Në raportet financiare të audituara janë evidentuar një numër shkeljesh që lidhen me menaxhimin e financave. Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka deponuar në llogarinë bankare të hyrat nga anëtarësimet; Partia Demokratike nuk ka pasqyruar saktë kontributet dhe as shpenzimet e qirasë; ndërsa Lidhja Demokratike një pjesë të objektit të selisë qendrore e përdor pa kontratë valide
Partitë kryesore politike kanë realizuar miliona euro të hyra gjatë vitit të shkuar e edhe kanë bërë shkeljet më të mëdha në menaxhimin e financave, kanë treguar raportet e audituara që i ka publikuar të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bazuar në raportin për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ky subjekt politik ka realizuar të hyra prej 2.3 milionë eurosh. Auditorët kanë gjetur se ka pasur mungesë të dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve nga kjo parti.
“... është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit. Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit”, kanë gjetur auditorët në raportin për LVV-në.
Për këtë subjekt, i cili ka dalë fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit, është gjetur po ashtu se nuk janë deponuar të hyra nga anëtarësimet në llogarinë bankare.
“Gjatë shqyrtimit financiar u konstatua se në vitin 2024, subjekti politik ka pranuar 493.50 euro nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë derdhur në llogarinë bankare. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, me Ligjin nr. 04/L-212 dhe me Ligjin nr.04/L-058, si dhe Rregullorja nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që obligojnë subjektet politike të kryejnë të gjitha transaksionet përmes llogarisë së vetme bankare dhe të deponojnë të hyrat në para të gatshme brenda 5 ditësh nga pranimi”, thuhet në raport.
E Partia Demokratike, e cila është forcë e dytë për nga numri i deputetëve, ka realizuar diçka më shumë se 1 milion euro të hyra në vitin e shkuar. Auditorët kanë gjetur se kjo parti nuk ka pasqyruar saktë kontributet dhe as shpenzimet e qirasë.
“Subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve. Gjatë auditimit është konstatuar se subjekti politik gjatë vitit 2024 ka operuar me një rrjet prej 28 zyrash në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, ku për tri prej tyre shfrytëzon objekte komunale pa pagesë qiraje. Këto përfitime nuk janë deklaruar si donacione në natyrë, siç kërkohet me legjislacionin përkatës”, kanë evidentuar auditorët në raportin për financat e PDK-së.
Shkelje dhe mangësi që prekin transparencën financiare auditori ka evidentuar edhe për Lidhjen Demokratike, parti e cila ka raportuar të hyra vjetore prej më shumë se 600 mijë eurosh.
Sipas raportit, një pjesë e objektit të selisë së LDK-së përdoret pa kontratë valide ose fletë poseduese.
“Një pjesë e objektit të selisë së LDK-së përdoret pa kontrata valide ose fletë poseduese, gjë që, sipas auditorit, kufizon aftësinë për të verifikuar ekzistencën dhe saktësinë e pasurive të regjistruara”, është konstatuar në raportin e auditorit për LDK-në, e cila është forcë e tretë politike në Kosovë.
Shkelje në këtë parti janë gjetur edhe për mënyrën e shpenzimeve.
“Subjekti politik nuk ka zbatuar procedura të formalizuara të tenderimit për shpenzimet dhe blerjet, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve dhe për mungesë transparence. Nuk ka ushtruar asnjë kontroll të brendshëm gjatë vitit 2024, ndonëse kjo është kërkesë e përcaktuar nga ligji dhe statuti i subjektit politik. Komisioni mbikëqyrës nuk ka ofruar asnjë raport të punës për këtë periudhë”, thuhet në raportin për LDK-në.
Raportet e publikuara nga KQZ-ja ofrojnë të dhëna edhe për partitë e tjera. Në to është evidentuar edhe shuma që kanë shpenzuar subjektet politike. Gjatë vitit 2024, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar 1.8 milionë euro, PDK-ja rreth 1 milion euro, ndërkaq LDK-ja rreth 600 mijë euro.