LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s dhe Radoiçiqit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gjyqtari i Kushtetueses, Radomir Laban, dyshohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës se është pjesë e BIA-s serbe. Haxhiu ka thënë se ky gjyqtar përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës dhe se ai bashkëpunon edhe me përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, dyshohet se është pjesë e Agjencisë për Siguri të Inteligjencës së Serbisë (BIA), ka deklaruar të dielën ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Labani, siç tha Haxhiu, ka dosje në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ndërsa shtoi se në bazë të dokumenteve të kësaj agjencie ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare meqë, ndër të tjera, mban kontakte me persona që e kryen sulmin terrorist në Banjskë. 

“Radomir Laban ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq, pra kryeterroristin e rastit të sulmit në Banjskë, ku u vra në krye të detyrës rreshteri – heroi Afrim Bunjaku... Nga ajo që dimë, Laban nuk ka njohje vetëm me Radoiçiqin, por edhe me pjesëmarrësin tjetër të grupit terrorist dhe paramilitar në Banjskë – Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën ‘Mami’, njërin prej miqve më të mirë të Radoiçiqit”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media. “Institucionet tona kanë dëshmi se Radomir Laban përfiton edhe aktualisht të ardhura financiare nga buxheti i Serbisë. Ai nga viti 2013 ka filluar të pranojë pagë nga Serbia si përfitim nga statusi i të zhvendosurit nga Kosova. Këtë mbështetje financiare Serbia ua jep zakonisht njerëzve që jetojnë në Serbi”.

Në konferencën për media ajo tha se Labani ka aplikuar më herët të emërohej si noter, por nuk e dekretoi, pasi e mori dosjen e tij.

Në bazë të informatave që tha se i ka marrë nga organet e sigurisë, dënimi i tij në Serbi për kontrabandë është dobësia që BIA e përdori për ta futur Labanin në shërbim të saj. 

“Ai u përfshi në aktivitete kriminale, në korrupsion, me ç’rast ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie. Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e ka kompromentuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë. Mënyra se si është liruar nga vuajtja e dënimit në Serbi natyrisht mbetet enigmatike, por dihet se Serbia e ka aktiv ende fletarrestimin për Radomir Labanin. Ai po ashtu për disa vjet ka figuruar në listën e të kërkuarve në Interpol”, ka thënë Haxhiu. 

Teksa ka kritikuar institucionet për mosveprim në rastin e Labanit, Haxhiu ka bërë thirrje që Prokuroria t’i nisë hetimet.

Pas konferencës kanë reaguar deputetë të partive opozitare, të cilat thanë se haxhiu shprehu mllef meqë Kushtetuesja konstatoi se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit veproi në kundërshtim me aktkgjykimin e kaluar, kur vazhdoi me insistimin për ta formuar komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, post për të cilin Vetëvendosje e ka propozuar Haxhiun.

Nënkryetarja e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, tha se veprimet e përfaqësuesve të Qeverisë në detyrë janë thirrje për anarki. 

“Sa për qartësi, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e kanë konstatuar me unanimitet të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej të cilëve i keni votuar edhe ju. Çdo përpjekje për ta delegjitimuar institucionin, në këtë rast GJK-në, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki. Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut. Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete. Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

E, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se synimi i LVV-së është që me eliminimin e Labanit të mos ketë kuorum vendimmarrës në gjykatë.

“Po shihet sheshazi se ju, LVV-ja dhe Vjosa Osmani po e doni Gjykatën Kushtetuese pa kuorum. Veç na tregoni pse? Se kjo veç Kosovës nuk i shkon për shtati. Në fund, sa i përket njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kujt po i shisni përralla, oj zonjë? Votimi i fshehtë 48 herë është refuzuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit. Ndërsa ju vetë, zonja Haxhiu, keni dështuar 6 herë në votim të hapur dhe 48 herë në votim të fshehtë”, ka shkruar Bajrami. 

Ministrja Haxhiu po ashtu e ka ftuar Gjykatën Kushtetuese ta nisë procedurën për shkarkimin e Labanit.

Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetuese ditë më parë kanë deklaruar se ai e ushtron funksionin e gjyqtarit “pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti”.