LAJMET E MBRËMJES

Dënohet me 25 vjet i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes në vitin 2016

Me 25 vjet burgim është dënuar Ragip Gashi, për vrasjen e rëndë të gruas së tij më 2016. Dënim të tillë pati marrë edhe më 2019, por rasti ishte kthyer në rigjykim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 25 vjet burgim Ragip Gashin për vrasjen e bashkëshortes së tij më 2016 në Prishtinë.

Kjo është hera e dytë që ai dënohet me 25 vjet burgim, pasi edhe në gjykimin e parë më 2019, pati marrë këtë verdikt. Por rasti ishte kthyer në rigjykim.

“I shqiptohet dënim me burgim prej 24 vjetësh, dënim të cilin i pandehurit do ta vuajë 15 ditë pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armëve e dënon me dënim me burgim prej 2 vitesh. Gjykata konform dispozitave ligjore të pandehurin Ragip Gashi i shqipton dënim unik prej 25 vjetëve burgim”, ka thënë Fatime Dërmaku, kryetare e trupit gjykues.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, e shpalli të pandehurin fajtor edhe për mbajtje në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armës. E në shpallje të aktgjykimit u tha se i pandehuri u përpoq ta vriste edhe vëllain e gruas së tij.

“I pandehuri Ragip Gashi me gjeneralët e tjera si në shkresat e lëndës është fajtor sepse më datën 21.11.2016 rreth orës 21:00 në Lagjen Mati 1 në rrugën Mbreti Genc ka privuar nga jeta tani të ndjerën M.G si dhe ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Xh.H”, ka thënë Dërmaku.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Ragip Gashin për vrasje të rëndë me motiv të ulët – xhelozinë.

Ky vendim hyn në fuqi kur të marrë plotfuqishmërinë, e gjykata vendosi që Gashi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në vendimin e formës së prerë.

Vetëm gjatë vitit 2023 janë raportuar mbi 2000 raste të dhunës në familje, ku mbi 80 për qind viktima ishin gratë.

Në periudhën 2010-2023 janë vrarë 55 gra në Kosovë.