Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Idriz Aliajt lidhur me vrasjen e rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi. Ai u dënua me dënim unik prej 11 vjet burgim. Po ashtu, akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Idriz Aliajn me 11 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për tentativë vrasjen e rëndë ndaj gruas me të cilën kishte bashkëjetuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Alija në gusht të 2024-tës, në Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, ka tentuar të vriste viktimën Sh.T.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas përshkrimit në aktakuzë, posa e dëmtuara me djalin e saj kanë kaluar vendkalimin për këmbësore, i pandehuri ka përshpejtuar hapat, ka nxjerrë armën nga brezi, e në mënyrë dinake nga afërsia ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës, e më pas e ka goditur me duar në fytyrë duke e rrëzuar në tokë.
Kryetarja e trupit gjykues, Medije Bytyqi, ka thënë në seancën e së martës, se përveç veprës “vrasje e rëndë në tentativë”, Alija është dënuar edhe për dy vepra të tjera penale, për çka burgimi i është unifikuar në 11 vjet.
“Të akuzuarit i cakton për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dënim me kohëzgjatje prej 10 vjetësh, për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dënim me kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për veprën penale ‘Mospërfillje e urdhrave të Gjykatës’, dënim prej 6 muaj. Për tri veprat penale i shqipton dënim unik, me kohëzgjatje prej 11 vjetësh”, ka thënë gjyqtarja Bytyqi.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, të pranishëm në Gjykatë nuk ishin i akuzuari, Idriz Alija, prokurori i shtetit dhe pala e dëmtuar.
Avokati i palës së dëmtuar, Fitim Gashi, ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim do të vendosin nëse do të parashtrojnë ankesë në shkallë të dytë për vendimin e Themelores.
“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore lidhur me rastin kundër të pandehurit Idriz Alijaj, i cili ngarkohej për tri vepra penale – Vrasje e rëndë në tentativë, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës dhe Mospërfillja e gjykatës – me dënim unik prej 11 (njëmbëdhjetë) vjetësh burgim, mund të themi se ky vendim ka qenë i pritshëm për ne dhe për palën e dëmtuar. Megjithatë, sa i përket mundësisë së ushtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, pas konsultimeve të mëtejme me të dëmtuarën, do të vlerësojmë nëse do të ushtrojmë ankesë apo jo”, ka thënë avokati Gashi.
Sipas aktakuzës, djali i së dëmtuarës kishte tentuar ta largonte sulmuesin, por ai kishte shtënë disa herë mbi trupin e saj dhe më pas e ka goditur me kondak të armës së zjarrit në kokë, derisa dy qytetarë kishin arritur t’ia largonin armën, e më pas Policia ta arrestonte.
I pandehuri akuzohej edhe se e kishte shkelur vendimin e Gjykatës, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.