Dënimin fillestar me nga gjashtë muaj burgim, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka zëvendësuar të mërkurën me gjoba prej 4 mijë eurosh serbëve Nenad Milkoviq dhe Aleksandar Llaziq. Zëvendësimi i masës, sipas gjykatës, është bërë pasi ata e kanë pranuar fajësinë për sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë dhe atyre të Doganës në Mitrovicë të Veriut, gjatë aksionit antikontrabandë më 2021. E për këtë rast, të akuzuar janë edhe katër persona të tjerë, të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë gjatë seancës së shqyrtimit fillestar
Me nga 4 mijë euro gjobë janë dënuar të mërkurën Nenad Milkoviq dhe Aleksandar Llaziq, të cilët një ditë më parë e kanë pranuar fajësinë për sulmin e tetorit të vitit 2021 ndaj zyrtarëve të Policisë dhe atyre të Doganës.
Sulmi, sipas aktakuzës së ngritur në shtator, ka ndodhur gjatë aksionit antikontrabandë në Mitrovicë të Veriut, kur pjesëtarë të Policisë dhe ata të Doganës janë goditur me gurë, me shufra druri e metali, si dhe me granata dore.
Për këtë vepër penale, Milkoviqit dhe Laziqit fillimisht iu është shqiptuar dënimi me nga gjashtë muaj burgim, porse këtë masë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zëvendësuar me gjobë, pasi që dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë gjatë seancës së shqyrtimit fillestar të martën.
“Gjykata ka shpallur aktgjykimin dënues dhe të akuzuarve N.M. dhe A. L., iu ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj për secilin veç e veç, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarve dhe konform nenit 44 par.1 të KPRK-së është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën nga 4.000.00 (katër mijë) euro, për secilin veç e veç, të cilin dënim të akuzuarit janë të obliguar ta paguajnë në afat prej 15 ditësh, nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm. Nëse të akuzuarit nuk dëshirojnë ose nuk mund të paguajnë dënimin me gjobë, atëherë dënimi me gjobë iu zëvendësohet me dënim me burgim”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë Gjykatë kanë bërë të ditur po ashtu se ekziston dyshim i bazuar se dy të akuzuarit, me dashje kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur afër barnatores “Lilia” në Mitrovicë të Veriut dhe në udhëkryqin e rrugës që lidhet në drejtim të Shkollës Teknike, ku kanë gjuajtur në drejtim të zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë.
“I pandehuri N.M. derisa është zbatuar urdhër-kontrolli në barnatoren ‘Lilia’ në afërsi të barnatores ka sulmuar zyrtarin policor B.Sh. me mjet të fortë - gurë, nga veprimet e përbashkëta të pjesëmarrësve i është vënë flaka automjetit ‘Tojota’, ngjyrë e zezë pronë e Doganës së Kosovës, ndërsa i pandehuri A.L., me kamionin e tipit Iveko, me mbishkrim J.K.P.Standart Parkink servis ka bllokuar udhëkryqin për te shkolla teknike që shpie te Lagjja e Boshnjakëve, të cilën e ka vendosur si barrikadë për bllokimin e rrugës, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezik për jetën e njerëzve”, thuhet në njoftim.
Për këtë rast, të akuzuar janë edhe Sreçko Sofronijeviq, Ilija Viçentijeviq, Millan Viçentijeviq dhe Marko Rakiq, e të cilët në seancën e shqyrtimit fillestar nuk e kanë pranuar fajësinë.
Sipas Prokurorisë Speciale, të gjashtë të akuzuarit ia kanë zënë pritën Policisë, duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të Policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Për pasojë, tre policë janë plagosur.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, avokatët Haxhi Millaku dhe Jelena Krikokapiq, të cilët i përfaqësojnë dy serbët të cilët e kanë pranuar fajësinë, kanë thënë se pranimi është bërë me vullnet të lirë.
Sipas aktakuzës, në të njëjtën ditë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare. Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro.