësuar me zbehjen e këtij aktiviteti.
Aktorë e një pjesë tjetër e stafit të teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren dhe disa qytetarë janë bashkuar në mesditën e së hënën mbi urën e Marashit. Nëpërmjet aktivitetit “Një lule për Bekim Fehmiun” kanë shënuar 16-vjetorin e vdekjes së aktorit. Kanë nderuar jetën, veprën e krijimtarinë e aktorit shqiptar me nam në botë. Iniciativa e stafit të Teatrit të qytetit që mban emrin e Fehmiut, çdo vit është më e zbehtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo formë nuk është e rastësishme. E them këtë si njëri prej ideatorëve të këtij eventi. Kjo lindi në pamundësi të pjesëmarrjes në varrimin e Bekim Fehmiut... Atë vit i ftuam qytetarët që të marrin lule në kopshtet e tyre dhe ta nderojmë duke i hedhur në lumë.... Një simbolikë domethënëse që fatkeqësisht po zbehet...”, ka thënë aktori prizrenas Xhevdet Doda.
Drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa për mediet lokale ka deklaruar se tash e sa vjet Teatri e kujton Fehmiun duke ftuar komunitetin e qytetarët për ta nderuar me lule që i sjellin nga oborret e tyre.
“Për ne pjesëmarrja nuk është e kënaqshme. Ne vazhdimisht mundohemi ta rikujtojmë e të mos i harrojmë vlerat dhe kontributin e tij. duhet një sensibilizim më i madh për njerëz që kanë kontribuuar për artin dhe kulturën”, ka thënë ai.
Bekim Fehmiu vdiq më 15 qershor të vitit 2010 në Beograd. Amaneti i tij qe që hiri i tij i sjell me urnë nga Beogradi të hidhej në Lumbardhin e Prizrenit që është edhe qyteti i tij. Më pas shteti nisi iniciativa të ndryshme. E fundit qe ajo e para pesë vjetëve.
Në ditën e parë të qershorit të vitit 2021, Ministria e Kulturës kishte organizuar një alamet ngjarje. Ceremonia e dhënies së çmimit kombëtar për vepër jetësore për kinematografi “Bekim Fehmiu” ishte zhvendosur nga kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në “Kino Armatë”. Aty udhëheqësit institucionalë, në krye me kryeministrin Albin Kurti, kishin treguar se shteti do të kthejë kokën nga krijimtaria e aktorit të pashoq në këto anë. Por realisht derivati i deritashëm është veç një listë propozimesh për të dokumentuar veprimtarinë e Bekim Fehmiut, e cila ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Kulturës. Procesi nuk ka ecur më, siç ka ngjarë me shumë nisma të tjera kulturore që Qeveria i prezanton me pompozitet.
Në 85-vjetorin e lindjes së aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu, kryeministri Albin Kurti kishte bërë përmbledhje të biografisë së artistit nga Kosova. Por kishte shkuar edhe më tej.
“Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”, kishte thënë ai. Por pesë vjet më vonë, lërë që nuk ka pasur “program vjetor dhe të përhershëm”, por as nuk është ndarë çmimi “Bekim Fehmiu”, simbolika e vetme me të cilën është qeveria ka nderuar aktorin një herë në vit.
Në ditën e premtimeve të mëdha ishte bërë me dije se ministri i asokohësh i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Fadil Hysaj, Milazim Salihu, Fahri Musliu, Melihate Qena, Agon Fehmiu, Vlora Nikqi, Jehona Shyti, Bislim Bislimi, Ilir Gjocaj, Lum Çitaku dhe Burim Susuri, qenë anëtarët e grupit punues.
Ky grup në fund të vitit 2021 do t’i propozonte Ministrisë së Kulturës që të themelohej kinoteka e Kosovës, “Bekim Fehmiu”, pjesë e saj të jetë Pavijoni i Bekim Fehmiut, një festival ndërkombëtar studentor i filmit dhe tetarit “Bekim Fehmiu”, përkthimi në anglisht i vëllimeve autobiografike “Shkëlqim dhe tmerr” e po ashtu monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, me autor gazetarin veteran, Fahri Musliu. Më pas propozohej që Presidenca t’i japë dekoratën më të lartë shtetërore post mortem Bekim Fehmiut, një fondacion me emër të aktorit që do të mbështeste edukimin e studentëve jashtë vendit, si dhe shfaqja e filmave ku luan Fehmiu në televizionin publik, përfshirë “Odisenë”.
Por grupi s’kishte marrë asnjëherë përgjigje. E Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për iniciativën për dokumentimin e veprimtarisë së aktorit me nam.
Në ceremoninë e vitit 2021 ishte shfaqur filmi “Mbledhësi i puplave” nën regji të Aleksandar Petroviqit, fitues i çmimit “Grand Prix” në Festivalin Cannes, 1967. Me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor (Beli Bora), filmi ka shpalosur tensionet e një komuniteti rom, ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë.
Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë, më 10 qershor të vitit 1936, nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 pikërisht me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filmat si: “Aventurieri”, “Të kuq dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987, Fehmiu braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke ia dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Në vitin 2010, ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë, patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit.