LAJMET E MBRËMJES

“Jam si i pirë, nuk e di as ku jam” - Përse dështoi seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh

Nisja e gjykimit në rastin në të cilin Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë të akuzuar për spiunazh në favor të Serbisë, ka dështuar të enjten për herë të dytë. I akuzuari Shabani është ankuar për gjendjen e tij shëndetësore teksa ka deklaruar se terapinë e ka aq të rëndë saqë nuk e di se ku është

Ka dështuar për herë të dytë të enjten nisja e gjykimit lidhur me akuzat për spiunazh në favor të Serbisë, në të cilin të akuzuar janë ish-doganieri Bedri Shabani dhe ish-polici Muharrem Qerimi.

Shabani i është ankuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për probleme shëndetësore dhe ka thënë se nuk është në gjendje që ta vazhdojë seancën.

“Kam marrë terapi. Plus asaj, jam në gjendje të vështirë. Jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 minuta”, ka theksuar ai.  

Trupi gjykues ka vendosur që ta ndërpresë seancën dhe t’i konfirmojë deklarimet e të akuzuarit me mjekun kujdestar të Shërbimit Korrektues. Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka thënë se mjeku i qendrës së paraburgimit në Gjilan, Ngadhnjim Rexhepi, është përgjigjur se i pandehuri Shabani është lajmëruar për konsultë mjekësore te mjeku i burgut më 11 nëntor, kur edhe është vizituar.

“Po ashtu të njëjtit i është rekomanduar terapi dhe konsulta te specialistët përkatës. Duke qenë se kjo përgjigje ishte pak e mangët, gjykata edhe një herë, përmes telefonit, kontakton me njësinë përkatëse për t’u interesuar se a është vizituar konkretisht sot te mjeku apo jo dhe nga përgjigjja përmes telefonit rezulton se edhe sot i akuzuari, Bedri Shabani, është vizituar te mjeku i burgut dhe se parametrat vitalë kanë qenë brenda vlerave normale. Megjithatë, gjykata i ka kërkuar që këtë përgjigje ta ofrojnë edhe me shkrim dhe jemi në pritje të përgjigjes”, ka theksuar Beqiri.

Ai e ka pyetur Shabanin nëse ka nevojë për kontroll mjekësor, porse i akuzuari nuk ka pranuar.

“Jo, terapinë e mora sot. E tash jam sikur i pirë, nuk e di as ku jam”, ka theksuar Shabani.

E më pas, me kërkesë të avokatit Besnik Berisha, i cili e përfaqëson Shabanin, publiku është përjashtuar nga seanca me arsyetimin se mund të shpalosen të dhëna lidhur me gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

“Kryetar, meqenëse janë çështje të natyrës personale, shëndetësore, humanitare e konfidenciale, kërkoj që seanca të mbahet pa publicitet”, ka theksuar Berisha.  

Nisja e gjykimit për këtë rast, ku dy të pandehurit akuzohen se kanë qenë agjentë të Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë (BIA), ka dështuar edhe më 22 shtator. Asokohe seanca nuk është mbajtur pasi avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet, shkaku që në po atë datë ka pasur seancë për një vrasje në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Shabani dhe Qerimi janë të akuzuarit e parë për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. 
Në aktvendimin për konfirmim të aktakuzës të nxjerrë më 30 prill, Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Shabani dhe Qerimi kanë bërë spiunazh si pjesë e BIA-s.

Avokati i Qerimit, Betim Shala, ka pretenduar se nuk mund të akuzohet për spiunazh klienti i tij që nuk ka dhënë informata të klasifikuara, por gjykata ka konstatuar se në këtë fazë është valid vlerësimi i prokurorisë.
Gjykata është bazuar te një nen i Kodit Penal që nuk specifikon nëse duhet apo jo që të jenë të klasifikuara të dhënat që një person ia përçon një shërbimi të huaj.

“Sa i përket mbledhjes së informatave, nga provat e cekura më lart, por edhe të tjerat të bashkëngjitura aktakuzës, shihet se i njëjti ka mbledhur informacione për çështjet e rëndësisë shtetërore e po ashtu edhe për personat që mbajnë pozita publike e që pastaj ka dyshim të bazuar mirë se këto i ka bartur te zyrtarët e BIA-s. Prandaj edhe rrjedhimisht ka dyshim të bazuar mirë se veprimet e të akuzuarit Muharrem janë plotësuar me këto elemente”, thuhet në aktvendimin e Themelores.

Edhe në raport me Shabanin, gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i ka dërguar informata me peshë shtetërore BIA-s serbe. Mbrojtja e Shabanit ka pretenduar se shkresat e prokurorisë nuk vërtetojnë se Sërxhan Rosiqi, me të cilin pretendohet se ka komunikuar Shabani, është zyrtar i BIA-s. Por, gjykata beson se ai është pjesë e BIA-s.

“... gjykata vlerëson se nga provat e cekura më lart, por edhe ato të bashkëngjitura në aktakuzë, ka dyshim të bazuar mirë se Sërgjan Rosiqi është pjesëtar i BIA-s serbe”, thuhet në aktvendim.

Pretendimet e prokurorisë janë se përveç Rosiqit, Shabani pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër të BIA-s, Bogolub Janiçeviq, që ka pasur rol udhëheqës në masakrën e Reçakut, si pjesëtar i forcave policore serbe. Avokati i Shabanit, Berisha, ka thënë se klienti i tij është përgjuar kundërligjshëm, mirëpo shkalla e parë ka vlerësuar se Prokuroria Speciale i ka siguruar provat në përputhje me ligjin dhe vlerësimi i tyre i mëtejmë duhet të bëhet në shqyrtim gjyqësor.
Lidhur me Shabanin në aktakuzë thuhet se ka mbledhur informata dhe i ka dërguar ato për t’i shërbyer BIA-s në ndërtimin e narrativit të rrejshëm lidhur me trafikimin e organeve nga UÇK-ja. E Qerimi në bazë të aktakuzës, ka dërguar informata në BIA lidhur me atë se kush i mban cilat pozita në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin Policor.

Për këtë vepër penale tashmë e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me pesë vjet burgim, Aleksandar Vllajiq.