Është sulmuar me granata dore objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut, në mbrëmjen e së hënës. Si pasojë e këtij sulmi janë dëmtuar dy vetura. E akti është dënuar nga përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë që i kërkuan faktorit ndërkombëtar t’i bëjnë thirrje Serbisë për t’i ndalur aktet të cilat nxisin tensionim të situatës, para se të ketë humbje jete
Mbrëmë, në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut dyshohet se është sulmuar nga një granatë dore e tipit M75. Nga ky sulm janë dëmtuar dy mjete zyrtare.
Organet e rendit ende nuk i kanë identifikuar kryerësit e sulmit, për të cilin dyshohet se u bë nga pjesa e prapme e objektit. Por, përfaqësuesit e tyre e bënë zotimin se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kualifikoi sulmin si një tjetër përpjekje për përshkallëzim dhe për destabilizim të Kosovës, tek e publikoi një videoxhirim në të cilin shihen dëmet e shkaktuara nga granata që u hodh në oborrin e objektit komunal.
“Vazhdon agresioni i Vuçiqit. Sulmi i mbrëmshëm në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës Veriore është edhe një përpjekje për përshkallëzim e destabilizim. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sjelljen e saj. Sulmet duhet të ndalen menjëherë”, shkroi Sveçla.
Aktin e dënoi edhe kryeministri Albin Kurti, tek i adresoi thirrje Serbisë që t’i ndalë sulmet që nxisin tensionim të situatës, para se të ketë humbje jete.
“Mbrëmë ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me 2 granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat që ndodheshin afër. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht. I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndalë nxitjet për dhunë para se të ketë humbje jete”, shkroi Kurti.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se aktet e tilla synojnë të ndjellin frikë.
“Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë u bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, reagoi Atiq.
E Nexhmedin Spahiu, profesor i shkencave politike, i kualifikoi rastet si betejë të fundit që strukturat paralele janë duke e bërë në Kosovë.
“Pjesa e mbetur e sheh veten të rrezikuar dhe tenton që ta pranojë këtë proces, duke i shpërndarë energjinë e policisë dhe institucioneve rreth incidenteve dhe jo në kryerjen e detyrave për arrestimet kundër tyre. Qëllimi që të humbet sa më shumë kohë në mënyrë që Policia e Kosovës të mos arrijë objektivin që brenda muajit korrik t’i arrestojë të gjithë pjesëtarët e dhunshëm të strukturave të Serbisë në Kosovë”, tha Spahiu.
Pas tensionimit të situatës në veri, që prej 26 majit, janë shtuar sulmet ndaj institucioneve e qytetarëve shqiptarë. Javën e shkuar, ministri Sveçla njoftoi se është kapur sasi e madhe armatimi që ka hyrë nga Serbia e që do të përdorej për kryerje të veprave terroriste.