Një person me aftësi të kufizuara ka pësuar sulm fizik në sheshin e Ferizajt dhe për rastin është identifikuar një i dyshuar, ka konfirmuar Policia. Njëri prej qytetarëve që e bëri publik sulmin tha se kjo nuk është hera e parë që ai përballet me një akt të tillë.
Një 35-vjeçar me aftësi të kufizuara është sulmuar fizikisht në Ferizaj.
Policia ka thënë se rasti ka ndodhur para dy ditësh.
Sipas tyre, dyshohet se rasti ka ndodhur në sheshin e qytetit, për çka edhe ka nisur procesi i verifikimit të kamerave në atë zonë, teksa është identifikuar edhe një person si i dyshuar.
“Sot, rreth orës 11:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë përmes rrjeteve sociale lidhur me një incident, ku dyshohet se është sulmuar fizikisht një person me aftësi të kufizuara, i njohur si "Cufa". Menjëherë pas pranimit të informatës hetuesit e Stacionit Policor në Ferizaj janë angazhuar dhe kanë arritur të identifikojnë një person të dyshuar, i cili është ftuar në stacion për intervistim”, u tha nga Policia e Kosovës.
Sulmin e bëri publik qytetari Agon Zhinipotoku përmes rrjeteve sociale, sipas të cilit viktima njihet si person i qetë dhe i dashur.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që ky person është sulmuar, ndërsa ka treguar se qe gjashtë vjet ai kujdeset për të.
“Me rrah e kanë rrahur edhe herave të tjera, sepse janë disa grupe të të rinjëve nëpër qytet e sulmojnë në vazhdimësi, por nuk ka ndodhur ndonjë lëndim i natyrës kaq të rëndë. Ky është 35 vjeçar, për çka si personazh me aftësi të kufizuar kam dashur të bëjë thirrje që për këtë kategori të njerëzve të kujdesen më shumë qoftë ne, institucionet apo policia. E nga frika se po i thotë dikush diçka ai tek sot ka treguar se e ka rrahur dikush”, tha Zhinipotoku.
Në repartin e Emergjencës në Spitalin e Ferizajt konfirmuan se viktima është trajtuar pas lëndimeve të marra.
“Pacienti në fjalë është pranuar në Emergjencën e Ferizajt dhe ka pranuar trajtim mjekësor. Pasi që nuk ka pasur ndonjë lëndim të rëndë trupor, pas përfundimit të procedurave të nevojshme është liruar për në shtëpi”, u tha nga Spitali i Ferizajt.
KOHA gjatë së hënës ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për të kuptuar nëse janë të informuar për rastin, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.