Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq. Ish-shefi i operativës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” e ka pranuar fajësinë për spiunazh në favor të Serbisë. Spiunazhi i tij përfshinte edhe dërgimin e planeve sekrete për të cilat duhet të ishin në dijeni vetëm Policia dhe AKI-ja
Me gjashtë vjet burgim e 2000 euro gjobë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar togerin policor Bojan Jevtiq, për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.
Dënimi i është shqiptuar pasi i akuzuari dhe prokuroria kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë duke evituar dënimin e paraparë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjyqtari Kushtim Shyti, pasi ka miratuar marrëveshjen, ka thënë se i akuzuari i ka dërguar dokumente sekrete pjesëtarit të BIA-s serbe Sasha Qiriq, të cilin e ka takuar edhe fizikisht në Beograd.
Gjykata ka konstatuar po ashtu se i akuzuari ia ka shpalosur Serbisë edhe planet për të cilat duhej të ishin në dijeni vetëm policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
“Në mënyrë të vazhdueshme ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si konfidenciale dhe sekrete që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në atë mënyrë që pa autorizim dhe jashtë kompetencave të tij zyrtare, ka siguruar dokumente të tilla përfshirë Planin Operativ ‘Shënjestra’ e datës 26.09.2023, si dhe materiale të tjera që ndërlidhen me aktivitetet e policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, të cilat më pas i ka vënë në dispozicion duke i transmetuar dhe komunikuar te përfaqësueit e shërbimit inteligjent të Serbisë, i njohur si BIA – përmes mjeteve të komunikimit elektronik përfshirë aplikacionin Whatsapp dhe Telegram në veçanti te zyrtari i këtij shërbimi Sasha Qiriq – i njohur me nofkën ‘Qira’”, ka thënë gjyqtari Shyti.
Togeri policor, Bojan Jevtiq, është zyrtari i parë policor i dënuar për spiunazh.
E gjykata ia ka ndaluar edhe ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet, duke i dhënë dënim plotësues që do të hyjë në fuqi pas mbajtjes së dënimit me burg.
Prokurori Bekim Kodraliu, ka njoftuar se Jevtiqi është personi i treti i dënuar për këtë vepër penale e që i ka shërbyer BIA-s në Serbi.
“Ky është rasti i tretë në të cilin prokuroria e konfirmon dhe dëshmon ekzistimin e veprës penale të spiunimit, ndërsa është rasti i dytë ku të pandehurit nga provat të cilat prezantohen nga prokuroria pranojnë fajësinë për veprën penale të spiunimit... Çdokush që involvohet në ndërmarrjen e këtyre aktiviteteve që kanë të bëjnë me cenimin e rendit kushtetues dhe të shërbimeve të huaja, në këtë rast të shërbimit inteligjent serb do të zbulohen nga Prokuroria Speciale, do të hetohen dhe do të ballafaqohen me drejtësinë, siç ishte rasti i sotëm”, ka thënë Kodraliu.
E paraprakisht i akuzuari ia ka konfirmuar gjykatës se e pranon fajësinë dhe ka hequr dorë nga e drejta për ankesë kundër aktgjykimit, përveç shkallës së dënimit.
Jevtiqi e ka lutur gjykatën që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese.
Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe avokati i tij, Millosh Nikoliq.
Jevtiq ka punuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2002, por në aktakuzë nuk përcaktohet se prej kur i ka ndihmuar Serbisë me informata që rrezikojnë sigurinë e Kosovës.
Për spiunazh në Kosovë është dënuar Aleksandar Vlajiq, që më 2022 pati dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës.
Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq.
Ndërkohë në pritje të nisjes së gjykimit janë disa persona të tjerë.