Përfaqësues të pakicave joserbe në Kuvend i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të mos e pranuar ankesën e Listës Serbe, duke theksuar se kjo parti është duke tentuar ta bllokojë konstituimin e legjislaturës së nëntë. Deputeti nga radhët e grupit multietnik, Elbert Krasniqi, ka thënë pas dorëzimit të komenteve në Kushtetuese se zgjedhja e nënkryetares nga pakicat joserbe ka qenë kushtetuese dhe se Gjykata nuk duhet ta kërkojë përsëritjen e votimi në pako. Ai ka theksuar se nuk do të votojë për kandidatët e Listës Serbe, teksa deputetin Nenad Rashiq e ka kualifikuar si opsion të përshtatshëm për përfaqësimin e serbëve në Kuvend
Grupi multietnik, i cili përbëhet nga deputetë të komuniteteve të pakicës joserbe, i ka kërkuar të enjten Gjykatës Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Kjo kërkesë është përfshirë në komentet që grupi i ka adresuar në Kushtetuese, pasi që Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, është ankuar në Gjykatë për votimin ndaras të nënkryetarit serb nga ai i radhëve të pakicave joserbe.
Elbert Krasniqi, përfaqësues i komuniteteve pakicë joserbe, ka theksuar se Kushtetuesja nuk duhet ta trajtojë ankesën e Listës Serbe (LS), ngase kjo parti po mundohet që të bllokojë konstituimin e Kuvendit.
“Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe, sepse kjo do ta prishte balancën e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimin në institucionet e vendit. Ne vlerësojmë që Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund t’i shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë, aq më tepër Lista Serbe”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka shtuar se nuk pret që Gjykata t’i detyrojë deputetët ta përsërisin votimin në pako për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet, teksa ka vlerësuar që zgjedhja e Emilia Rexhepit për nënkryetare nga radhët e komuniteteve pakicë joserbe ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
“Ka përfunduar koha kur në Kosovë kemi pasur një komunitet super të privilegjuar. Ky komunitet ka qenë deri para 4 vjetëve, LS-ja, tash ka përfunduar ajo kohë dhe ne besojmë që të gjitha kohët janë të barabarta dhe kemi një trajtim të tillë, që kandidati që i përket komunitetit multietnik zgjidhet ndaras nga ta”, është shprehur ai.
Krasniqi ka thënë se ai nuk ka votë për asnjë kandidat të Listës Serbe dhe se për votimin e tyre nuk mund ta detyrojë as Gjykata. E për kundërshtimin e kandidatit të kësaj partie për nënkryetar Kuvendi, Igor Simiq, ai ka thënë se ka pasur shumë arsye.
“Nuk po flasim për një situatë krejt normale, por për një person që po patët mundësi ta analizoni profilin e tij në Facebook ose Instagram, e shihni se me kë ka më shumë fotografi. Me terroristin Radoiçiq, është sigurisht zëri i tij, syri i tij dhe dora e tij në Prishtinë. Dhe këtë ne nuk mund ta pranojmë si komunitete. Dhe nuk besoj që Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë nga unë apo secili deputet që të votojë për një person që punon ditë e natë ta minojë Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka vlerësuar po ashtu se deputeti serb, Nenad Rashiq, është opsioni më i përshtatshëm për përfaqësimin e serbëve në Kuvend.
Ankesa e Listës Serbe në Kushtetuese është adresuar pasi që kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Gjykata Kushtetuese javën e shkuar ka vendosur se, pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit, “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.
Masa e Kushtetueses do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Para grupit multietnik, komente lidhur me çështjen i kanë adresuar në Gjykatë Kushtetuese edhe presidentja Vjosa Osmani dhe partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).