LAJMET E MBRËMJES

Mbi 100 zyrtarë janë gjobitur për vonesa në deklarim të pasurisë

Mbi 100 zyrtarë shtetërorë janë gjobitur për vonesë në deklarim të pasurisë. Krahas këtyre rasteve, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka gjetur rreth 150 raste të konfliktit të interesit, ku vetëm 10 kanë të bëjnë me prokurimin publik.

Mbi 100 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre në përputhje me afatet ligjore.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se shumica e zyrtarëve i kanë paguar gjobat që sipas tij nuk janë të vogla.

“Tashmë janë mbi 100 zyrtarë që kanë pranuar gjoba nga Agjencia, nga që janë vonuar për mosdeklarim të pasurisë. Mbi 70 për qind të tyre e kanë shlyer tashmë gjobat, i kemi arkëtuar ato të hyra të cilat nuk janë të vogla. Janë 30 për qind të pagës së tyre mujore, varësisht nga paga që gjenerojnë nga puna që ata kryejnë në sistemin publik”, tha Buleshkaj.

Sipas Buleshkajt, këto janë dërguar si kallëzime penale, por një pjesë të madhe i kanë hedhur prokuroritë.

Ka theksuar se Gjykata Supreme e interpreton si kundërvajtje e jo si vepër penale mos-deklarimin.

Edhe më shumë raste sesa për mosdeklarim, APK-ja ka identifikuar për konflikt interesi.

Nga 150 rastet e këtij lloji, rreth 30 për qind janë për proceset e punësimit në institucione publike. E një numër më i vogël, sipas Buleshkajt kanë të bëjnë me tenderët.

“Ne kemi anuluar këtë vit më pak se 10, por nuk është numër shumë i vogël i procedurave të tenderimit, sepse janë lidhur kontrata me konflikt interesi, ku dikush që nuk ka pasur të drejtë të jetë qoftë në proces të verifikimit, qoftë e ka pasur të ndaluar pas mbarimit të mandatit të jetë përfitues i kontratave publike, është bërë përfitues dhe si i tillë ne kemi nxjerrë vendim për anulim të këtyre proceseve”, tha Buleshkaj.

E sa u përket proceseve të prokurimit, ai tha se janë më pak se pesë raste të dërguara në prokurori.

Më së shpeshti, sipas Buleshkajt, është identifikuar prania e familjarëve e bashkëpunëtorëve në marrëdhënie biznesi në komisionet që kishin konflikt interesi me kandidatin apo të punësuarin.