Kulturë

“SuperNova” me koncert të dyfishtë i vë flakën “Sallës së djegur”

Dafina Zeqiri

Dafina Zeqiri ka mbledhur veç një pjesëz të krijimtarisë së saj ndër vite në koncertin afro dyorësh. Talenti e kreativiteti i saj janë bërë një duke shpërthyer në vezullima që përkthehen nëpërmjet vokalit të saj. Në skenë ka qenë e ndritshme e shpërthyese. Sikurse supernova (Foto: Komuna e Prishtinës)

Koncertet si ai “SuperNova” i Dafina Zeqirit, vendosin standarde në skenën e muzikës zbavitëse të vendit, të pamësuar me formate të tilla, që i zhvendos artistët prej klubeve e performancave playback. Artistë të gjeneratës së saj, kohëve të fundit jo rrallë kanë nisur ta kuptojnë peshën e koncerteve të tilla dhe t’ia konfirmojnë publikut jetëgjatësinë e tyre në skenë. Dafina Zeqiri e ka konfirmuar këtë me koncert të dyfishtë në atë që njihet tashmë si “Salla e djegur” e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, e që për aq sa zgjat koncerti, arrin ta tjetërsojë me shkëlqim dritash e me muzikë

Kënga e Dafina Zeqirit është autentike, një lloj himni i këngës zbavitëse të kohës së saj. Koncerti “SuperNova” me ritme të shkrira në lojë të orkestrës, është dëshmuar sërish para mijëra adhuruesve të këngës së saj. Sikur edhe reputacioni i saj në skenën muzikore e fuqia e saj skenike. Nga këngët me të cilat ka nisur karrierën tek ato më të rejat, ka dëshmuar kreativitetin e konsistencën në tregun muzikor që publikut i ka sjellë ofertë të shumëfishtë edhe në koncertin e së enjtes. E njëjta atmosferë është reprizuar edhe të premten mbrëma.

Këngëtarja Zeqiri ka qenë një lloj përkufizimi i standardeve të muzikës. Jo rrallë edhe frymëzim për të qenë në hap me të sa i përket shijes muzikore a pamjes. Që herët, si fëmijë, mori pjesë në festivale në Suedi. Me t’u kthyer në Kosovë, u dhuroi dëgjuesve hit pas hiti. Muzika nuk qe rastësi, ajo e rrethonte. Nga kënga e nënës së saj, Melihate Zeqiri.

Ka jehuar për dy net, të enjten dhe të premten, në atë që tash ka marrë emrin si “Salla e djegur” në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Dyert për publikun janë hapur tri orë më herët. Salla është tjetërsuar, siç ndodh aty ku arnohen kushtet e rënda të saj. Por në ditë dimri nuk mënjanohen dot. Ka qenë goxha ftohtë.

Muret e djegura edhe këtë herë janë mbuluar e dekoruar me drita, është ngritur skena madhështore sikurse është përgatitur edhe spektakli me ndriçim. Orkestra e udhëhequr nga Alfred Kaçinari e ka hijeshuar dhe i ka dhënë vlerë shtesë konceptit të koncertit, e Dafina Zeqiri ka qenë kurora e krejt ngjarjes.

Me ovacione të shumta është pritur në skenë. Ka kënduar këngët “Hajde ma knej” e “Një herë në jetë”. Janë dëshmuar se kanë potencial edhe në versionin e interpretimit me orkestër. Veçmas “Murder on the dancefloor” ka tingëlluar tejet bukur. Këngën “Prit” e ka kënduar para se të paralajmërojë aksion, siç ka thënë Zeqiri. Ka sjellë ngjyra të reja me “Llafe, llafe” të cilën këngë e ka në duet me këngëtarin Lyrical Son.

