Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Skena e pavarur kulturore e varur nga besimi i shtetit e interesi politik

Qasja në përgjithësi – por me fokus te hapësirat e funksionimit të skenës së pavarur kulturore – qenë në fokus të debatit “Kultura publike dhe kultura e pavarur”

Qasja në përgjithësi – por me fokus te hapësirat e funksionimit të skenës së pavarur kulturore – qenë në fokus të debatit “Kultura publike dhe kultura e pavarur”

Suksesi ndërkombëtar vazhdon të jetë kusht që skenës së pavarur kulturore t’i besojnë institucionet e shtetit. Kushtet janë refreni e udhëheqësit politikë rëndom interesohen për artistë e skena si këto vetëm kur kanë interes. “Kultura publike dhe kultura e pavarur”, ka qenë tema e debatit të dytë në kuadër të serisë “Fuqizimi i Kulturës”. Infrastruktura dhe mungesa e dorës së shtetit për ta pasur një ambient funksional për një nismë ose organizatë të etabluar kanë marrë pjesën më të madhe të debatit

Marrëdhënia e institucioneve shtetërore me atë që quhet skenë e pavarur kulturore, është një çështje diskutimi që zë fill prej kur artistët nisën të krijojnë produkte e hapësira alternative kulturore. Trajtimi jo i duhur që institucionet publike ua bëjnë iniciativave të pavarura,  është një betejë që s’ndalet. Qasja në përgjithësi - por me fokus te hapësirat e funksionimit të skenës së pavarur kulturore – qenë në fokus të debatit “Kultura publike dhe kultura e pavarur”. 

Në kuadër të programit të “Hani i 2 Robertëve” dhe serisë “Fuqizimi i Kulturës”, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, drejtoresha e “Kino Armatës”, Rozafa Maliqi, dhe drejtori i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, kanë diskutuar rreth marrëdhënies së kulturës publike dhe asaj të pavarur. Dyshja Maliqi dhe Neziraj krejt në fillim kanë folur për investimin e madh të skenës së pavarur fillimisht për ta siguruar ekzistencën në sytë e institucioneve publike. Maliqi që aktualisht udhëheq me “Kino Armatën” është prej aktereve që me iniciativa vullnetare kanë funksionalizuar hapësira të braktisura. E dramaturgu Neziraj udhëheq me organizatën, produksionet teatrore të së cilës kanë prekur edhe “La Maman” në New York. Nevoja për sukses ndërkombëtar që të marrin trajtim më dinjitoz nga institucionet shtetërore, është folur goxha. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Duhet pasur sukses ndërkombëtar që të afirmohesh këtu”, ka thënë Neziraj. E Maliqi ka marrë shembull se si para rreth një dekade bashkë me aktivistë nga Luksemburgu kanë ngjallur atë që u bë “Termokiss”. 

“Janë disa nga Luksemburgu dhe Ambasada e Luksemburgut...”, ka thënë ajo për narracionin që ka funksionuar në institucione. E këta shembuj shpërfaqin shumëçka prej botëkuptimeve të udhëheqësve institucionalë për skenën e pavarur të artit e deri te njëfarë mendësie kulturore në përgjithësi që duhet afirmuar jashtë Kosovës për t’u trajtuar deri diku në kushte normale në vendin të cilit i takon. 
Por infrastruktura dhe mungesa e dorës së shtetit për ta pasur një ambient funksional për një nismë ose organizatë të etabluar kanë marrë pjesën më të madhe të debatit të së mërkurës mbrëma të moderuar nga Diona Kusari. 

“Në këto kushte duke mos e pasur as infrastrukturën ligjore të përshtatshme e as krejt instrumentet që duhen për këto hapësira për ta pasur një stabilitet dhe njëfarë mundësie për t’u zhvilluar tutje, këto vazhdojnë të ekzistojnë dhe funksionojnë në bazë të vullnetit të njerëzve që janë në ato hapësira”, ka thënë Maliqi, e cila udhëheq me  “Kino Armatën”, që ka telashe të panumërta në krejt aspektet. Sipas Maliqit, çështja e njohjes së institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës është një gjë që s’është dashur më të jetë në diskutim.  

