LAJMET E MBRËMJES

Dy fermerë e pranojnë fajësinë për dhënie ryshfeti, tetë zyrtarë publikë deklarohen të pafajshëm

Në shqyrtimin fillestar për rastin “Subvencionet 4”, dy fermerë e kanë pranuar fajësinë, ndërkohë tetë zyrtarë publikë jo. Sipas fermerëve, korruptimi i zyrtarëve ishte forma e vetme për të ardhur te subvencionet

Dy fermerë i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë Speciale për dhënie ryshfeti në rastin “Subvencionet 4” në seancën e shqyrtimit fillestar, e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjon Musolli e pranoi fajësinë për dhënie ryshfeti në vazhdimësi, ushtrim ndikimi e mashtrim me subvencione, kurse Halit Berisha për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione në vlera të ndryshme, ndonjëherë edhe mbi 10.000 euro në periudhën 2020-2021.

Dy fermerët dhe mbrojtësit e tyre deklaruan se korruptimi i të akuzuarve të tjerë, që janë zyrtarë publikë, ishte forma e vetme për të marrë subvencione.

“I mbrojturi im ka qenë i shtyrë për të hyrë në veprime inkriminuese, sepse ndryshe nuk do të përfitonte asnjë subvencion”, ka thënë Kujtim Kërveshi, avokat i Gjon Musollit.

“Përpos që është detyruar të japë mjete për subvencionin e parë, në aplikimin e dytë ka qenë po ashtu i obliguar të aplikojë për subvencionin e dytë me kusht që të realizojë subvencionin e parë”, ka deklaruar Admir Salihu, avokat i Halit Berishës.

Pos fermerëve, në aktakuzën që prokuroria e ngriti në dhjetorin e vitit të kaluar, janë edhe tetë zyrtarë komunalë nga Istogu e Lipjani si dhe nga Agjencia e Zhvillimit të Bujqësisë. Ata akuzohen për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi, por që nuk e pranuan fajësinë.

“Derisa i pandehuri Musa Nivokazi dhe Bajram Gashi ishin duke e kryer kontrollin në lëndën në emër të Luigj Musollajt, gjejnë se nuk përputhej gjendja faktike e të dhënave në aplikim sepse prona e paraqitur në aplikacion kishte qenë pronë në emër të Komunës së Istogut. Për këtë derisa i pandehuri Bajram Gashi qëndronte në veturë i pandehuri Musa Nivokazi kërkon dhe pranon nga Gjon Musolli ryshfet në vlerë prej 500 eurosh pastaj harton rrejshëm raportin e datës 6 tetor 2020 kinse gjendja është në rregull”, ka thënë Rafet Halimi, prokuror special.

Në periudhën 2020-2021, për kur akuzohen për marrje ryshfeti, Hasan Maxharraj ishte zyrtar i Drejtorisë së Bujqësisë në Istog, Pajtim Krasniqi zyrtar komunal në Lipjan, ndërsa pozitën më të lartë ndër të akuzuar e pati Luan Statovci – që ishte drejtor për pagesa në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë. Pesë të akuzuarit e tjerë mbanin pozita të ndryshme në këtë agjenci.