Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka miratuar adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës, proces që do të zhvillohet nga 21 maji deri më 6 qershor. Sipas KQZ-së, kutitë postare do të jenë funksionale në 22 shtete. KQZ-ja po ashtu ka aprovuar mbi 130 mijë aplikime të votuesve jashtë Kosovës
131 mijë e 901 aplikime të votuesve nga diaspora i ka aprovuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prej 142 mijë e 802 aplikimeve gjithsej.
Sipas KQZ-së, 10 mijë e 906 aplikime janë refuzuar për zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka thënë se shqyrtimi i të gjitha kërkesave tashmë ka përfunduar.
“Gjatë kësaj periudhe, gjithsej 142 mijë e 802 votues kanë aplikuar për regjistrim. 131 mijë e 801 votues janë aprovuar, ndërsa janë refuzuar 10 mijë e 906. Ndërsa 96 kërkesa janë anuluar pas kërkesës së votuesve për t’u rikthyer në listën e votuesve brenda Kosovës. Shqyrtimi i të gjitha kërkesave ka përfunduar dje (e hënë)”, ka thënë Buzhala.
Gjatë mbledhjes të së martës Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar edhe adresat e kutive postare për votimin me postë në 22 shtete.
Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, ka deklaruar se adresat e kutive postare mbesin pothuajse të njëjta, si ato të zgjedhjeve të kaluara.
“Departamenti përkatës i ka sjellë adresat të kutive postare që janë të njëjta për votim jashtë vendit. Vetëm në dy vende janë ndryshuar, ku do të bëhen publike për votuesit dhe si të tillë ne e rekomandojmë për votim. Një prej arsye të vizitave që e kemi pasur ditë më parë është të shikohet kapaciteti dhe mënyra se si mblidhen zarfet që arrijnë në këto kuti postare dhe janë marrë të gjitha informacionet e duhura dhe janë bërë planet operative të KQZ-së dhe zyrtarëve të MPJD-së që bashkë do të jenë të angazhuar në procesin e mbledhjes dhe dërgimit më pas të zarfeve që do të grumbullohen në këto adresa postare”, është shprehur Krasniqi.
E në një mbledhje pasditen e së martës, KQZ-ja ka vendosur të ndryshojë fillimin e periudhës për votim me postë.
“KQZ mori vendim për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, votimi me postë i planifikuar të fillojë më 25 maj, do të fillojë më 21 maj 2026. Ky ndryshim i afatit është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare se kompania DHL dhe shërbimet postare në disa vende europiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare dhe si pasojë, gjatë periudhës 22 – 26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave. Andaj, për të shmangur vonesat në dërgimin dhe pranimin e pakove me fletëvotime, janë ndërmarrë aktivitete përgatitore që procesimi dhe dërgimi i pakos me fletëvotim për secilin votues të regjistruar për votim me postë të bëhet më herët”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Periudha e votimit përmes postës do të jetë nga 25 maji deri më 6 qershor.
KQZ-ja ka miratuar edhe Planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme e po ashtu ka miratuar edhe dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit dhe broshurës.