Dramaturgu Jeton Neziraj, duke folur për skenën teatrore, ka thënë se nismat e pavarura janë shumë më përpara se ato institucionale. Sipas tij, institucionet tashmë marrin shembuj nga nismat e pavarura dhe nisin t’i zbatojnë ato. Në këtë rast ka përmendur se si Teatri Kombëtar i Kosovës ka nisur të ketë bashkëprodhime. Por në perspektivën e tij dhe bazuar në hallet e përditshme ka thënë se infrastruktura ngelet pika më e dobët. Ka marrë shembull se si dy teatro të pavarura tash janë thuajse në rrugë shkaku i rinovimit të ambienteve të teatrit “Oda”. 

“Tash japim shfaqje në ambientet e TKK-së e edhe ato s’janë të TKK-së. Fatmirësisht gjejmë mirëkuptim te menaxhmenti aktual i këtij institucioni. Por ne aktualisht s’kemi ku të mbajmë prova”, ka thënë ai. E, sipas tij, kryetari aktual i Prishtinës “fulliratet” nga artistët duke u dhënë hapësira në shfrytëzim pa kurrfarë kriteri. Por, sipas Nezirajt, problemet janë shumështresore dhe s’mund t’i faturohen veç menaxhmentit aktual të Komunës së Prishtinës. 

“Vërtet nuk di si t’i qasem e ta adresoj problemin kur problemi kryesisht është te njerëzit që nuk kanë kurrfarë afiniteti e kurrfarë besimi në kulturë. Pra nuk e shohin si një aset që gjeneron diçka, pos në kohë fushatash kur e shohin si mjet për të mbledhur vota. I sheh duke takuar artistë e duke dëgjuar propozime, sepse atëherë shohin përfitime”, ka thënë ai. Ka përmendur faktin se viteve të fundit Ministria e Kulturës ka rritur në mënyrë enorme mbështetjen për organizata. Dhe, në këtë rast, ka pranuar se disa akterë kulturorë shkaku i mbështetjes ekzistenciale nga MKRS-ja edhe nuk janë kritikë në raport me politikat e këtij institucioni. 

“Dhe gjithmonë janë ata ujqërit që marrin mbështetje dhe janë organizata joekzistente praktikisht...”, ka thënë ai. 

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka thënë se mbështetja financiare e institucionit bashkë me krijimin e mundësisë së shfrytëzimit të hapësirave janë binomi që është munduar ta çojë përpara tash e dy vjet, prej kur e ka marrë pozitën. Sipas saj, Drejtoria për Kulturë ka një qasje shumë të hapur. 

“Orientimi im strategjik ka qenë krijimi i hapësirave fizike për artisët dhe mendoj se kjo u ka dhënë një dinjitet artistëve që të punojnë e të krijojnë. Mendoj se këto janë dy kanale kryesore me anë të të cilave institucionet publike komunikojnë me artistët e pavarur. Por në pozitën ku jam unë është shumë e rëndësishme që t’i ruaj artistët nga vetë unë”, ka thënë Halimi. Ka përmendur draftstrategjinë e artit dhe kulturës që, sipas saj, është hartuar nga vetë artistët dhe nëpërmjet saj synohet një hapje edhe më e madhe e Komunës për nismat kulturore. Ka elabouar gjerë çështjen e ish-ndërtesës së bibliotekës “Hyvzi Sylejmani”, ku Drejtoria u vendos pas mbylljes së Qendrës për Praktika Narrative dhe më pas u tërhoq nga presioni i skenës së pavarur kulturore. Bëhet fjalë për shenjën e vetme të bienales nomade të artit “Manifesta 14”.  

“Kam menduar se me vendosjen e Drejtorisë aty të mbrohej ndërtesa që kishte gjashtë muaj e braktisur dhe nga aty të kemi një komunikim horizontal me komunitetin”, ka thënë ajo. Halimi ka përmendur disa raste ku janë krijuar mundësi konkrete për aktivitete kulturore duke marrë shembuj hapësirat e reja të artit në kryeqytet. Sipas saj, transparenca ngelet pika qendrore e politikave që është munduar t’i çojë përpara. Telashet e skenës së pavarur ndër vite janë shoshitur në këtë diskutim, ku nëpërmjet shembujve konkretë është treguar se politikat e shtetit s’janë në linjë me nismat e suksesshme që vijnë nga komuniteti.  

Debati “Kultura publike dhe kultura e pavarur” është i dyti pas atij “Kultura sot”, që u mbaj në fund të shkurtit.