Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ekipi i FSK-së për herë të parë ka udhëtuar në një mision ndërkombëtar paqeje

FSK

Një ekip i FSK-së ndodhet në Gazë, për t’u njohur me zonën ku do të zbarkojë kontingjenti nga Kosova. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i tha KOHËS se për herë të parë FSK-ja po angazhohet në një mision ndërkombëtar të mbështetjes së paqes në një zonë me ndjeshmëri të lartë. Ai tregoi edhe angazhimin që do ta ketë kontingjenti nga Kosova. Raporti: Rrezon Gashi

Ekipi i Forcës së Sigurisë ka mbërritur në Gazë, në udhëtimin e parë në një mision ndërkombëtar paqeje. Ajo do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare në Gazë.

FSK-ja bëri të ditur se komandanti i saj, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka dërguar një ekip në këtë territor palestinez, për t’u njohur me zonën ku do të zbarkojë kontingjenti nga Kosova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike”, thuhet në njoftimin e FSK-së.  

E, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha në një përgjigje për KOHËN se ky moment përbën hap shumë të rëndësishëm për FSK-në dhe për Kosovën në përgjithësi.

“Për herë të parë, FSK-ja po angazhohet në një mision ndërkombëtar të mbështetjes së paqes në një zonë me ndjeshmëri të lartë dhe në një mision të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, çka dëshmon nivelin e profesionalizmit, gatishmërisë operative dhe besueshmërisë që ka arritur Ushtria jonë, por dhe institucionet tona shtetërore në përgjithësi”, tha Maqedonci. 

Ministri Maqedonci tha se për kohën kur do të ndodhë dislokimi i plotë i misionit të FSK-së dhe për zonën ku do të vendoset, do të dihet pas kthimit të ekipit në Kosovë.

Ai ka treguar aktivitetet në të cilat do të angazhohet FSK-ja.

“Forca e Sigurisë e Kosovës në Gazë do të zbarkojë me kapacitete të kombinuara, ku përfshihen çminimi dhe eliminimi i mjeteve të pashpërthyera, operacionet speciale, ekip mjekësor dhe oficerë planifikues. Detyrat e detajuara do të përcaktohen në periudhën në vazhdim, por në përgjithësi do të jenë detyra të karakterit humanitar, detyra të sigurisë dhe mbështetjes së civilëve dhe rimëkëmbjes së përgjithshme të gjendjes atje, tha Maqedonci. 

E, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, i tha KOHËS se FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për misionin në Gazë.

“FSK-ja çdoherë ka qenë nën monitorim dhe mbështetje nga NATO, duke plotësuar standardet ndërkombëtare... Mendoj që ka bërë kapacitete të qëndrueshme profesionale dhe veçanërisht të specializuara për deminim dhe mjete të pashpërthyera, kërkim-shpëtim, por edhe jo vetëm këto. Në aspektet operacionale luftarake është në fazën e tranzicionit”, tha Ibishi. 

Pjesëmarrja e FSK-së në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare në Gazë u autorizua këtë muaj nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi paraprakisht Kuvendi miratoi vendimin e Qeverisë për këtë mision.