Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna si përfaqësues i një kompanie, kanë mohuar fajësinë për keqpërdorimet që pretendon prokuroria në Korporatën Energjetike të Kosovës. E Prokuroria Speciale pretendon se ka prova që do të vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale
Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna, janë deklaruar sërish të pafajshëm, të enjten.
Krasniqi, që akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, në fjalën e tij hyrëse në seancës e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka cilësuar aktakuzën ndaj tij si tendencioze.
“Me aktin e arrestimit tim dhe mbajtjen në paraburgim prej 5 muajve ka bërë dënim pa u bërë gjykimi dhe ka me dhjetëra raste të tjetra për aktakuza ndaj zyrtarëve publikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe nuk ka pasur arrestime dhe kjo tregon se çfarë tendencash ka pasur prokuroria në këtë rast”, ka thënë ai.
Por, prokurorja e rastit Fikrie Zejnullahu ka thënë se ekzistojnë prova që do ta vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve për keqpërdorime në KEK.
“Kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që duke shkelur të gjitha rregullat e ligjit të prokurimit publik kanë lidhur marrëveshje me operatorin ekonomik ‘Litëin S.A’, ashtu që gjatë zbatimit të kësaj procedure të tenderimit u kanë shkaktuar dëme operatorëve të tjerë, ua kanë kufizuar barazinë e tyre në një aktivitet ekonomik e në anën tjetër krejt kjo që t’i mundësohet përfitimi pasuror i kompanisë në fjalë në mënyrë të kundërligjshme duke shkelur të gjitha rregullat e ligjit të prokurimit publik”, është shprehur Zejnullahu.
Edhe Zejna që akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare”, i ka mohuar pretendimet e prokurorisë.
Ai ka deklaruar se kontrata nuk është zbatuar dhe se KEK-u apo ndonjë palë tjetër nuk është dëmtuar.
“Kontraktimi i shërbimeve ligjore është shërbim i natyrës se veçantë dhe siç e argumentoi edhe avokati i të pandehurit ka mbi 40 të tilla në Kosovë. Procedura e prokurimit të negociuar përdoret gjegjësisht në Kosovë. Vetëm në vitin 2023, kontrata me procedurë të negociuar, kontratë e lidhur në vlerë 117 milionë euro. Nga të gjitha këto kontrata prokuroria ka vendosur që vëmendjen t’ia kushtojë një kontrate në vlere prej 60 mije eurosh ajo që nuk thuhet në aktakuzë është fakti se KEK-u edhe pas kësaj kontrate ka lidhur kontrata për shërbime ligjore të ngjashme me procedurë të negociuar të cilat kanë blere 11 fish më të madhe sesa kjo që ne akuzohemi sot”, ka thënë Zejna.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Sipas organit të akuzës, ata kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik “Litëin S.A.”.
Edhe në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Ymer Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale është ngritur më 30 dhjetor 2024.
Nagip Krasniqi po gjykohet edhe për një rast tjetër në KEK.