Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Azemi i LDK-së dorëzon në Polici dosjen për njehsorët elektrikë

LDK - Visar Azemi

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë të nisë intervistimin e personave që kanë njohuri lidhur me skandalin e njehsorëve elektrikë. Gjatë ditës së martë është intervistuar anëtari i LDK-së, Visar Azemi, i cili ka thënë se ka dorëzuar në polici edhe dosjen për njehsorët elektrikë. Ai ka paralajmëruar peticion për kompensimin e qytetarëve

Dosjen me dyshime për skandalin e njehsorëve elektrikë, anëtari i LDK-së, Visar Azemi, e ka dorëzuar në polici të martën, ku në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar për këtë çështje nga hetuesit policorë.

Azemi po ashtu ka thënë se rasti po tentohet të minimizohet nga KEDS-i dhe Ministria e Industrisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Unë edhe një herë po jua kujtoj juve që të gjitha këto manipulime, i gjithë ky skandal i madh i cili ka filluar me njehsorët elektrikë, po mundohet të minimizohet edhe nga ana e KEDS-it, e fatkeqësisht edhe nga ana e Qeverisë, në këtë rast nga Ministria e Industrisë. Akoma po manipulojnë me qytetarët, po thonë që këto devijime, të cilat i kanë pranuar dhe i kanë tërhequr disa njehsorë elektrikë nga qytetarët, po e matin saktë sasinë, por nuk po tregojnë ku është problemi. Pra, problemi është që energjia elektrike, e cila është dashur të faturohet me tarifën e lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, është faturuar me tarifën e shtrenjtë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka thënë se është duke përgatitur një peticion në të gjitha qytetet e Kosovës për kompensimin e qytetarëve.

“Ta keni të qartë një gjë, unë këtë javë, sa më shpejt, do të filloj me organizimin e një peticioni në të gjithë Republikën e Kosovës për të kërkuar kthimin e parave të cilat u janë marrë qytetarëve padrejtësisht. Pra, shumë shpejt nëpër qendrat e qyteteve të ndryshme do të fillojmë me peticionin në këto qytete”, ka thënë ai.

E Prokuroria në Prishtinë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se ka nisur intervistimin e personave që kanë njohuri lidhur me këtë rast.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave lidhur me këtë çështje. Do të bëhet intervistimi i personave që kanë njohuri për këtë rast. Për çdo zhvillim të ri rreth kësaj çështjeje, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se nga inspektimet e para në terren ka gjetur se ka mospërputhje të kohës te njehsorët elektrikë.

Pas kësaj, Prokuroria në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të nisur hetime lidhur me njehsorët e KEDS-it.

E në KEDS kanë mohuar çdo mundësi manipulimi, duke theksuar se matja e energjisë elektrike është e saktë. Sipas tyre, nëse konstatohet ndonjë devijim, qytetarët do të kompensohen.

E në një hulumtim që anëtari i LDK-së, Azemi, ka thënë se ka kryer me njehsorët në Prishtinë dhe Ferizaj, në mbi 80 për qind të rasteve ata nuk e kishin orën e saktë.