LAJMET E MBRËMJES

Deputeti Simiq deklarohet i pafajshëm për sulmin ndaj gazetarëve shqiptarë

Sllavko Simiq dhe Urosh Vukashinoviq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023. Sipas aktakuzës, deputeti i Listës Serbe, Simiq, ka urdhëruar turmën me serbë që të sulmojë gazetarët shqiptarë, derisa Vukashinoviq ishte një prej sulmuesve

Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, është ulur të enjten në bankën e të akuzuarit.

Ai bashkë me Urosh Vukashinoviqin akuzohen se kanë nxitur dhe sulmuar gazetarët në Leposaviq, më 16 qershor 2023, kur këtë qytet e pati vizituar ministri, tash në detyrë, i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Të dy janë deklaruar të pafajshëm lidhur mbi fajësinë.

“E nderuara gjyqtare absolutisht nuk jam fajtor”, ka thënë Simiq.

Njëjtë është deklaruar edhe Vukashinoviq kur është pyetur.

“E nderuara gjyqtare nuk e pranoj fajësinë, sepse jam i pafajshëm”, ka thënë ai.

Këto deklarime, të akuzuarit i kanë bërë pas leximit të aktakuzës që Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ngriti në qershor të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Simiq i ka bërë thirrje turmës me serbë që t’i sulmojë gazetarët e mediave shqiptare.

“Personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme. Pasi që kalon ai, i pandehuri jep urdhër duke thënë ‘Mshanju mediave’, ashtu që sulmi vazhdon në drejtim të gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës: Pleurat Salihu, Bardh Bekteshi, Enes Mehmeti, Leonard Berisha, Dorontina Thaqi, Saranda Ramaj, Laura Kerolli Qorri, Ardian Shala, Bashkim Xhikolli, Albin Rrahmani, Arton Rama, Qëndresa Sinani”, ka thënë prokurorja AJTENE ZONI.

E i akuzuari Urosh Vukashinoviq, sipas prokurorisë, me veprime të përbashkëta me persona të tjerë ka përdorur forcë ndaj gazetarëve shqiptarë.

“Në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme, dhe pasi që kalon ai, vazhdojnë në drejtim të gazetarëve të mediumeve ‘Arbreshi.info’, ‘Klan Kosova’, ‘RTV Dukagjini’, ‘KTV’, ‘Indeksonline’, ‘TËVË 1’. Me këtë ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, ka thënë prokurorja Zoni.

Pak kohë para këtij sulmi, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera veriore të banuara kryesisht me serbë, ishin vendosur kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Serbët, me udhëzim të Beogradit zyrtar, e patën bojkotuar procesin.

E në protestat e serbëve që pasuan, janë sulmuar shumë gazetarë, policë e ushtarë të KFOR-it.

Sulmi më i rëndë ndodhi më 29 maj në Zveçan, kur janë lënduar me dhjetëra ushtarë të KFOR-it.