Ekspres, krejt formal dhe pa ftesë për media ka qenë pranim-dorëzimi i ministrit të Kulturës, tash edhe Turizmit. Pa u bërë 24 orë prej emërimit, të enjten, Saranda Bogujevci ka pranuar detyrën e ministres nga Hajrullah Çeku, i cili prej së mërkurës është ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Me Qeverinë “Kurti 3”, deri tash Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është ndarë në dysh, në Ministri të Kulturës dhe Turizmit dhe në Ministri të Sportit dhe Rinisë, të cilën do ta udhëheqë Blerim Gashani.
“Urime për detyrën e re ministres së Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Jam i bindur se përvoja, përkushtimi dhe vizioni i tyre do të jenë shtysë e re për zhvillimin e mëtejmë të sportit, kulturës dhe turizmit në vendin tonë. Këto fusha janë themel i identitetit dhe energjisë sonë shoqërore dhe meritojnë angazhim të pandërprerë”, ka shkruar ministri Çeku në rrjete sociale. Ka falënderuar për bashkëpunimin dhe besimin të gjitha komunitetet me të cilat ka punuar. “Falënderim i veçantë për artistët, sportistët, punëtorët kulturorë, federatat, organizatat, profesionistët e trashëgimisë kulturore, të rinjtë, stafin e MKRS-së, institucionet e varësisë dhe kabinetin për punën e palodhshme dhe përkushtimin e tyre”, ka shkruar ai, në postimin e shoqëruar me foto.
Gjysmë ore pas postimit KOHA ia ka dërguar dy pyetje ministres së re të Kulturës dhe Turizmit. “Si i shihni zhvillimet e deritanishme kulturore” dhe “Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat”, kanë qenë dy pyetjet. KOHA nuk ka marrë përgjigje deri të enjten vonë.
Angazhimin e saj politik, Bogujevci e nisi pikërisht në kulturë. Në fund të vitit 2014, për një periudhë të shkurtër ka qenë drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit.
“Ka diplomuar në Universitetin Metropolitan të Manchesterit në Britani dhe është në përfundim të studimeve master në Drejtësi Transicionale, të Drejtat e Njeriut, Ligj dhe Rend në Akademinë e Gjenevës. Saranda është artiste dhe aktiviste, e njohur për angazhimin në organizatën ‘Manchester Aid Kosovo’, ku ka realizuar projekte të rëndësishme në Podujevë, përfshirë krijimin e ‘Parkut të Paqes’. Ajo është bashkartiste e ekspozitës ‘Bogujevci /Histori Vizuale’, e cila ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Saranda është një nga të mbijetuarat e masakrës së Podujevës gjatë luftës në Kosovë, ku humbi një pjesë të madhe të familjes. Ajo dhe fëmijët e axhës janë fëmijët e parë në botë që dëshmuan për krime të luftës në gjykatë. Në vitin 2003, ajo u nderua me çmimin ndërkombëtar për kurajë morale ‘Anna Frank’”, shkruhet në biografinë e saj në ueb faqen e Vetëvendosjes. Po aty shkruhet se si deputete në legjislaturat VI dhe VII, ka qenë anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe e Grupit të Grave Deputete.
“Në legjislaturën e fundit, Saranda Bogujevci shërbeu si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe kryesuese e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke avancuar të drejtat njerëzore dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, shkruhet aty.