Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë votuar të enjten, midis tensioneve të shumta, përbërjen e Qeverisë së re, e cila përsëri do të udhëhiqet nga Edi Rama. Kryeministri Rama është penguar në përpjekjen për ta prezantuar programin politik për periudhën 2025-2029. Tensionet janë rritur pasi që ai e ka prezantuar para Kuvendit “Diellën”, që është ministre e shtetit, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Këtë, deputetë opozitarë e kanë quajtur antikushtetuese
Midis tensioneve, Kuvendi i Shqipërisë e ka votuar të enjten përbërjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Edi Rama, si dhe programin politik të saj për periudhën e viteve 2025-2029.
Prezantimi i programit nga ana e kryeministrit Edi Rama është penguar nga deputetë të opozitës. Tensionet janë rritur, pasi që në sallë është transmetuar një adresim i “Diellës”, e cila është ministre e shtetit e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Krahas saj, kabineti i Qeverisë së re të kryeministrit Rama i numëron edhe 17 ministra të tjerë.
“Pakicës dua t’i them vetëm se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe çfarë thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni të gjithë vëmendjen tonë dhe të gjithë kohën që të dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe të rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërtën, prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë!”, ka thënë Rama.
E deputetët opozitarë kanë protestuar fillimisht nga ulëset, ndërsa më pas edhe duke hedhur kopje të rregullores në drejtim të Ramës dhe pjesëtarëve të kabinetit qeveritar. Ata e kanë cilësuar antikushtetuese shfaqjen e “Diellës” në ekranin e Kuvendit.
Atyre u është tërhequr vërejtja disa herë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. E më pas, ai ka nxjerrë në votim programin e Qeverisë dhe përbërjen e kabinetit qeveritar, për të cilët 81 deputetë kanë votuar pro ndërsa 55 nuk kanë marrë pjesë në votim.
Seanca ka zgjatur vetëm 25 minuta, ani se ajo u pati paraparë që të zgjaste 25 orë dhe të ketë edhe debat lidhur me programin.
Pas seancës, Rama ka shkruar në Facebook se deputetët e zgjedhur duhet ta kenë mundësinë që të debatojnë të papenguar në Kuvend.
Ai ka thënë se 83 ulëset e fituara nga Partia Socialiste (PS) në zgjedhjet e 11 majit janë detyrim ndaj votuesve “për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që në sallën e Parlamentit përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën apo sharjet e rrugës si alternativë opozitare”.
Ministrja e krijuar nga inteligjenca artificiale, sipas kryeministrit Rama, do të merret me prokurimet publike dhe do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga tentimet për ryshfet, kërcënime ose përpjekje të tjera për ta korruptuar.
E në adresimin e shkurtër në Kuvend, para se situata të tensionohej, Rama ka thënë se mandati i katërt përkon me planin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
“Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati. Shqipëria evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, ka thënë Rama.
Tirana zyrtare synon që të bëhet pjesë e BE-së më 2030. Shqipëria e ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të 2024-tës. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi që vendi ka aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe e ka marrë statusin e vendit kandidat më 2014.
Shqipëria duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE, e për hapjen dhe mbylljen e akëcilit kapitull nevojitet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të bllokut evropian.