Kulturë

“Perla dhe Dreri i Artë” me magjinë e lirisë që nuk blihet

Përurimi i librit “Perla dhe Dreri i Artë” i Elia Zaharias ( në mes) të enjten pasdite në librarinë “Dukagjini”, në Prishtinë

Përurimi i librit “Perla dhe Dreri i Artë” i Elia Zaharias ( në mes) të enjten pasdite në librarinë “Dukagjini”, në Prishtinë

Përditshmëria e Elia Zaharias me të bijën është zanafilla e librit “Perla dhe Dreri i Artë”. Në një kohë kur përditë e më shumë libri largohet prej fëmijëve, vepra e një personazhi të njohur si Zaharia, bëhet bestseller, e mesazhi që ajo synon të përcjellë është i shumëfishtë. “Një nga gjërat që do të doja që fëmijëve t’u mbetej është mesazhi që gjërat që janë të vlefshme dhe që me të vërtetë na bëjnë të lumtur, me të vërtetë nuk blihen, nuk janë gjëra materiale. Dhe mesazhi i Perlës, që është një princeshë, do të vendoset para zgjedhjeve shumë joshëse. Nëse do t’i pranojë këto zgjedhje, do të humbasë atë që është zgjedhja më e çmueshme, e që është liria”, ka thënë Zaharia

Magjia e përjetshme është në librin për fëmijë “Perla dhe Dreri i Artë” nga Elia Zaharia. Vepra e saj konsiderohet si histori për mirësinë dhe guximin në një botë të mbushur përplot me figura mitologjike. Është përrallë që përçon mesazhe se gjërat e vlefshme nuk janë materiale. Se shpirti duhet të jetë i lirë e se dashuria dhe kuraja duhet të triumfojnë përherë. Pas serisë së promovimeve nëpër trevat shqipfolëse, tregimi i librit për fëmijë “Perla...” i Zaharias është shpalosur edhe në Prishtinë.  Është vlerësuar si krijim edukativ dhe frymëzues. Ky libër synon të magjepsë lexuesit e vegjël me dritë, mirësi dhe guxim. Është përrallë për zemrën dhe shpirtin dhe ftesë për të besuar te mrekullitë dhe fuqia e zemrës së pastër. Faqet janë të ilustruara për të zgjuar edhe më shumë imagjinatën e fëmijëve për një botë larg djallëzisë.

Siç është bërë e ditur në promovimin në librarinë “Dukagjini”, libri flet për luftën kundër së keqes, dyluftimin midis së keqes dhe së mirës dhe se si e dyta përherë fiton në fund.

Autorja e librit “Perla dhe Dreri i Artë”, aktorja Elia Zaharia, ka treguar se përralla e saj nuk nis me formalitetin “Na ishte seç na ishte”.

“Fillimi është bashkëkohor, nuk fillon si një përrallë tradicionale, sepse fillon me një rutinë të përditshme timen dhe të vajzës sime. Unë kam një vajzë të vogël, pesë vjeçe dhe kjo përrallë fillon me një rutinë tonën. Sa herë ajo është në pushim nga kopshti, më kërkon të dalim në shëtitje dhe të shohim lulet, sepse i ka shumë qejf, dhe kështu e filloj. Nis nga kjo e përditshme e jona, për të filluar më pas përrallën në mënyrë tradicionale, ku vajza ime takon personazhin që sjell kohët”, ka thënë ajo në promovim.

Megjithëse kjo fjali është e pashmangshme në përrallë, Zaharia e ka modifikuar atë si: “Na ishte seç na ishte, na ishte njëherë në vendin e shqiponjave”, duke ia bërë të ditur lexuesit vendin ku rrëfimi zë vend.

Këtë, Zaharia e ka konsideruar si përrallë brenda përrallës, duke e paralelizuar me teatrin brenda teatrit.

“Unë vij nga bota e teatrit dhe jam e mësuar me teatër brenda teatrit, kështu që në këtë rast kam sjellë përrallën brenda përrallës. Kjo në mënyrë që fëmijët të ndihen sa më pranë një bote magjike, sepse siç i përket vajzës sime, ashtu u përket të gjithë fëmijëve. Të gjithë ne mund ta ushqejmë ‘na ishte një herë’”, është shprehur ajo.

