LAJMET E MBRËMJES

53 persona të lënduar nga mjetet piroteknike në natën e Vitit të Ri, dy nga plumbat qorr

Në natën e ndërrimit të moteve në Klinikën Emergjente pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë kërkuar trajtim 53 qytetarë për shkak të lëndimeve që kanë marr nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Dy persona tjerë u lënduan nga plumbat qorr. Mjeku që trajtoi këto raste ka kërkuar nga institucionet që të ndalohet përdorimi i fishekzjarreve

Pesëdhjetë e tre persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë natës së ndërrimit të moteve, si pasojë e lëndimeve nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Dy persona tjerë kanë pësuar plagë nga plumbat qorr, ndërsa mjekët paralajmërojnë për pasoja të rënda dhe invaliditet të përhershëm në disa raste.

Specialisti i Mjekësisë Emergjente në Klinikën e Emergjencës në QKUK, Ejup Govori, tha se tashmë shumica e pacientëve janë liruar pas trajtimit mjekësor, por tregoi se ka edhe pacientë që për shkak të lëndimeve të marra u janë nënshtruar operacioneve.

“Janë me lëndime të shuplakave të duarve, lëndime të cilat mund të shkaktojnë invaliditet të përjetshëm. Po ashtu kemi disa edhe me lëndime të syve, lëndime serioze të syrit. Është një që është transferuar në repartin e oftalmologjisë dhe atje i është nënshtruar operacionit”, tha Govori. 

Pacientët e pranuar për shkak të lëndimeve nga mjetet piroteknike, sipas Govorit, janë kryesisht fëmijë të moshave 10 deri në 12 vjet. 

Govori ka folur edhe për pasojat që mund të kenë të lënduarit.

“Mund të ketë amputime të gishtave për shkak të lëndimeve serioze, mirëpo edhe këta që janë me lëndime të syve, ekziston mundësia që do të mbesin me njërin sy”, tha Govori. 

Ai ka kërkuar nga autoritetet ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike. 

Në Policinë e Kosovës kanë bërë të ditur se kanë iniciuar dhe do të vazhdojnë t’i trajtojnë të gjitha rastet, qofshin vepra penale apo incidente, dhe në koordinim me prokuroritë kompetente ato do t’u përcillen organeve të drejtësisë.