Kompromise dhe zbatim të marrëveshjeve i ka kërkuar presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin që i ka bërë Serbisë për Ditën e Shtetësisë. Në letër-urim, Biden ka shkruar se “marrëveshja për normalizimin dhe zbatimin paraqesin hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore e më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, e ka uruar Serbinë për ditën e shtetësisë që e shënon më 15 shkurt, e në letër-urim ka dhënë edhe porosi për veprimet që duhet të bëhen në raport me Kosovën.
Në njoftimin e publikuar të mërkurën në faqen e Presidencës së Serbisë thuhet se Biden i ka kërkuar presidentit Aleksandar Vuçiq kompromise në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“Meqë zgjedhjet kanë kaluar e inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, citohet të ketë shkruar presidenti Biden në urim.
Biden ka përmendur edhe rëndësinë e vazhdimit të demokratizimit të Serbisë, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, të arritura me Kosovën.
“E inkurajoj Serbinë po ashtu që të vazhdojë me progresin e arritur vitin e kaluar në dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja për normalizimin dhe zbatimin paraqesin hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore e më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, theksohet në njoftim.
Presidenti SHBA-së ia ka kujtuar Beogradit zyrtar se prania ushtarake amerikane në rajon i shërben paqes.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, të mërkurën ka pranuar urime edhe nga liderë të tjerë botërorë, ndër ta edhe nga presidenti i Federatës ruse, Vladimir Putin.
E, ndër liderët që e kanë përmendur dialogun për normalizimin me Kosovën në urimet për presidentin serb janë edhe presidenti francez Emmanuel Macron e presidenti i Italisë, Sergio Matarella.
Në urimin e Macron thuhet se Franca e mbështet fuqishëm dialogun Beograd-Prishtinë, derisa në atë të Matarellës, Vuçiqit i kërkohet që ta vazhdojë me përgjegjësi e me përkushtim procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën që, sipas tij, i shërben stabilitetit të rajonit.