Veprat për fëmijë shquhen për mesazhe të shumta e për natyrën e tyre edukuese. E Zaharia ka bërë të ditur se mesazhet e saj për fëmijë janë edhe ato për të rriturit.

“Përralla ime ka disa mesazhe, për mua të rëndësishme në të gjitha kohërat, edhe kur rritemi. Një nga gjërat që do të doja që fëmijëve t’u mbetej është mesazhi që gjërat që janë të vlefshme dhe që me të vërtetë na bëjnë të lumtur, me të vërtetë nuk blihen, nuk janë gjëra materiale. Dhe mesazhi i Perlës, që është një princeshë, do të vendoset para zgjedhjeve shumë joshëse. Nëse do t’i pranojë këto zgjedhje, do të humbasë atë që është zgjedhja më e çmueshme, e që është liria. Liria është një nocion që nuk blihet dhe nuk negociohet”, është shprehur krijuesja e aktorja Elia Zaharia.

“Perla dhe Dreri i Artë” u publikua këtë vit, në prag të Ditës Botërore të Fëmijëve. Si dhuratë për ta nga autorja, frymëzuar nga e bija e saj, shkroi librin. Në fundkorrik, kur u mbajt Panairi i Librit në Ulqin, Zaharia, po me këtë vepër, mori çmimin “Dega e ullirit”.

E sipas botueses Elda Vela nga shtëpia botuese “Media Print”, ky libër është bestseller i tyre nga Panairi i Librit në Tiranë, që u mbajt prej 12 deri më 16 nëntor.

“Libri ‘Perlat dhe Dreri i Artë’ ka qenë libri më i shitur i shtëpisë botuese ‘Media Print’ për vitin 2025. Edhe në momentin e botimit përqafoi shumë lexues të vegjël, por edhe në Panair, në ngjarjen më të madhe librore që zhvillohet çdo vit në muajin nëntor në Tiranë, ishte libri më i shitur. Aty kishte shumë vogëlushë që donin të shfletonin librin, të bënin fotografi me shkrimtaren dhe të kuptonin se pse ajo kishte bërë libër me titull të tillë, pse kishte zgjedhur një ngjyrë të tillë kopertine, pse kishte punuar me një ilustruese”, ka thënë ajo.

Është shprehur krenare si botuese e librit sa i përket anës përmbajtjesore të tij.

“Është një libër i cili pos se ka një ngjarje shumë interesante për Perlën që takon një dre të artë dhe rrugëtimi i tyre vazhdon me shumë vështirësi, por edhe me shumë gjëra të bukura, u tregon pikërisht këto vogëlushëve që gjithmonë t’i mbani pranë ëndrrat tuaja”, ka thënë ajo.

Publik i promovimit kanë qenë kryesisht nxënës të shkollës fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë. Botuesja Vela u ka shpjeguar fëmijëve se si ndodh procesi i botimit të librit.

“Elia hedh mendimet e saj në një letër të bardhë dhe ne e marrim, fillojmë ta redaktojmë. Kjo do të thotë që në rast se ka gabime të vogla, ndonjë fjalë që duhet rregulluar. Pasi redaktohet, kalojmë në fazën e ilustrimit, që janë fotografitë në libër që ju bëjnë të kënaqeni, të fantazoni, ta shikoni botën me ngjyra të tjera. Pasi libri është ilustruar, i bëjmë një kopertinë të bukur dhe e çojmë në shtypshkronjë për të bërë shumë kopje”, ka thënë Vela.

Elia Zaharia është po ashtu autore e  librit për fëmijë “Trëndafili i Bardhë”, i cili në dhjetor të 2019-s po ashtu qe promovuar në librarinë “Dukagjini”. Vepra e saj e dytë për fëmijë “Perla dhe Dreri i Artë” është përrallë e frymëzuar nga marrëdhëniet e njerëzve me natyrën dhe nga mirësia.