Policia e Kosovës, duke asistuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, ka ndalur punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të martën pasdite. Është hera e tretë që punimet për projektin 18.4 milionë euro ndalen nga organet e trashëgimisë kulturore.
Para se Policia të asistonte për ndaljen e punimeve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u përplas verbalisht me inspektorët e ITK-së, duke këmbëngulur se punimet po zhvillohen brenda kornizave ligjore dhe nuk po cenojnë zonën e mbrojtur.
Komuna e Prishtinës ende nuk ka siguruar lejen nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Mosmiratimi i projektit lidhet kryesisht me planin për ndërtime të reja që, sipas IKMM-së, cenon integritetin e monumenteve përreth. Në një shkresë zyrtare të dërguar Komunës, IKMM ka kërkuar që lënda për pajisje me leje të plotësohet me dokumentacionin përkatës dhe të rishikohet ndikimi i projektit në trashëgiminë kulturore.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj, tha se për shkak të këtij projekti ka filluar që të ketë presion dhe t’i shkruajnë qytetarët edhe privatisht.
Ai tha se sipas hartave, në punime që janë duke u kryer ka tejkalim të autorizimeve.
“Urojmë që nga sot ata të qëndrojnë edhe jashtë orarit dhe të kryejnë punën e vet. Kjo Komunë ka dërguar një kërkesë dhe obligohet të presë kërkesën për plotësim të dokumentacionit dhe të tërhiqet prapa, sepse është kaluar në personale. Kanë nisur që të më shkruajnë njerëzit edhe privatisht. Ju garantoj që asnjëherë askush nga niveli qendror nuk më ka thirrur. Jo me këtë qasje nuk kam ardhur të shtyhem personalisht. Për çdo gjë ju ftoj për vendimin, sipas hartave që i kemi, jemi të njoftuar që ka tejkalim të autorizimeve”, tha Hakaj.
E nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, fajësoi Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve për situatën e krijuar në lidhje me projektin në sheshin “Xhorxh Bush”.
“Instituti për mbrojtjen e monumenteve është fajtor pse ne jemi sot këtu, sepse nuk është duke kryer punën e vet, nuk është duke e shqyrtuar kërkesën dhe projektin e Komunës së Prishtinës me profesionalizëm, por është duke bërë politikë. Ne nuk jemi duke bërë politikë këtu. Ne jemi duke realizuar këtë projekt në shesh për interes të qytetarëve të Prishtinës dhe kërkojmë na institucione që të mos bëjnë politikë me projekte”, tha Manaj.
Rama paralajmëron kallëzime penale për ata që pengojnë "zhvillimin e kryeqytetit"
E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një video të postuar në Facebook ka paralajmëruar kallëzime penale për “të gjithë ata që pengojnë zhvillimin e kryeqytetit”.
Ai ka thënë se punimet janë ndërprerë për aspekte “puro politike”.
“Me presion të ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës, i detyrojnë e i shfrytëzojnë policinë që të na ndërpresin punimet...Thonë se gjysma e rrugës qenka e mbrojtur e gjysma jo. Ne mundemi me vazhdu në njërën anë, por jo në anën tjetër se ai asfalt qenka i mbrojtur. Kjo Qeveri në ikje i shfrytëzon të gjitha instancat në mënyrë joligjore, se nuk ka asnjë bazë ligjore, asnjë dokument ligjor, me i ndërpre këto punime. Ja që i ndërpresin. Nuk ja u ndien se po i humbin kohë qytetarëve, fëmijëve tanë. Për aspekte puro-politike na pengojnë këtu në zbatimin e punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Ne do të vazhdojmë me punën tonë, e do t’i dërgojmë kallëzime penale për të gjithë ata që na pengojnë në zhvillimin e kryeqytetit”, ka thënë Rama.