Zëri i Dafina Zeqirit ka jehuar për dy net, të enjten dhe të premten, në atë që tash ka marrë emrin si “Salla e djegur” në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Dyert për publikun janë hapur tri orë më herët. Salla është tjetërsuar, siç ndodh aty ku arnohen kushtet e rënda të saj. Por në ditë dimri nuk mënjanohen dot (Foto: MPJ)

Me flokë të lëshuara, e veshur me një fustan gri vezullues, ka qenë kryefjala e mbrëmjes. E ajo, pas pesë këngësh që ka kënduar, i është drejtuar publikut. Ka thënë se ka qenë natë e veçantë për të. Në sallë, një numër i madh nga publiku kanë ngjarë të jenë lindur në kohën kur ajo ka nisur të ndërtojë repertorin e saj muzikor. Kështu ajo është kthyer prapa në kohë, te fillet e karrierës.

“Sonte është një natë shumë e veçantë për mua. Pas këtyre pesë këngëve, dua të kthehem prapa kur gjithçka ka filluar. Sapo e festova 16-vjetorin e lindjes në skenë, kur edhe incizova këngën time të parë me titullin ‘Harrimi i dashurisë’. Është një këngë shumë e veçantë për mua, më jep shumë emocion. Aty ka lindur gjithçka. Një ëndërr, një shkëndijë. Ka lindur një ‘supernova’”, është shprehur kantautorja Zeqiri.

Në vitin 2007 ajo fitoi “PoliFestin” me këngën “Rrallë e përmallë” kur ishte veç 16-vjeçe. Po në këtë festival të asaj kohe, në vitin pasues mori Çmimin e Publikut me këngën “Adios”. Po në vitin 2008 ajo publikoi albumin e saj të parë me titull “Knockdown” ku përmblidheshin gjithsej 15 këngë si dhe mori pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me hitin “Bateritë” me të cilin mori çmimin “Magjia e Parë”.

“Pastaj vazhdova në Kosovë ku kam incizuar këngë si ‘Rrallë e përmallë’, ‘I pabesë’. E para më çoi drejt ‘PoliFestit’ kur edhe fitova çmimin tim të parë. Aty Naim Krasniqi ka dëgjuar zërin tim dhe më ka mbështetur prej asaj dite dhe deri sot. Pastaj erdhi ‘Kënga Magjike’. Aty ka hyrë në jetën time Florent Boshnjaku me këngën ‘Veç met pas ty’ e shumë të tjera. Ka qenë vetëm fillimi i një rrugëtimi të bukur që na ka sjellë deri te ky koncert i madh ‘SuperNova’”, është shprehur Zeqiri më tej.

Të pranishëm kanë qenë edhe udhëheqës institucionalë si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kur qe publikuar njoftimi për koncertin, parashihej të zinte vend në sallën “1 Tetori”. Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës qe bërë sebep për tejkalimin e pengesave teknike.

“Mbështetja e tij ishte vendimtare për tejkalimin e disa pengesave teknike për realizimin e kësaj ngjarjeje muzikore. U sigurua që koncerti të vazhdonte. Pa Komunën e Prishtinës nuk do të kishte ndodhur ky koncert, andaj jam përtej falënderuese”, ka thënë ajo.

Koncerti “SuperNova” e ka kthyer në emocionet e paraqitjes së parë në skenë.

“Ky është koncerti im i parë prejse jam bërë nënë. Andaj jam njeriu më me fat që ju kam dhe kjo është një natë që nuk do të harrohet kurrë. Kam emocione sikur të dal për herë të parë në skenë”, është shprehur këngëtarja Dafina Zeqiri.

Kënga “Veç ti” ka shpërthyer në ritmet ‘raggae ‘ si njëra prej frymave me të cilat Zeqiri sillte dhe ishte prej të parëve artistë që improvizonte duke i integruar ato me këngën shqipe argëtuese. Ka kënduar “Ku ma le forcën” të publikuar vitin e kaluar ndërsa është kthyer krejt në fillet e saj me “I pabesë”.

Atmosfera ka shpërthyer me këngët “Tranquilo” e “Zili, zili”. “Bloodah” është po ashtu njëra prej projekteve që e veçon krijimtarinë e saj, sikurse edhe “Timeout”. Publiku ka kënduar njëzëri me të në këngët “Ti dho krejt”, “La reina”, “Mos shko” e “Jom ka du me t’pa” që i ka në bashkëpunim me Yll Limanin, “Malli”, “Inshallah”, “Million dollar” e “My love”.

Ka kënduar hitin e saj “Amazing Girl”, suksesi i së cilës ishte dëshmuar si fitues kryesor i ngjarjes muzikore “Videofesti Muzikor” duke zënë vendin e parë “Best of All”. Frymë unike është edhe kënga “Veç met pas ty” e kuptimplotë kënga “Duro”. Përcjell mesazhe të fuqishme kundër dhunës e ndaj shëndetit mendor. Emocionet i janë transmetuar në lot gjatë interpretimit të fuqishëm të këngës.

Nuk ka munguar homazhi për këngëtarët e ndjerë, Shpat Kasapi e Shemsi Krasniqi, të cilët vdiqën kohët e fundit.

Koncertin e natës së parë me titull “SuperNova” e ka përmbyllur me këngën “Gurbeti”. E kënga e saj sipas së cilës është emërtuar gjithë koncerti ka mbetur jashtë repertorit.

Këngëtarja Zeqiri ka qenë një lloj përkufizimi i standardeve të muzikës. Jo rrallë edhe frymëzim për të qenë në hap me të sa i përket shijes muzikore a pamjes (Foto: MPJ)

Koncert-mjeshtri i orkestrës, Festim Fanaj, ka thënë se koncerti ka qenë i përthekuar mirë, në çdo aspekt, e edhe në atë të aranzhimeve muzikore. Ato janë punuar nga producenti Florent Boshnjaku.

“Është me të vërtetë një koncert i përmbledhur edhe në aspektin aranzhues, edhe të këngëve, edhe të ritmeve, edhe të performancës së Dafinës, e cila është e jashtëzakonshme. I ka këngët shumë të mira. Ka qenë një natë me të vërtetë e paharrueshme. Pak e ftohtë, jo pak, por shumë, jemi ngri, por gishtat prapë ecnin. Megjithatë na nevojiten këso koncertesh që edhe publiku të kënaqet dhe të fitojmë përvojë të gjithë, edhe performuesit dhe komplet produksioni. Por i lus të bëjnë koncerte në kohëra më të ngrohta”, ka thënë violinisti Fanaj.

Duke iu referuar kushteve në sallë, ka thënë se gjatë dimrit ajo assesi nuk përmbush kushtet. Me gjithë ngrohjen e vazhdueshme edhe për tri edicionet e Festivalit të Këngës që janë mbajtur aty, ka qenë e vështirë të ngrohet.

“Jemi familjarizuar me këtë sallë, e cila është e improvizuar. Ndoshta për verë i plotëson kushtet, sepse me të vërtetë është freskët brenda, por për dimër nuk bën, është akullnajë. Nuk ka shans të ngrohet”, ka thënë Fanaj.

Aranzhimet muzikore i ka konsideruar të bukura. Në to ka punuar edhe muzikanti Gjergj Kaçinari, i cili e ka udhëhequr grupin muzikor.

“Puna më e madhe për këtë projekt është bërë nga Florent Boshnjaku me gjithë orkestracionet dhe produksionet që ka bërë. Për ne ka qenë punë jashtëzakonisht komode dhe argëtuese. Me djemtë e bandës është projekti i katërt, duke përfshirë festivalet e RTK-së, pra jemi i njëjti ekip. Për ne ka qenë shumë qejf, kënaqësi, eksperiencë shumë e bukur të punojmë me Dafinën. Besoj se koncerti foli vetë”, ka thënë Kaçinari.

Dafina Zeqiri ka mbledhur veç një pjesëz të krijimtarisë së saj ndër vite në koncertin afër dyorësh. Talenti e kreativiteti i saj janë bërë një duke shpërthyer në vezullima që përkthehen nëpërmjet vokalit të saj. Në skenë ka qenë e ndritshme e shpërthyese. Sikurse supernova.